Zbardhje e Takimit të Presidentit dhe Zëvendës Presidentit me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama

Presidenti Obama iu bashkua sot një takimi midis Zëvendës Presidentit Biden dhe Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Presidenti, Zëvendës Presidenti dhe Kryeministri theksuan rëndësinë e partneritetit të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara.  Presidenti dhe Zëvendës Presidenti shprehën vlerësimin e tyre për rolin kritik të Shqipërisë në çuarjen përpara të sigurisë rajonale dhe rishprehën rëndësinë që ka mbajtja hapur e derës së integrimit euro-atlantik për stabilitetin në Ballkan. Presidenti dhe Zëvendës Presidenti përgëzuan Shqipërinë për udhëheqësinë e saj në promovimin e tolerancës fetare, për kontributet e rëndësishme të Shqipërisë për koalicionin ndërkombëtar kundër ISIL, dhe për hapat domethënës që Shqipëria ka ndërmarrë për t’iu kundërvënë terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.  Presidenti, Zëvendës Presidenti dhe Kryeministri po ashtu ranë dakord mbi rëndësinë që ka vazhdimi i reformave për të çuar përpara integrimin europian të Shqipërisë.