Teksti i Intervistës me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit Filip Riker, Byroja e Çështjeve të Europës dhe Euroazisë, Nga Sokol Balla, Top Story

Top Story: Jemi rikthyer në Top Story, për pjesën e dytë në të cilën, siç ju thashë, kam nderin dhe kënaqësinë të intervistoj një prej diplomatëve kryesorë të Departamentit të Shtetit të SHBA, Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Europën dhe Euroazinë, sigurisht përfshirë Shqipërinë, Filip Riker. Ambasador Riker, mirëmbrëma dhe faleminderit që jeni sonte me mua në Top Story.

ZNS Riker: Falemnderit, Z. Balla, është kënaqësi. Faleminderit për ftesën.

Top Story: Është nder t’ju kem në program sonte, edhe për më tepër për faktin se vizita juaj vjen në një çast të rëndësishëm në zhvillimet rajonale, në kohën kur negociatat Kosovë-Serbi janë në fazë përparimi. Vini nga Brukseli dhe besoj se i mbikqyrët, deri në një farë mase, përparimin e këtyre negociatave, apo jo?

ZNS Riker: E vërtetë, isha në Bruksel në fillim të kësaj jave dhe jam shumë i gëzuar që kam mundësinë të vizitoj Shqipërinë për dy ditë përpara se të vazhdoj me takimet e tjera në Berlin. Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, i lehtësuar nga Përfaqësuesja e Lartë Kethi Eshton e Bashkimit Europian, është proces shumë i rëndësishëm dhe Shtetet e Bashkuara janë mbështetëse të forta të këtij procesi. Isha në Bruksel me mundësinë për të takuar kryeministrin Thaçi, kryeministrin Daçiç, si edhe kolegët e mi të BE-së, për të vazhduar inkurajimin dhënë atyre në lidhje me përparimin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Kjo do të jetë diçka e mirë për popullin e Kosovës, për popullin e Serbisë, gjithë shtetasit e tyre dhe, sigurisht, është e mirë për stabilitetin e këtij rajoni.

Top Story: Në fakt, do të jetë paksa e vështirë të bindësh të dyja palët që të kënaqen me këto negociata, sepse ndoshta serbët e veriut dhe serbët e Serbisë po kërkojnë shumë më shumë nga sa mund të prodhojnë këto negociata, por sigurisht, kemi parë sot se reagimet e shqiptarëve të Prishtinës nuk janë aq pozitive për sa i përket këtyre negociatave. Kryeministri Thaçi akuzohet të jetë dorëzuar në këto negociata të përsëritura me kryeministrin Daçiç. Duket bast i fortë dhe i vështirë për Shtetet e Bashkuara ky raund negociatash.

ZNS Riker: Mendoj se është e pamend të përpiqesh të përqendrohesh në reagimet e menjëherëshme dhe të përqendrohesh në komentin e publikut. Ajo që shikojmë na tregon dy drejtues seriozë dhe të përkushtuar. Na ka bërë shumë përshtypje se kryeministri Thaçi ka treguar seriozitet qëllimi në pjesëmarrjen në këtë dialog bashkë me kryeministrin Daçiç. Këto janë çështje të vështira, nuk ka dyshim për këtë. SHBA-ja ka qenë mbështetëse e fortë e Kosovës, e pavarësisë, e integritetit territorial dhe e pavarësisë së saj. Është e rëndësishme të punojmë me partnerët tanë të BE-së për të ndihmuar Beogradin dhe Prishtinën të gjejnë mënyra përparimi për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, sepse janë fqinjë. Asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë. Gjeografia është ajo që është. Historia është ajo që është. Duhet ta vendosim historinë në kontekst dhe të ecim përpara për një të ardhme më të mirç dhe kjo e ardhme për të dyja vendet është në Europë. Ka të bëjë me integrimin në Europë, integrimin trans-atlantik, të cilat sigurojnë, sipas besimit tonë, mundësinë më të mirë për qytetarët e të dyja vendeve dhe për të gjithë rajonin.

Top Story: Në përgjigjen tuaj të mëparshme ju thatë se ky dialog është shumë i rëndësishëm. Përse mendoni kështu?

ZNS Riker: Mendoj se të paturit marrëdhënie fqinjësie të mirë mes gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë kritike. Jemi në atë pikë në histori ku shikojmë kalimin e një shekulli nga Luftërat e Ballkanit dhe ta mendosh sa përparim kemi bërë, sa përmirësim ka bërë Shqipëria, dhe sigurisht sa ka ecur Kosova në pesë vitet e saj të pavarësisë. Ishte nder i madh për mua që në Bruksel pata mundësinë të ndiqja festimet e Pavarësisë në Ambasadën e Kosovës, ku festohej përvjetori i tyre i pestë dhe theksohej mbështetja e SHBA-së për Kosovën, për të ardhmen e saj, por theksohej gjithashtu mbështetja e SHBA-së për marrëdhënie të forta me Serbinë, siç kemi edhe marrëdhënie të forta me Shqipërinë. Është e rëndësishme që gjithë vendet në rajon të punojnë së bashku për një të ardhme më të mirë dhe këtë sigurisht e përfaqëson edhe Bashkimi Europian. Pra, jam shumë i kënaqur që jam në Tiranë, jo vetëm për t’u takuar me ambasadorin Arvizu dhe skuadrën e tij, gjë që e bëjmë rregullisht, por për të takuar gjithashtu edhe zyrtarë shqiptarë dhe diskutuar për rrugën tuaj drejt Europës, integrimin tuaj në Europë, dhe për të theksuar miqësinë që ekziston mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Top Story: Në fakt, keni ardhur në Tiranë në një kohë kur Departamenti i Shtetit po pëson një ndryshim në krye. Pas drejtimit të Znj. Klinton për mbi katër vjet, tani keni shef të ri. Ai është Xhon Kerri, ish senator për një kohë të gjatë për demokratët, dhe ish kandidat presidencial në zgjedhjet e vitit 2004. Çfarë ndodh në këto raste? Si është puna me një drejtues të ri? A ka ndonjë ndryshim të beftë në mënyrën se si vepron ai apo mënyrën si drejton Departamentin e Shtetit dhe cili është ndikimi që mund të ketë një drejtues i ri në mënyrën se si Departamenti i Shtetit shikon zhvillimet, le të themi, në rajonin tonë?

ZNS Riker: Keni absolutisht të drejtë. Kjo është periudhë tranzicioni në Departamentin e Shtetit. Të gjithë u bashkuam në një përshëndetje lamtumire të përzemërt për sekretaren Klinton. Jam shumë i nderuar që kam shërbyer si Zëvendës Ndihmës Sekretar për Ballkanin Perëndimor përgjatë një viti e gjysmë tashmë, dhe jam po aq i nderuar të vazhdoj të punoj në këtë pozicion për sekretarin e shtetit Xhon Kerri. Siç vërejtët edhe ju, ai ka qenë senator për 28 vjet në Senatin e SHBA-së ku përfaqësonte shtetin e Masaçusetsit. Për katër vitet e fundit, punoi si kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senat, gjë që e bën tejet të përgatitur dhe të kualifikuar. Në këto ditë të fillimit kemi përjetuar një tranzicion shumë të qetë. Dje Sekretari Kerri mbajti fjalimin e parë mbi politikat e tij kryesore në Universitetin e Virxhinias, jo larg prej Uashingtonit. Shpresoj ta keni parë atë fjalim. Këtë fundjavë ai do të niset për udhëtimin e tij të parë të rëndësishëm, duke ardhur së pari në Europë. Do të qëndrojë në Londër; do të shkojë në Berlin; do të shkojë në Paris dhe Romë dhe më tej do të shkojë në Ankara e më pas në Lindjen e Mesme. Sigurisht kjo është një mundësi për t’u takuar me partnerët dhe aleatët tanë europianë dhe mendoj se ajo që do të shikojmë është vazhdimësia e politikës së jashtme të SHBA-së edhe pas ndryshimit të drejtimit në Departamentin e Shtetit. Natyrisht kjo është vazhdimësi e udhëheqjes së Presidentit Obama ndërsa ai sapo ka nisur mandatin e tij të dytë.

Top Story: Ambasadori Riker, cili është programi i vizitës suaj në Tiranë? Kë do të takoni, por më e rëndësishmja, me çfarë qëllimi do t’i takoni autoritetet shqiptare? Çfarë mesazhesh do të përcillni?

ZNS Riker: Siç e thashë, isha në Bruksel më parë këtë javë. Këtë fundjavë do të jem në Berlin. Ishte kënaqësi që kisha dy ditë për të ardhur në Tiranë. Mendoj se herën e fundit kam qenë këtu para gjashtë muajsh. Këtë ritëm dëshiroj të mbaj. Dëshiroj t’i vizitoj shtatë vendet e mia në rajon për afro dy herë në vit. Kjo më jep mundësinë të takoj skuadrën e ambasadorit Arvizu nga afër. Flasim çdo javë. Mbaj kontakte dhe lidhje të rregullta. Kjo më jep gjithashtu mundësinë të takohem me udhëheqësit shqiptarë dhe me ata të shtatë vendeve për të cilat jam përgjegjës në lidhje me politikat e jashtme dhe marrëdhëniet e SHBA-së në këtë rajon. Shqipëria është njëri prej dy vendeve aleate të NATO-s, prandaj është veçanërisht e rëndësishme të flas me miqtë tanë shqiptarë, për të diskutuar me drejtuesit në lidhje me aspektet kyçe të integrimit tuaj europian, rrugës suaj drejt Europës. Pata mundësinë të takohesha me kolegët e BE-së në Bruksel për të diskutuar rreth kësaj dhe sigurisht përqendrimi ynë është të ndihmojnë Shqipërinë të arrijë qëllimet e saj për në BE pasi besojmë se ajo është rruga më e mirë për më shumë begati dhe më shumë stabilitet për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin.

Top Story: Si po shkon Shqipëria me detyrat e shtëpisë për rrugën e saj drejt integrimit për në BE? Çfarë duhet të përmirësojë më tej?

ZNS Riker: Mendoj, siç e dini, se ka pasur disa zhgënjime me procesin europian. BE-ja po punon shumë fuqishëm nëpërmjet Komisionit, nëpërmjet Shërbimit të Veprimit të Jashtëm, për t’u përfshirë me Shqipërinë në disa procese dhe reforma që duhet të ndodhin. Anëtarësimi në BE është proces shumë i ndërlikuar. Ai kërkon përkushtim ndaj disa standardeve, ndaj shtetit lingjor, mundësinë që politika juaj të funksionojë dhe kryejë detyrën për të përmbushur standardet europiane. Mendoj se BE-ja e ka bërë shumë të qartë faktin se dëshiron ta shikojë Shqipërinë të arrijë status kandidati të plotë dhe të bëjë përpara në këtë aspekt. Ka pasur disa mangësi në lidhje me këtë. Programet tona të ndihmës nëpërmjet ambasadës sonë – politikave tona – të gjitha janë ndërtuar të ndihmojnë Shqipërinë të ecë përpara në këtë drejtim, dhe do të inkurajoj udhëheqësit shqiptarë të bëjnë këtë gjë, udhëheqësit shqiptarë në gjithë spektrin politik. Sepse kjo është diçka për të cilën të gjithë duhet të marrin përgjegjësi, sepse kjo ndikon gjithë qytetarët dhe besojmë se kjo është rruga drejt së ardhmes më të mirë për Shqipërinë.

Top Story: Ambasadori Riker, cili është pozicioni i Shqipërisë në interesat amerikane lidhur me çështjet e energjisë në Europën Juglindore? Për shembull, pak kohë më parë, Shqipëria dhe Greqia, le të themi nën njëfarë vëzhgimi të Departamentit të Shtetit, firmosën marrëveshjen për TAP. Çfarë domethënieje ka Shqipëria në interesat strategjike të Amerikës në rajon?

ZNS Riker: Dua të përgëzoj Shqipërinë për firmosjen së fundi të marrëveshjes ndërqeveritare me Athinën dhe Romën për projektin e Tubacionit Trans Adriatik. Sigurisht, nga Uashingtoni kemi pak kohë që flasim për rëndësinë e sigurisë së energjisë, dhe kjo përfshin shtimin e shumllojshmërisë së burimeve të energjisë. Korridori jugor do të sjellë burime të reja furnizimesh me gaz në Europë, dhe këtë e ka inkurajuar prej kohësh SHBA-ja. Shumë vende kanë mbetur me një furnizues të vetëm për gaz dhe burime energjie dhe shtimi i shumllojshmërisë së këtyre burimeve është i rëndësishëm, prandaj do të mbështesim cilatdo vendime që do të merren nga Konsorciumi Shah Deniz, në lidhje me TAP apo Nabucco West, sepse kjo është mundësi për të ndihmuar shumllojshmërinë e burimeve të energjisë, gjë në të cilën jemi përqendruar edhe për veten tonë.

Top Story: Në fakt, përpara se të firmosej marrëveshja, pati disa dilema këtu në lidhje me kë mbështesnin Amerikanët – TAP-in, Nabucci-n apo diçka tjetër. Qëndrimi nuk duket sikur favorizon një projekt të caktuar, apo jo? Ju thjesht jeni në favor të pluralizmit të këtyre burimeve. Sa më shumë, aq më mirë, apo jo?

ZNS Riker: Pikërisht. Nuk kemi zgjedhje të parapëlqyer. Mendojmë se të gjitha vendet duhet të kërkojnë shumllojshmërinë e furnizuesve të energjisë. Kjo është siguria e energjisë, dhe kjo është e rëndësishme për ekonominë tuaj, për begatinë tuaj dhe për stabilitetin tuaj.

Top Story: Ambasadori Riker, vizita juaj në Tiranë vjen në një çast të rëndësishëm si rezultat i zhvillimeve në Bruksel, të cilat ju i keni mbikqyrur drejtpërdrejtë, negociatat Daçiç-Thaçi, dhe natyrisht, për shkak të pasojave që këto lloj negociatash kanë në rajon, ku roli i Shqipërisë në përgjithësi dhe ai i Shqipërisë në veçanti ka një përmasë të re. Gjithashtu, falë mbështetjes së SHBA-së me anëtarësimin në NATO apo çaste të tjera të rëndësishme në dhjetëvjeçaret e fundit, veçanërisht pas përvjetorit të 100-të të pavarësisë, shqiptarët kanë përjetuar atë që ne e quajme “patriotizëm i lumtur”, pra shqiptarët kanë shfaqur tone patriotike, më shumë krenari kombëtare për flamurin e tyre, historinë e tyre, të kaluarën e tyre dhe të ardhmen e përbashkët. Ndoshta është pikërisht e ardhmja e përbashkët që ka shkaktuar dilema dhe debate në javët dhe muajt e fundit. Folët për një synim të përbashkët për Ballkanin Perëndimor, i cili është integrimi europian. Megjithatë, disa deklarata nga politikanë shqiptarë, kryesisht në Tiranë, por edhe në Prishtinë, Tetovë dhe Shkup kanë pasur karakter tjetër. Ka pasur shtim të bisedimeve për bashkim kombëtar; ka pasur ide për lëshim pasaportash shqiptare për të gjithë shqiptarët në rajon. Ajo që kemi parë është rritje shqetësimi nga ana e SHBA-së në lidhje me këto retorika. Çfarë e shqetëson Uashingtonin në lidhje me nacionalizmin tonë?

ZNS Riker: Mendoj se nuk është habi që nacionalizmi dhe retorika nacionaliste nuk janë gjëra të cilat ne i  përqafojmë. Mendoj se të gjithë e kemi parë se ku të çon nacionalizmi. Cilido student historie në këtë rajon apo më gjerë në Europë mund të shikojë papërgjegjshmërinë e retorikave nacionaliste si edhe ku të drejtojnë ato. Kjo është shpërqendrim nga vëmendja e duhur, e cila duhet të jetë te reformat – reformat për stabilitet, për ndjekjen e rrugës drejt Europës, për përmirësimin e ekonomive, për mundësi më të mira për qytetarët, dhe për të punuar bashkë për marrëdhënie të mira fqinjësie, të cilat janë kritike. Në të vërtetë Shqipëria festoi 100 vjetorin e pavarësisë së saj, dhe u gëzuam që sekretarja Klinton mundi të vinte në Tiranë pak javë përpara asaj ditë, të fliste përpara parlamentit dhe të bisedonte për të ardhmen e shkëlqyer që kemi përpara. Nëse mendoni ato që keni arritur në 100 vjet, ka shumë gjëra për të thënë. Por çfarë mund të arrini në 100 vitet e ardhshme? Harta e Europës është përcaktuar. Kufijtë janë përcaktuar dhe SHBA-ja është e vendosur kundër ndryshimeve në kufij, prandaj thirrjet për të bashkuar shqiptarët apo thirrjet për të bashkuar grupe mbi baza etnie apo kombësie nuk janë të frytshme. Ato janë të papërgjegjshme dhe ne do të flasim kundër tyre. Kjo tërheq vëmendjen nga përparësitë e rajonit. Mendoj se ambasadori Arvizu ka bërë punë të shkëlqyer në paraqitjen e mesazheve nga Uashingtoni për sa i përket asaj që ne ndjejmë në lidhje me këtë, duke u kërkuar të gjithë udhëheqësve në Shqipëri, të gjithë udhëheqësve në mbarë rajonin të përmbahen nga retorika e panevojshme nacionaliste dhe të përqendrohen në ato që janë me rëndësi, ato që do të përmirësojnë jetët e qytetarëve, ato që do të sjellin mundësi më të mira për qytetarët sot, fëmijët e tyre nesër, dhe nipërit e tyre më tej në të ardhmen.

Top Story: Përgjigjja juaj ngre dy pyetje, por do t’i bëj ato më vonë. Le të qëndrojmë te nacionalizmi shqiptar. Kryeministri Berisha thotë se kjo lloj retorike, ose ky lloj nacionalizmi shprehur nga shqiptarët nuk cënon fqinjët tanë dhe, të themi të vërtetën, ka një interpretim kushtetues të asaj që thotë Z. Berisha, të paktën nga mbështetësit e tij. Hyrja e kushtetutës sonë flet për aspiratat e bashkimit kombëtar. Prandaj, nacionalizmi, që sipas asaj çka thotë Z. Berisha nuk dëmton fqinjët, dhe nacionalizmi që diskutohet në kushtetutë. Çfarë e bën këtë të papranueshëm për Shqipërinë ndërkohë që është i ligjshëm për shqiptarët?

ZNS Riker: Ashtu siç e thashë shumë qartë: Kufijtë janë përcaktuar në Europë. Ajo që ka nisur Europa është një Bashkim Europian, një përvojë e jashtëzakonshme, që ka sjellë nivele stabiliteti, nivele begatie në mbarë Europën, gjëra që nuk ishin dëgjuar më parë, nuk priteshin, dhe kjo për shkak se u lanë mënjanë retorikat nacionaliste dhe në vend të tyre u ndoqën një sërë reformash të përbashkëta: respektimi i shtetit ligjor, bashkëpunim në vend të pllakosjes së fantazmave nacionaliste të së kaluarës, e bashkëpunim për një të ardhme më të mirë. Kush do ta kishte menduar se Gjermania dhe Franca mund të ishin partnerë kaq të ngushtë? Dhe të njëjtën mundësi e shikojmë edhe këtu në rajon. Ballkani është pjesë e Europës dhe politikat e SHBA-së kanë qenë të shohin Europën e plotë, të lirë dhe në paqe. Kjo ka qenë politika jonë për së paku 70 vjet, dhe do të vazhdojmë ta ndjekim këtë politikë. Prandaj edhe e mbështetëm Shqipërinë të bëhej aleate e NATO-s – jemi krenarë për këtë dhe ishte arritje vërtet e madhe. Mbështesim Shqipërinë edhe në rrugën e saj europiane. Mbështesim gjithashtu edhe Kosovën në kufijtë e saj siç janë përcaktuar, integritetin e saj territorial, pavarësinë e saj. Mbështesim gjithashtu Serbinë, në rrugën e saj europiane. Sepse do ta ndjejmë se ky projekt është përmbushur vetëm kur të gjitha vendet e rajonit të jenë pjesë e kësaj Europe, të plotë dhe të lirë. Në vend që të shpërqendrohemi me diskutime të panevojshme për nacionalizmin, duhet të përqendrohemi në vendet që kemi, çka u nevojitet atyre për të ecur përpara, çka u nevojitet për të punuar së bashku në mënyrë konstruktive, në partneritete dhe si aleatë për të ardhmen më të mirë që të gjithë e shikojmë përpara nesh.

Top Story: Z. Riker, deri në çfarë masë i dëmton marrëdhëniet dypalëshe mes Tiranës dhe Uashingtonit ky nacionalizëm shqiptar?

ZNS Riker: Nuk mendoj se mund ta vlerësoj këtë këtu …

Top Story: A i dëmton atëherë?

ZNS Riker: Ne kemi lidhje dypalëshe të forta. Kemi histori të gjatë, siç po e thoshit edhe ju, dhe e vlerësojmë marrëdhënien që kemi me Shqipërinë, ashtu sikurse vlerësojmë marrëdhënien me Kosovën, me Maqedoninë, me Serbinë, me të gjitha vendet në këtë rajon. Unë punoj me shtatë vende në Ballkanin Perëndimor dhe punoj nga afër me partnerët tanë europianë, të cilët kanë të njëjtin qëllim për këtë rajon. Dhe ky qëllim është t’i shikojmë këto vende të suksesshme dhe të punojmë së bashku drejt kuadrit europian dhe një grupi vlerash të përbashkëta, përkushtim ndaj shtetit ligjor dhe reforma që do të çojnë në standarde më të mira jetese për të gjithë qytetarët e rajonit. Pra, si miqtë tanë, duhet të jemi të hapur e të sinqertë me njëri-tjetrin, duhet të ngremë çështje që na shqetësojnë dhe kur dëgjojmë retorika nacionaliste të cilat nuk mendojmë se janë të dobishme, i ngremë çështjet në lidhje me to. Këtë e bëjmë hapur, e bëjmë me shpirtin e miqësisë, me dorën e zgjatur, siç e përshkroi Presidenti Obama. Dhe kujtoj atë që tha sekretarja e shtetit Klinton kur foli në parlamentin tuaj në lidhje me nevojën për të punuar së bashku dhe për të kapërcyer nacionalizmin që nuk arrin asgjë, e në vend të tij të zbulojmë si mund të punojmë së bashku në mënyrë më konstruktive, kjo fjalë shkon për të gjithë politikanët në gjithë spektrin në Shqipëri apo në vende të tjera në rajon. Duhet të gjejmë mënyra të punojmë së bashku, të respektojmë njëri-tjetrin dhe të shikojmë të ardhmen më të mirë që na pret të gjithëve përpara.

Top Story: Pra, vlerësimet e SHBA-së dhe Departamentit të Shtetit, pozitive apo negative, miqësore siç thatë ju, janë të vlefshme përgjatë spektrit politik. Por në lidhje me kritikën amerikane në drejtim të nacionalizmit shqiptar, është e vështirë të kuptohet se kujt i drejtohet ajo – ndonjë formacioni të ri politik në Shqipëri që mbështetet fuqishëm në këtë patriotizëm, qeverisë apo opozitës. A bëni ju ndonjë ndarje përgjegjësie, apo të gjithë janë njëlloj përgjegjës, të gjithë të fajshëm për përdorimin e kësaj retorike?

ZNS Riker: Mendoj se mesazhi ynë është i njëjtë për të gjithë. Kur ambasadori Arvizu flet në emër të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, si vetë përfaqësuesi i tij këtu në Shqipëri, kur unë vij për vizitë, kur vjen për vizitë Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton, kur sekretari i shtetit Xhon Kerri udhëton në Europë, kur ai takohet më Përfaqësuesen e Lartë Eshton, siç ndodhi në Uashington javën e kaluar, ne flasim me të gjithë. Kemi një mesazh të përbashkët këtu në rajon, dora u zgjatet të gjithëve për të ofruar ndihmën dhe mbështetjen tonë për të ndihmuar këto vende, përfshirë Shqipërinë, të ecin përpara. Ky proces nuk lehtësohet me retorika nacionaliste të panevojshme e shpërqendruese. E kemi parë se ku mund të çojë kjo. Është destabilizuese dhe nuk mirëpritet nga të tjerët në rajon. Folëm më parë për rëndësinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Në Kosovë, nuk janë të lumtur për retorikën nacionaliste që vjen nga pjesët e tjera të rajonit, prandaj na duhet të përdorim të njëjtin mesazh për të gjithë. Dhe ky është mesazhi im këtu në Tiranë, ashtu siç ka qenë mesazhi i ambasadorit Arvizu në fjalimet e tij, në intervistat e tij, në komentet e tij.

Top Story: Z. Ambasador, më parë u shprehët dhe thatë se retorika nacionaliste e papërgjegjshme dhe e panevojshme e shpërqendron Shqipërinë nga vëmendja që duhet të ketë në demokratizimin, institucionet dhe rrugën e saj drejt Europës. Integrimi në BE dhe mundësitë më të mira për qytetarët e saj. Duket sikur përmendët disa nga pikat e nxehta të një dokumenti të publikuar nga ky stacion televiziv, ky program, një javë më parë, quajtur Pikat e Bisedimit për Preshevën – incidenti me monumentin në Preshevë ndodhi në pikun e negociatave Beograd-Prishtinë – u duk sikur përsëritët atë dokument fjalë për fjalë.

ZNS Riker: Shikoni, gazetarët dhe të tjerë i pëlqejnë shumë këto drama, veçanërisht në Ballkan, dramat me intrigë. Unë nuk i diskutoj bashkëbisedimet tona private diplomatike. Asnjëherë nuk e bëjmë këtë. Por në fakt, ajo që themi publikisht reflekton shumë politikat dhe pikëpamjet tona. Ajo që dëgjuat të thosha sonte, ajo që ka thënë ambasadori Arvizu, është pikëpamja që kemi dhe se kjo lloj retorike nacionaliste shpërqendruese nuk është e mirëpritur. Na shqetëson ne, shqetëson miqtë tanë europianë, dhe për këdo duhet të jetë shqetësuese. Le të mos shpërqendrohemi nga puna që kemi në dorë, e kjo punë është të ndjekim reformat, të ndjekim kohët më të mira ekonomike që na presin përpara; të gjithë kemi vuajtur nga rënia ekonomike globale, dhe në bashkëpunim të gjithë duhet të punojmë për të bërë përpara. Pra, ky është mesazhi që kam unë. Do të flasim çiltërsisht kur bisedojmë privatisht dhe këtë meriton miqësia jonë, sepse Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie të fortë e të gjatë. Jemi aleatë në NATO, e cila është lidhje e shenjtë, dhe duhet të jemi në gjendje të flasim me njëri-tjetrin në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe qartë në lidhje me çështje që na shqetësojnë. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, por ajo që duam të shikojmë është të ecim përpara në programin që Shqipëria ka shprehur qartë si përparësi të saj, e si rrjedhojë është edhe për ne një përparësi, dhe ky program është integrimi europian, partnerizimi me anëtarësinë tuaj në NATO, e arritja e Shqipërisë në një vend ku 25 vjet më parë do të thosha askush nuk e priste të ishte. Keni bërë shumë përmirësim duke punuar së bashku, duke kapërcyer ndarjet e njëanëshme; mund ta bëni këtë. BE-ja ju ka përcaktuar qëllimet që duhen përmbushur dhe të gjithë jemi këtu për t’ju ndihmuar në këtë proces.

Top Story: Ambasadori Riker, një prej gjërave që sekretarja Klinton e tha fuqishëm dhe e cilësoi si pikën kryesore në lutjen e saj në parlamentin shqiptar për të ardhmen e Shqipërisë ishte kryerja e zgjedhjeve të lira e të ndershme. A pasqyron kjo shqetësim nga SHBA-ja dhe Departamenti i Shtetit për sa i përket zgjedhjeve të ardhshme në 23 qershor?

ZNS Riker: Absolutisht që kemi shqetësime. Këto zgjedhje kanë rëndësi vitale për Brukselin dhe për Uashingtonin sepse ato do të përcaktojnë tonin për fazën tjetër të së ardhmes së Shqipërisë – 100 vitet e ardhshme – por atë që është më e rëndësishme në vitet e ardhshme ndërsa ju vazhdoni rrugën drejt Europës. Prandaj, do ta shikojmë këtë nga afër. Shqipëria vetëm dy dekada më parë bëri një kalim të madh nga periudha e komunizmit dhe kemi parë probleme me zgjedhjet në të kaluarën, e si miqtë tuaj duam të punojmë me ju t’ju ndihmojmë të siguroni se mund t’i bëni tërësisht të suksesshme këto zgjedhje. Kemi besim te të gjitha partitë, të gjithë politikanët në Shqipëri që të mund të realizojnë zgjedhje të lira, të ndershme, dhe që do të shikohen si të tilla nga ta gjitha partitë. Jemi shumë të gëzuar që mund të ndihmojmë në mbështetjen e zgjedhjeve duke krijuar kapacitete, duke punuar me KQZ-në, duke monitoruar zgjedhjet; po japim një ndihmë të konsiderueshme, mbi një milion dollarë për të ndërtuar këto kapacitete. Jam i bindur se duke punuar së bashku këto zgjedhje mund të jenë të suksesshme dhe mund të shikohen si të tilla edhe nga Brukseli, nga Uashingtoni, por më e rëndësishmja që të mund të jenë po aq të suksesshme për qytetarët shqiptarë, sepse ata janë të rëndësishëm dhe këto zgjedhje janë për ata. Siç e tha edhe Sekretarja Klinton, kushdo që të fitojë në këto zgjedhje, nëse janë të lira e të ndershme, ata do të mund të vazhdojnë të punojnë së bashku ashtu siç bëri ajo me presidentin, edhe pas një luftë të ashpër në zgjedhjet paraprake të partisë demokratike mbi katër vjet më parë. Ajo shërbeu në administratën e tij si sekretare shteti për shkak të dashurisë për vendin e saj. Ajo e kuptoi se për atë dhe për presidentin, edhe pas një beteje të fortë politike, ishte e mundur të punonin së bashku për të bërë vendin të ecte përpara. Dhe pas katër vitesh, ajo është larguar e në vendin e saj ka ardhur sekretari Kerri me të njëjtin përkushtim ndaj vendit tonë, për të punuar përgjatë kësaj rruge në kongres siç u shpreh edhe sekretari këtë javë, për të siguruar se po ndjekim atë që është në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve tanë. E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë dhe për çdo vend tjetër në këtë rajon e në mbarë Europën, të punojmë së bashku për t’u përballur me sfidat e shekullit të 21të.

Top Story: Përpara së të bëjmë një ndërprerje publicitare, edhe diçka tjetër ambasadori Riker. Një vend anëtar i NATO-s, por me probleme në zgjedhje. A është kjo kontradiktë që duhet ta zgjidhim ne shqiptarët?

ZNS Riker: Jemi shumë krenarë që Shqipëria është aleate në NATO. E mbaj mend shumë mirë – në vitin 2009 jetoja këtu në rajon kur Shqipëria erdhi formalisht në tryezë për t’u ulur me SHBA-në dhe gjithë aleatët e tjerë në Këshillin e Atlantikut të Veriut në Bruksel. Ishte arritje e madhe. Bëmë shumë, por çka është më e rëndësishme, Shqipëria bëri shumë për ta arritur këtë. Prandaj e dimë se ato reforma – e dimë se proceset e vështira – mund të përmbushen kur punohet së bashku. Prandaj mendoj se nëse ktheni vështrimin mbrapa në pranimin në NATO dhe në faktin se sa ditë e rëndësishme ishte ajo në historinë e Shqipërisë, të gjithë do të jeni krenarë për këtë, dhe në të vërtetë, ju mund të punoni së bashku. Kaq gjë nevojitet për të pasur zgjedhje të suksesshme gjithashtu. Në zgjedhjet në SHBA, kemi pasur edhe ne vështirësi në të shkuarën, por punojmë së bashkur për t’i përmirësuar gjërat në të ardhmen dhe këtë gjë duam të shikojmë në qershor. I kemi shprehur shqetësimet që kemi, jemi këtu me ju si miqtë tuaj, si aleatët tuaj, bashkë me shumë partnerë të tjerë, për të punuar dhe siguruar se këto zgjedhje do të jenë siç i meriton Shqipëria, siç i meritojnë qytetarët e Shqipërisë.

Top Story: Qëndroni me ne pas shkëputjes publicitare për pyetjet e fundit drejtuar Zëvendës Ndihmës Sekretarit të SHBA Filip Riker. Do të kthehemi pas pak. Ambasadori Riker në fakt, vini në Shqipëri pas vendimit nga Gjykata e Rrethit Tiranë në lidhje me ngjarjet e 21 janarit, së paku një pjesë e hetimit që shqyrtonte personat e akuzuar për vrasjen e katër qytetarëve. Pamë një reagim të fortë nga ambasada amerikane, reagime të forta kundër këtij vendimi, në fillim nga gjykata e më pas nga mbështetja e Ministrisë së Drejtësisë. Si e shikon SHBA-ja këtë vendim të Gjykatës së Tiranës në lidhje me ngjarjet e 21 janarit dhe shpalljen si të pafajshëm të personave të akuzuar për vrasjen e katër demonstruesve?

ZNS Riker: Mendoj se deklarata jonë, deklarata nga Ambasadori Arvizu dhe ambasada, flet vetë. Ishte deklaratë e bashkërenduar mirë me Uashingtonin. Ne flasim me një zë. Ambasadori Arvizu është përfaqësuesi i vetë Presidentit Obama. Ai punon ngushtë me mua dhe skuadrën e Sekretarit Kerri në Uashington; na shqetësoi vendimi e shprehëm pikëpamjet tona në lidhje me këtë. Mendoj se duhet të tërhiqeni pak dhe të mendoni për atë që ndodhi në 21 janar, 2011. Çfarë tragjedie ishte ajo në shumë aspekte! Asgjë nuk i kthen mbrapsht jetët e katër burrave të vrarë atë ditë; policët apo shikuesit e pafajshëm që u lënduan; familjet jetët e të cilave u ndryshuan përgjithmonë. Por, ajo që mendoj se duan të shikojnë njerëzit është llogaridhënia, dhe Shtetet e Bashkuara me kënaqësi ofruan ndihmën e tyre kur u kërkua nga Shqipëria, kur prokurorja e përgjithshme kërkoi ndihmë teknike nga Shtetet e Bashkuara, nga FBI-ja dhe e dhamë këtë ndihmë. Për shkak të kësaj, kemi paanshmërinë në shikimin e llogaridhënies dhe drejtësisë në këtë rast. Sigurisht, kjo nuk është çështje amerikane, është çështje shqiptare; gjithmonë do të mbetet çështje shqiptare. Por përfshirja jonë vjen nga kërkesa e drejtpërdrejtë dhe e specifikuar e prokurores së përgjithsme në atë kohë ndaj SHBA-së për të dhënë ndihmë. Dhe e bëmë këtë; ishte kënaqësi që të mund ta bënim, sepse jemi miq dhe aleatë me Shqipërinë. Nuk është çështje politike kjo, dhe mendoj siç ndodh shpesh jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë rajonin, dhe kudo tjetër në fakt, ka një prirje për t’i politizuar çështjet dhe për t’i bërë ato të duken si të njërës palë apo tjetrës. Kjo nuk ka të bëjë me një parti të caktuar; nuk duhet përdorur si top politik në këtë sezon zgjedhjesh. Ajo që shpresojmë të shikojmë, siç është thënë edhe në deklaratat tona, është llogaridhënia për veprimet, kryerja e një procesi sipas shtetit ligjor që do të sjellë llogaridhënie dhe përdorim provash, informacioni i qartë teknik që u dha nga FBI-ja. Shpresojmë ta sjellim këtë llogaridhënie.

Top Story: Në fakt, shumë thonë, deklarata juaj e thotë, dhe ju po e thoni se nuk po ecet në këtë drejtim…

ZNS Riker: Mendoj se keni parë që është apeluar çështja dhe duhet të shikojmë si do të ecë procesi. Do të vazhdojmë të shprehim pikëpamjet tona bazuar në paanshmërinë dhe angazhimin që kemi pasur në këtë çështje, por është më e rëndësishme që populli shqiptar të shprehë pikëpamjet e tij dhe shpresojmë se ata do ta ndjejnë llogaridhënien, do të ndjejnë se drejtësia do të shkojë në vend, e kështu mund të vazhdojnë jetën.

Top Story: Z. Riker, gjatë gjithe kësaj interviste në mënyrë të vazhdueshme keni theksuar edhe pa ju pyetur unë, edhe pse mua më pëlqen t’ju pyes, për faktin se ju dhe Uashingtoni flisni me një zë. Gjithashtu në Tiranë, nëpërmjet përfaqësuesit tuaj të drejtpërdrejtë, Z. Arvizu. Në fakt, ka pasur raste në të shkuarën. Sa herë ka pasur një pozicion të fortë të SHBA-së është thënë se ka qenë pozicion personal i ambasadorit të kohës, qoftë ky Uidhers apo Arvizu. Kam përshtypjen se një pjesë e opinionit publik po e ngre këtë pyetje sërish: a ka qëndrime personale të ambasadorit Arvizu në lidhje me zhvillimet në Shqipëri?

ZNS Riker: Siç e thashë dhe më parë, ambasadori Arvizu është përfaqësuesi i vetë Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai u konfirmua dhe u vu në provë nga senati i Shteteve të Bashkuara. Ai shërben këtu dhe ne jemi shumë krenarë që ambasadori Arvizu është këtu. Jam krenar që e kam koleg në shërbimin e jashtëm të Shteteve të Bashkuara, dhe punojmë shumë ngushtë së bashku. Jetojmë në botën e komunikimit të menjëhershëm; nuk është nevoja të presim anijet të kalojnë oqeanin Atlantik. Ambasadori Arvizu dhe unë mbajmë lidhje me telefon, postë elektronike, në baza thuajse të menjëherëshme në çfarëdo kohe. Pra, jemi shumë krenarë për ambasadorin Arvizu dhe skuadrën e tij – skuadra e diplomatëve të shkëlqyer si edhe punonjësve vendas të cilët kontribuojnë në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Kemi një ambasadë të shkëlqyer këtu. Shqipëria ka një ambasadë të shkëlqyer në Uashington; punojmë nga afër së bashku. Politika bëhet nga presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe nga sekretari i shtetit e dekretohet, dhe lidhjet tona diplomatike bëhen nga ambasadorët në të dyja anët e Atlantikut. Mendoj se këtë gjë do të vazhdojmë ta bëjmë. Kur kemi ndryshime në pikëpamje, do t’i shprehim ato, do t’i shprehim publikisht, do t’i shprehim privatisht – kjo është diplomacia, kjo është marrëdhënia jonë, këto janë aleancat. Mendoj se mund të vazhdojmë të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë, për të gjithë qytetarët dhe për këtë rajon në Europën Jugore-Qendrore, një pjesë e Europës së plotë dhe të lirë, demokratike, në paqe dhe tejet e begatë.

Top Story: Ambasadori Riker, qeveria shqiptare ka kërkuar gjithashtu publikisht dhe ka paguar grupe lobimi të fuqishme – si Grupi Podesta apo Patton Boggs – për ndihmë nga Uashingtoni. Për shembull, pagesa e fundit ishtë prej 800 000 dollarësh amerikanë; zyrtarisht kjo është bërë për të lobuar në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë. Megjithatë, ka shumë dilema në lidhje me rolin që luajnë në të vërtetë këto grupe lobimi. A mbështesin ato interesat e Shqipërisë apo ato të qeverisë së Shqipërisë?

ZNS Riker: Nuk mund të komentoj në lidhje me ndërveprimet private. Ato grupe lobimi, ato organizata janë kompani private dhe do të më duhej t’ju dërgoja të merrni përgjigje te ata apo te qeveria shqiptare në lidhje me marrëdhëniet e tyre. Siç e thashë vetëm një çast më parë, politika bëhet dhe zbatohet nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Sekretari i Shtetit, Departamenti i Shtetit, kjo është puna në emër të Sekretarit të Shtetit të ndërlidhë politikën tonë me Shqipërinë dhe pjesën tjetër të rajonit. Ambasada jonë këtu, siç e thashë, ka marrëdhënie të shkëlqyera me qeverinë e Shqipërisë, por edhe me spektrin politik. Këtë gjë bëjnë ambasadat dhe ambasadorët, dhe do të thosha gjithashtu se Shqipëria ka një ambasadë dhe ambasador shumë të mirë në Uashington. E takoj ambasadorin Galanxhi rregullisht për të shkëmbyer ide dhe mendime, për të shprehur të njëjtat pikëpamje që shprehim publikisht dhe privatisht në angazhimet tona këtu. Ambasada është pika parësore e kontaktit për politikat dhe angazhimet zyrtare të qeverisë së Amerikës. Nëse të tjerët mund të luajnë një rol duke ndihmuar të shpjegojnë se si funskionon Uashingtoni – është vend i ndërlikuar Uashingtoni – ka shumë lojtarë të sektorit privat që punojnë me qeveritë dhe me individët për t’i ndihmuar ata në këtë aspekt. Le të mos ketë gabime në lidhje me faktin se është ambasada, e ambasadori, ajo që flet për qeverinë dhe politikat e Shteteve të Bashkuara.

Top Story: Prandaj pati edhe një pyetje – ka njëfarë përshtypjeje se këto grupe lobimi shkojnë përtej ose kapërcejnë rolet respektive të ambasadave në Tiranë dhe Uashington. Por ju po na thoni që nuk ndodh kjo gjë.

ZNS Riker: Mendoj se duhet të krijoni përshtypjet tuaja, por gjithashtu mendoj se duhet të tërhiqeni pak dhe të kuptoni se politika e jashtme vendoset nga Presidenti, Sekretari i Shtetit, skuadrat tona në Departamentin e Shtetit dhe në gjithë interagjencitë e Uashingtonit. Punojmë drejtpërdrejt me ambasadën tonë dhe kemi kontakte me qeverinë e Shqipërisë këtu, ashtu si edhe qeveria e Shqipërisë ka një ambasadë në Uashington e cila punon me ne. Dhe ky është kontakti kryesor, atje drejtohemi për të marrë deklarata të qarta të politikës dhe qëndrimeve të SHBA-së. Kështu do të vazhdojmë të punojmë dhe mendoj se kjo thekson atë një marrëdhënie shumë pozitive mes SHBA-së dhe Shqipërisë.

Top Story: Z. Zëvendës Ndihmës Sekretar, do të doja ta mbyllja me një pyetje përsëri mbi nacionalizmin, duke qenë se keni përvojë të gjatë këtu. Keni qenë ambasador në Maqedoni dhe rajoni nuk duket të jetë duke kaluar kohë të mira, duke pasur parasysh retorikën nacionaliste të shtuar e të ashpër në Greqi me Agimin e Artë; situatë e rënduar në Maqedoni për shkak të luftërave të ashpra politike. Dy ditë më parë Kryeministri Gruevski akuzoi drejtuesin e opozitës Cervenkovski se ky i fundit punonte për Greqinë; kemi një situatë të caktuar në Shqipëri me retorikë të shtuar nacionaliste dhe patriotike; negociata të vështira mes Kosovës dhe Serbisë, incidentet në Preshevë. Çfarë po ndodh në të vërtetë, cili duhet të jetë roli i palës shqiptare, me përmasa të reja falë mbështetjes amerikane në dhjetëvjeçarin e fundit, për të stabilizuar rajonin?

ZNS Riker: Ne përmendëm në bashkëbisedimin tonë më herët se jemi në njëqindvjeçarin e Luftës së Dytë Ballkanike, e cila përfundoi në vitin 1913. Mendoni sa larg kemi shkuar që nga ajo kohë në këtë rajon, me mbështetjen amerikane, ashtu siç kemi mbështetur Shqipërinë të bëhet anëtare e NATO-s, siç mbështetëm ambicien e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE-së. Është vërtet për t’u menduar. Njëqind vjet më parë, kur Luftërat e Ballkanit kishin gllabëruar rajonin, kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore në këtë rajon, popujt e rajonit kishin shumë pak dorë në atë që po ndodhte këtu. Tani, në vitin 2013 ndërsa punojmë për të shkuar në vitin 2014, janë vendet e këtij rajoni – secili prej tyre një demokraci tashmë, secili prej tyre me qytetarë të aftë të shprehin pikëpamjet e tyre, të zgjedhin udhëheqësit e tyre për të punuar në emrin e tyre për një të ardhme më të mirë. Këtë shikojmë. Nuk është rrugë e lehtë. Demokracia mund të jetë sfiduese, por duhet t’u përmbahemi parimeve thelbësore, dhe këtë inkurajojnë Shtetet e Bashkuara ndërsa theksojmë pavarësinë e Kosovës, integritetin e saj territorial dhe të ardhmen e fortë europiane. Ndërsa i qëndrojmë pranë Maqedonisë dhe të ardhmes së saj dhe integrimit të saj Euro-Atlantik. Ndërsa mbështesin Serbinë dhe dëshirën e saj për të ecur përpara dhe zgjedhur një datë për të filluar procesin e pranimit në BE. Pra, secili prej vendeve në rajon përballet me sfida që vijnë nga ekonomia deri te çështjet globale me të cilat përballemi të gjithë – ngrohja globale, kërcënimi i terrorizmit – gjëra që duhet të bëjmë për të punuar së bashku për t’i luftuar ato. Bota është e ndërlikuar, por besojmë se mbështetja jo vetëm e demokracisë dhe institucioneve të demokracisë, por mbështetja e procesit Euro-Atlantik dhe integrimit të të gjitha vendeve të këtij rajoni në institucionet ku qëndron e ardhmja më e mirë për secilin prej këtyre vendeve. Dhe këto vende mund ta lënë mënjanë nacionalizmin e panevojshëm dhe retorikën nacionaliste, mund të jenë krenarë për vendin e tyre dhe ato që ai arrin, dhe krenarë për marrëdhëniet e mira fqinjërore që mund të ndjekin në rajon nëpërmjet institucioneve si BE-ja, nëpërmjet aleancava si NATO. Kjo gjë do të na sjellë, në 100 vitet e ardhshme – të ardhmen më të begatë, më të qëndrueshme dhe më paqësore.

Top Story: Z. Filip Riker falemnderit që ishit sonte me ne në Top Story.

ZNS Riker: Falemnderit që më ftuat.

###