Tekst i Intervistës së Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit Philip Reeker, Byroja për Çështjet Europiane dhe të Euroazisë

me Aristir Lumezi të Gazetës Panorama

Panorama:  Diçka rreth takimit që keni pasur me Ministrin e Jashtëm, çfarë është biseduar, cilat ishin temat kryesore?

ZNS Reeker: Është gjithmonë një mundësi për të folur me kolegun tim Ministër Panariti, të cilin e njoh qëkur mori detyrën për të shqyrtuar disa prej tematikave të njëjta që Ambasadori Arvizu ka diskutuar me të, duke nënvizuar marrëdhëniet e forta dypalëshe Sh.B.A. – Shqipëri, lidhjet e thella të miqësisë dhe partneritetit, dhe përtej kësaj si aleatë të NATO-s ne kemi një lidhje të shenjtë.  I përshkrova Ministrit Panariti diçka për tranzicionin në Departamentin e Shtetit nën Sekretarin Kerri, që prej ardhjes së tij, vazhdimësinë e politikave të Shteteve të Bashkuara dhe mundësinë si miq kaq të ngushtë për të shkëmbyer një diskutim të çiltër të disa prej çështjeve aktuale, e si anëtarë të NATO-s shpresojmë të shohim që Shqipëria të vazhdojë në shtegun tjetër të integrimit Euro-Atlantik, që është statusi kandidat për në BE dhe si përfundim anëtarësimin.  Diskutuam pak rreth rajonit, bashkëndamë pikëpamje, dhe rëndësinë që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje ta mira në qershor, në mënyrë që Shqipëria të mund të vazhdojë të jetë një forcë për stabilitetin në rajonin.

Panorama: A keni folur për memon e Departamentit të Shtetit Amerikan, një memo për nacionalizmat në Shqipëri që është diskutuar shumë në politikën shqiptare?

ZNS Reeker: Sikurse e di nga e gjithë koha që kam kaluar në Ballkan është që ju nuk doni asgjë më shumë se dramat. Dhe sikurse e thashë mbrëmë në intervistën televizive ne nuk i diskutojmë bisedat tona private diplomatike. Pikëpamjet tona mbi nacionalizmin janë shumë të qarta. Përgjatë historisë kemi parë, dhe e njëjta mbetet edhe sot, që nacionalizmi dhe reteorika nacionaliste është një qorrsokak. Nacionalizmi mund të jetë i rrezikshëm, dhe në 1990-ën kemi parë në vetë këtë rajon se sa destabilizuese mund të jetë kjo.  Ndaj do të vazhdojmë të shprehim shqetësim kur të shohim reteorikë nacionaliste nga cilido, dhe do të nxisim të gjithë udhëheqësit politikë shqiptarë nga i gjithë spektri politik që të luajnë një rol pozitiv, dhe kjo nis duke u përqendruar në çështjet e shtëpisë, çështje që kanë rëndësi për qytetarët e Shqipërisë.  Nacionalizmi është një forcë që sheh prapa, dhe ne duam të inkurajojmë të parit përpara.

Panorama: Z. Reeker, në Shqipëri është folur që ju keni bërë lobim për blerjen e kompanisë Albpetrol për një kompani amerikane, Vetro Energy. A është e vërtetë se ju keni bërë lobim për këtë kompani?

ZNS Reeker: Nuk është e vërtetë.  Ballkani prodhon më shumë thashetheme se sa mund të konsumojë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka pasur absolutisht asnjë rol apo nuk ka qenë e përfshirë në tenderin e Alpetrolit.

Panorama: Qeveria shqiptare e anulloi një parakontratë me kompaninë Vetro Energy, duke u lidhur, duke parë negociata me një kompani kineze. Si e vlerësoni këtë veprim? Preken interesat e një kompanie amerikane.

ZNS Reeker:  Sikurse e thashë, Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk është e përfshirë në Alpetrol.

Panorama: Ndoshta është një pyetje që i rikthehemi përsëri. Dy vjet më parë, Z. Arvizu është shprehur për Z. Berisha me termin “burrë shteti” kur kishte parasysh një protestë të dytë që bëhej, që opozita përgatiste më 28 janar pas 21 janarit. Por politika shqiptare e konsideroi këtë përcaktim të Z. Arvizu si qëndrim personal. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, a shpreh qëndrim personale sipas jush?

ZNS Reeker: Sikurse e bëra shumë të qartë mbrëmë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara është përfaqësuesi personal i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është habitëse për mua se si analistë dhe media shpenzojnë kaq shumë kohë për të spekuluar mbi ngjarjeve të së shkuarës. Mendoj që ajo që duhet bërë është të përqendrohemi tek e ardhmja. Sekretarja Klinton ka qenë këtu më 1 nëntor dhe theksoi miqësinë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, theksoi se si qëndrojmë përkrah dhe me Shqipërinë, që shpresën tonë që qytetarët e Shqipërisë të gëzojnë të njëjtat vlera dhe përparim që ne e konsiderojmë si të rëndësishëm: zhvillim ekonomik, kujdes shëndetësor, punësim, arsimim.  Kemi parë kaq shumë përparim të bërë në Shqipëri gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Nëse mendoni për njëqind vjetorin që Shqipëria sapo festoi nëntorin e shkuar, le të flasim tani për atë që duam të shikojmë në një qind vitet e ardhshëm, për njëzetë vitet e ardhshëm, madje gjatë vitit të ardhshëm.  Njerëzit duan të shohim rrugë dhe infrastrukturë, dhe ne kemi parë një autradë të jashtëzakonshme që përshkrova herën e kaluar nga Tirana deri në Kosovë. E kemi parë Shqipërinë tek është bërë anëtare me të drejta të plota në NATO gjatë viteve të fundit, dhe sikurse e thashë duam ta shikojmë Shqipërinë si kandidate në BE dhe anëtare të Bashkimit Europian.  Shqipëria u bë pjesë e regjimit të liberalizimit të vizave me BE, dhe duam të shohim më shumë mundësi për Shqipërinë që të përdorë këto lidhje dhe këto hallka për të pasur mundësi më të mira. Kjo është ajo që Ambasadori Arvizu,  ekipi i tij, dhe ambasada jonë gjenden këtu për ta mbështetur, integrim Euro-Atlantik, zhvillim ekonomik, forcim të institucioneve demoraktike përfshirë institucionet e përfshira në zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme, pozitive, në qershor. Dhe sikurse e theksoi dhe Sekretarja Klinton në nëntor, që pas këtyre zgjedhjeve fituesit dhe ata që nuk fituan të vazhdojnë të punojnë së bashku në emër të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Ky është mesazhi që ajo vetë e përcolli ndërsa punoi kaq ngushtësisht me Presidentin Obama, dhe Sekretari Kerri përfaqëson vijimësinë e politikave tona jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Panorama: Duke qëndruar tek miqësia shumë e ngushtë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, e veçantë krahasuar me shumë shtete të tjera në Europë dhe në Ballkan, mund të kemi shpejt një liberalizim vizash Shqipëri – Sh.B.A., në një kohë që shqiptarët e kanë respektuar shumë mirë protokollin Schengen?

ZNS Reeker: Kjo përbën një çështje të ligjeve në Shtetet e Bashkuara, është një çështje që qëndron shumë me Kongresin tonë, degën legjislative të pushtetit, dhe mënyra më e rëndësishme për të punuar drejt atij synimi është të përqendrohemi te zhvillimi ekonomik dhe në të njëjtat reforma të përfshira në kandidimin tuaj për në Bashkimin Europian.

Panorama: Përfaqësues të tjerë ndërkombëtare siç jeni dhe ju, kur vijnë në Tiranë kanë konstatuar që kryetari i opozitës, z. Rama, është i vështirë në negociime, për të arritur disa kompromise apo konsensuse. Cili është opinioni juaj?

ZNS Reeker: Kompromisi është një koncept i rëndësishëm. Është një fjalë që fatkeqësisht nuk duket të shfaqet në fjalorët ballkanikë. Për të ecur përpara në shekullin 21-të, për të qenë konkurrues jo vetëm në politikë por në ekonomi, në tërheqjen e investimeve, në arritjen e synimeve që qytearët shqiptarë kanë për vete dhe për brezat e ardhshëm, ata duhet të mësojnë të bëjnë kompromise, dhe kjo nis me udhëheqësit dhe politikanët.

Panorama: Në Shqipëri ekziston ideja se zgjedhjet parlamentare i fiton ajo forcë politike që ka një mbështetje të dukshme apo dhe të padukshme të Ambasadës dhe Shteteve të Bashkuara. Si vend i NATO-s kjo mbështetje mund të bëhet edhe më e hapur ndoshta tani. Cilën nga forcat mbështesni dhe duket që është më afër, më e përshtatshme për pushtetin?

ZNS Reeker:  Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin asnjë forcë politike apo parti politike.  Por ne mbështesim demokracinë, vlerat e demokracisë dhe të institucioneve demokratike, mbështesim një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët shqiptarë, dhe ajo që ne besojmë se qytetarët e Shqipërisë e meritojnë janë zgjedhje të cilat janë pasqyruese të një vendi anëtar të NATO-s, që pasqyrojnë një kulturë demokratike. Dhe kështu kemi treguar që mbështetja jonë është për Shqipërinë, për vendin, dhe besojmë se të gjithë politikanët, të gjithë udhëheqësit, duhet të vendosin të mirën e vendit, të mirën dhe intersin e qytetarëve të tyre si përparësin e tyre të parë.

Panorama: Z. Fyle, Komisioneri për Zgjerimin Europian, gjatë një takimi që ka pasur në Tiranë me Ambasadorët e BE-së, është shprehur në një takim konfidencial se do të kërkojë edhe një monitorim për zgjedhjet e 23 qershorit edhe nga NATO, si organizim jo vetëm ushtarak, por edhe politik. A mundet të kemi një monitorim nga NATO-ja, por edhe BE-ja, një monitorim politik?

ZNS Reeker: Unë nuk kam dëgjuar kurrë që NATO monitoron  zgjedhjet.  Takohem shpesh me Komisionerin Fyle, dhe të gjithë bashkëndajmë shpresën, sikurse e thashë, që Shqipëria do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, që pasqyrojnë ato të denja për një vend anëtar të NATO-s, të një vendi që është në shtegun e Bashkimit Europian, drejt anëtarësimit për në BE.  Së bashku me partnerët tanë europianë kemi bërë shumë në mbështetje të institucioneve demokratike, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që të forcojmë kapacitetet për mundësinë e të zhvilluarit e zgjedhjeve më të mira të mundshme dhe do të marrim pjesë me të tjerë në bashkësinë ndërkombëtare për vëzhgimin e zgjedhjeve, sikurse është standard në mbanë botën.

Panorama: Një pyetje të fundit.  Si e vlerësoni koalicionin qeveritar, qeverinë aktuale. A mendoni se ajo mund të marrë një mandate të tretë apo brenda logjikës amerikane një mandat i tretë është i tepërt?

ZNS Reeker: Këtu po përpiqeni që të fusni Ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe të politikave të Sh.B.A.-së në zgjedhjet tuaja. Është një përpjekje e mirë, por nuk do të lejojmë që Shtetet e Bashkuara të jenë pjesë e një futbolli politik.  I kam bërë të qarta në bisedat e mia synimet tona për Shqipërinë. Dhe nuk mbështesim asnjë parti politike, ne mbështesim Shqipërinë.  Në të njëjtën venë mbështesim Kosovën.  Kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme gjatë shumë viteve për të mbështetur Kosovën dhe jemi shumë të përfshirë në këto përpjekje edhe tani, në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, tani pesë vjeç, integritetin territorial të Kosovës dhe sovranitetin e saj. Dhe kjo është arsyeja se përse duam të sigurohemi që reteorika në rajon të mos komplikojë ose rrezikojë përparimin që ka bërë Kosova.  Mendoj që Shqipëria dhe gjithë qytetarët e saj duhet të përqendrohen në Shqipëri, të pasurit e zgjedhjeve të mira, të menduarit e të ardhmes që dëshironi të keni, dhe do të vazhdojmë të mbështesim jo vetëm Shqipërinë, por të gjitha vendet e rajonit në shtegun që e kemi përshkruar gjatë.

Panorama: Faleminderit shumë!

ZNS Reeker: Ju faleminderit!