Tekst i Intervistës së Krye Zv. Ndihmës Sekretares së Shtetit Elisabeth Millard

Klodiana Lala: Zonja Millard, është kënaqësi t’ju kem në këtë intervistë. Kjo është vizita juaj e parë në Shqipëri. Cilat janë çështjet më problematike që Departamenti i Shtetit i sheh si më shqetësueset për Shqipërinë?

Krye Zv. Ndihmës Sekretarja e Shtetit Millard: Klodiana, shumë faleminderit që po më intervistoni sot. Është shumë kënaqësi… Ashtu siç thoni edhe ju, është vizita ime e parë në Shqipëri dhe jam e nderuar që jam këtu, në këtë vend të bukur. Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë partnerë të ngushtë dhe ne punojmë së bashku në shumë gjëra. Si të tillë, unë pata diskutime të mira mbi prioritetet mbi të cilat ne punojmë së bashku. Ne kemi parë Shqipërinë të përparojë në shumë fusha dhe kemi parë fusha tek të cilat vazhdohet të punohet, dhe sigurisht pjesë e kësaj pune është të sigurohemi që reforma demokratike të vazhdojë, dhe sidomos reforma në drejtësi të vazhdojë, dhe unë e di që është bërë shumë punë dhe se ajo punë vazhdon.

Klodiana Lala: Raporte të Departamentit të Shtetit, por edhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare, e shohin Shqipërinë si një burim të madh të trafikimit të lëndëve narkotike, ndërkohë që ka edhe një perceptim të lartë të korrupsionit. A i ngritët këto çështje gjatë takimeve tuaja në Tiranë?

Krye Zv. Ndihmës Sekretarja e Shtetit Millard: Ju e dini që trafiku i drogës është një problem në shumë vende dhe diçka shumë shqetësuese. Sigurisht, shpesh ai lidhet me korrupsionin, gjë e cila e bën shumë të vështirë për t’u zgjidhur. Sigurisht, ky është një prioritet si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për Shqipërinë në punën tonë të përbashkët si partnerë dhe aleatë, dhe sigurisht që ka shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim, sidomos në dënimin e trafikantëve kryesorë dhe njerëzve që mundësojnë trafikun. Kjo është një punë vërtet shumë e rëndësishme dhe diçka në të cilën, nëse shihet përparim, do të jetë me përfitim për të gjithë shqiptarët.

Klodiana Lala: Departamenti i Shtetit ka qënë mbështetësi kryesor i reformës në drejtësi në Shqipëri. A mendoni se reforma, e cila po zbatohet, po jep rezultatet që priteshin, duke pasur parasysh që është kundërshtuar nga shumë palë?

Krye Zv. Ndihmës Sekretarja e Shtetit Millard: Kjo është një fushë shumë e rëndësishme. Ndonjëherë ne në Amerikë përdorim shprehjen “nëse do të ishte e lehtë, do të ishte bërë me kohë”, por ja ku jemi. Kjo është një fushë e rëndësishme për të punuar së bashku dhe mendoj se një nga gjërat që po presim janë rezultatet konkrete dhe e di që janë planifkuar disa institutcione në vend. Unë u informova për SPAK-un dhe BKH-në, që mendoj se do të jetë institucione kyçe, të cilat ndërsa do mund të bëjnë punën e tyre të rëndësishme, do të ndihmojnë që të shohim përparim thelbësor në këtë fushë të rëndësishme.

Klodiana Lala: Në mendimin tuaj, a është vetingu në politikë, një nismë e vënë mbi tavolinë nga opozita, e nevojshme në këtë kohë?

Krye Zv. Ndihmës Sekretarja e Shtetit Millard: Është gjithnjë mirë të shihet se çfarë mund të bëhet dhe mund të jetë një rol i rëndësishëm për opozitën dhe qeverinë që të punojnë për të parë se çfarë mund të bëhet tjetër, por mendoj se çelësi është ngritja dhe funksionimi i këtyre institucioneve të rëndësishme, mendoj se ky duhet të jetë fokusi në këtë moment.

Klodiana Lala: Dhe pyetja e fundit. Cili është pozicioni juaj në lidhje me disa diskutime të fundit mbi korrigjimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë? A i mbështesin Shtetet e Bashkuara ndryshimet e kufijve në Ballkan?

Krye Zv. Ndihmës Sekretarja e Shtetit Millard: Ne mendojmë se marrëdhënia midis Kosovës dhe Serbisë është duke u normalizuar; ajo marrëdhënie është thelbësore për të gjithë rajonin. Ju e keni dëgjuar së fundmi, mendoj, Këshilltarin tonë për Sigurinë Kombëtare, Ambasadorin Bolton teksa është shprehur për këtë çështje të rëndësishme dhe ajo është në të vërtetë politika jonë. Mendoj se në këtë moment, udhëheqësit e këtyre dy vendeve po tregojnë se kanë nismë, po tregojnë se kanë imagjinatë, prandaj le të shohim se çfarë do të arrijnë dhe ne do ta shqyrtojmë, por mendoj se ne kemi shpresë se kjo do të jetë diçka e mirë për të gjithë rajonin.

Klodiana Lala: Faleminderit. Ishte kënaqësi.

Krye Zv. Ndihmës Sekretarja e Shtetit Millard: Klodiana, shumë faleminderit. Ishte kënaqësi të isha me ju sot, në këtë vend të bukur.