Tekst i Intervistës së Ambasadores së SHBA Yuri Kim për “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, News 24 TV

Sokol Balla: Mirëmbrëma dhe mirësevini në Real Story. Një vit më parë, në Tiranë, në Presidencë, dorëzoi kredencialet saj të cilat sigurisht u pranuan, ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Znj. Yuri Kim. Ka qenë një vit i rëndësishëm viti 2020, një vit i rëndësishëm për Shqipërinë por edhe një vit i rendësishëm për vetë Shtetet e Bashkuara, dhe në këtë njëvjetor, unë kam kënaqësinë të kem Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Znj. Yuri Kim, të ftuar përsëri në Real Story, këtë radhë në studio. Zonja Kim, mirëmbrëma dhe faleminderit që jeni sonte këtu me mua. 

Ambasadorja Kim: Faleminderit, Sokol. Jam shumë e kënaqur që jam përsëri me ju. 

Sokol Balla: Është kënaqësi gjithnjë të flasësh me ju, jashtë kameras dhe në kamera. Saktësisht një vit sot në Tiranë. Ç’kuptim ka pasur ky vit për ju personalisht?

Ambasadorja Kim: Mendoj se ka qenë nderi i jetës sime që kam mundur të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë dhe për mua personalisht, ka qenë kënaqësi të jem këtu. Duhet të them që megjithë kufizimet e imponuara nga koronavirusi, prapë kam pasur mundësi të udhëtoj pak. Mendoj pjesa më e mirë ka qenë mundësia që të takoj shqiptarë të zakonshëm kudo ku kam shkuar, edhe duke ecur në park në Tiranë apo shëtitja pas zonave të banuara, ka qenë e mrekullueshme.  

Sokol Balla: Këtë vit ju desh të merreshit edhe me shqiptarë jo të zakonshëm, të paktën situate jo normale në Shqipëri; erdhët këtu kur kishim një krizë të thellë politike dhe në fakt, janarin e kaluar, diçka filloi të ndryshonte, me një lloj marrëveshjeje mes partive dhe pastaj erdhi marrëveshja e qershorit, ku roli juaj ishte i dukshëm. Mbaj mend që tundët marrëveshjen, duke i bërë thirrje Z. Luli Basha të vinte ta nënshkruante. Pra ka qenë vit i suksesshëm për ju, supozoj?

Ambasadorja Kim: Mendoj ka qenë një vit plot ngjarje për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe mendoj se jemi të kënaqur që mundëm të kishim një rol mbështetës por merita, nëse ka meritë, i shkon popullit dhe udhëheqësve shqiptarë. Mendoj se në shumë mënyra, prodhuan rezultate. Puna nuk ka mbaruar ende, por mendoj është shumë e qartë që udhëheqësit morën angazhime përpara meje, SHBA, popullit shqiptar, dhe prodhuan rezultate. Për shembull, vitin e kaluar Gjykata Kushtetuese nuk ishte funksionale, tani është funksionale. Nuk është ende e përsosur, por funksionale, një hap madhor prëpara për reformën në drejtësi. Së dyti, SPAK tani është funksional. Nuk po lëviz aq shpejt sa mendoj do shpresonin njerëzit, por po lëviz dhe mendoj është diçka e rëndësishme. Së treti, BKH është institucionalizuar, inspektorët janë marrë në punë dhe mendoj gjërat do fillojnë të lëvizin. Dhe nuk janë vetëm këto. Siç jua kam thënë, për mua, në Shqipëri kemi tri prioritete: demokraci, mbrojtje dhe biznes. Fola për pjesën e demokracisë. Për mbrojtjen, këtë vit do të kemi diçka me shumë rëndësi dhe jam e kënaqur t’ju flas pak më shumë për të. Është hera e parë që e përmend në publik, por do të kemi atë që e quajmë stërvitjen ushtarake Defender 21. Do të jetë një stërvitje e drejtuar nga Ushtria e SHBA në Europë dhe do të përfshijë rreth 26 vende të ndryshme, 30 mijë trupa. Do të jenë ndoshta 6 mijë trupa që do të kalojnë nëpër Shqipëri në maj dhe qershor dhe javën e ardhshme, Zv. Komandanti i Ushtrisë Amerikane për Europën dhe Afrikën do të jetë këtu për të informuar udhëheqësit e vendet dhe publikun se çfarë është kjo stërvitje. Pra, shumë domethënëse. Së treti, për biznesin, ju kujtohet vjet, më 3 tetor, nënshkruan një Memorandum historik dypalësh për Bashkëpunimin Ekonomik. Dhe nuk janë vetëm fjalë. Brenda një ore, aty në vend, Bechtel – një kompani kryesore amerikane në botë – nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Qeverinë Shqiptare për të parë se ç’mund të bëjmë për të ndërtuar hidrocentralin e Skavicës. Pra, kata janë tregues shumë të mirë dhe jam e emocionuar për çfarë do të bëjmë në vitin 2021. 

Sokol Balla: Pra, Amerika u kthye?

Ambasadorja Kim: Nuk do të thoja Amerika u kthye, gjithnjë kemi qenë këtu. 

Sokol Balla: Kjo stërvitje ushtarake, nga shifrat që thatë tani, duket mjaft e madhe apo jo? Ndoshta një nga më të mëdhatë? 

Ambasadorja Kim: Do të jetë stërvitja më e madhe ushtarake që do të zhvillohet në Ballkan. 

Sokol Balla: Në Ballkan?

Ambasadorja Kim: Po.

Sokol Balla: Pra, cili është mesazhi këtu?

Ambasadorja Kim: Mesazhi është që … 

Sokol Balla: … dhe pse në Shqipëri?

Ambasadorja Kim: Do të përfshihen 26 vende të ndryshme që do të dërgojnë trupa. Nuk e di nëse të gjitha do të kalojnë këtu, por 6 mijë do të jenë këtu. Ajo që do të ndodhë është që stërvitja do të zhvillohet në shumë vende të ndryshme, jo vetëm në Shqipëri. Edhe vendet e tjera të Ballkanit do të jenë pjesë e stërvitjes dhe deri në Balltik. Ideja e stërvitjes është të zhvillojë bashkëpunimin dhe ndëroperabilitetin mes aleatëve, që të kemi aftësinë të shkojmë nga Adriatiku deri në Detin e Zi. Pra, është diçka madhore.

Sokol Balla: Po, duket diçka madhore dhe një mur i madh. 

Ambasadorja Kim: Po…

Sokol Balla: Si një mur i madh ndaj influencës ruse. Kështu e shoh unë. 

Ambasadorja Kim: Ah, thatë mur i madh. Mendova se thatë ecje e madhe, se ashtu do të jetë.

Sokol Balla: Do të jetë një ecje e madhe dhe mur i madh. 

Ambasadorja Kim: Mendoj se SHBA, nëpërmjet NATO-s, gjithmonë ka qenë e qartë për rendësinë që ka puna e ngushtë me aleatët dhe miqtë tanë. Jemi të qartë se çfarë do të thotë të jesh pjesë e bashkësisë ndër-atlantike. 

Sokol Balla: Kjo duket se është organizuar shumë përpara se të ndërrohej administrata në Uashington, apo jo?

Ambasadorja Kim: Po, e saktë. 

Sokol Balla: Pra, ç’duhet të presim nga administrata e re? 

Ambasadorja Kim: Mendoj se disa gjëra nuk do të ndryshojnë, për shembull, vëmendja ndaj Ballkanit nuk do të ndryshojë. Mendoj se çdo administratë ka një karakter të ndryshëm dhe mendoj se do të duhet të shohim si do zhvillohen gjërat nën Presidentin Biden dhe, tani Sekretarin e Shtetit të konfirmuar Tony Blinken, por mund t’ju them kaq: ata janë me përvojë dhe mendoj se do të jenë shumë të aftë për të promovuar vlerat e Amerikës dhe për të bërë avokatin e interesave të Amerikës, çka qëllon të përfshijë një marrëdhënie të fortë me Shqipërinë.    

Sokol Balla: Në fakt, mendoj se kemi një foto tuajën me Presidentin Biden. E kemi foton e Znj. Kim me Z. Biden, besoj ishte Zv. President? Fotoja është nga koha kur ishte Zv. President, apo jo?

Ambasadorja Kim: Është nga koha kur ishte Zv. President dhe këtu po e informoja mbi çështje të brendshme politike. Ju betohem që po qeshte një minutë përpara dhe pas.

Sokol Balla: Sa për t’u siguruar …

Ambasadorja Kim: Po… 

Sokol Balla: Diçka që askush nuk e vë dot në dyshim është marrëdhënia juaj personale, profesionale me Sekretarin e ri të Shtetit, Z. Blinken. Ishit shefe e kabinetit të tij, po?

Ambasadorja Kim: Saktë. 

Sokol Balla: Na tregoni pak më shumë për të.

Ambasadorja Kim: Isha shefe e kabinetit të tij kur ishte Zv. Sekretar i Shtetit, nga 2015 në 2017. Është një nga njerëzit më inteligjentë dhe me të menduar strategjik që kam hasur ndonjëherë në shërbimin publik. Dhe ne që e njohim presim me kënaqësi ta shohim të kthehet në Departamentin e Shtetit dhe, si mike, nuk mund të isha më e lumtur. 

Sokol Balla: Si mike s’mund të ishit më e lumtur; si miku juaj, si mund ta ndikonte misionin tuaj në Shqipëri? 

Ambasadorja Kim: Nuk mendoj se është nga ata që tregon favorizim në bazë të marrëdhënieve personale. Do të shohë botën dhe mendoj se do të mbresoheni nga mënyra si zhvillon marrëdhënie me homologët e tij. Mendoj se do të mbresohemi me mënyrën se si SHBA do të bëjë përpjekje ekstra për të forcuar të gjitha aleancat dhe miqësitë tona kudo në botë. 

Sokol Balla: Zonja ambasadore, na keni dhënë shumë mësime historied he Amerika ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një pasqyrë ku shohim veten dhe përmirësojmë veten. Në këtë kuptim, çfarë mësimi mund të marrim nga çfarëdo përjetuat para, gjatë dhe pas 6 janarit?

Ambasadorja Kim: Mendoj se mësimet e përvojës së Amerikës gjatë javëve dhe muajve të fundit janë se demokracia nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë për askënd. Nuk është e lehtë në SHBA, nuk është e lehtë në Shqipëri apo kudo tjetër në botë. Ky është mësimi i parë. I dyti është që është me rëndësi dhe me vlerë dhe duhet të luftosh për të. Dhe e treta është që institucionet kanë rëndësi, udhëheqësia ka rëndësi ndaj, për mua, kur shoh Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jam krenare për faktin se ia dolëm ta kalonim këtë test shumë të vështirë dhe mendoj se e kaluam. Mendoj se ka ende punë për të bërë, por mendoj edhe që kur vende të tjera në botë, popuj të tjerë, kur shohin shembullin tonë, ajo që shohin nuk është se mund të kemi pasur një ngërç, por se e kapërcyem dhe se do të jemi më të fortë dhe do të nxjerrim mësime nga kjo. Dhe vërtet, si Ambasadore këtu në Shqipëri, këtë shpresoj edhe për Shqipërinë. 

Sokol Balla: Në fakt, sa do thoja të njëjtën gjë, sepse aksdentalisht u ndodha atje… 

Ambasadorja Kim: Po…

Sokol Balla: …dhe ajo që më bëri përshtypje është se si përfaqësuesit e popullit u bënë bashkë në vetëm dy a tre orë dhe përcollën mesazhin e fortë që përcollët edhe ju këtu. Që Amerika, kur vjen fjala tek…ka probleme, ka ngërçe, në momentin e duhur, kohën e duhur, vendin e duhur madje, dolën bashkë përsëri dhe ishte një apel emocional që Amerika na bëri neve, njerëzve që shohin tek Amerika për shpresë dhe, ndoshta për pak sekonda e humbëm atë shpresë, por pastaj gjithçka u kapërcye aq shpejt dhe aq mrekullueshëm. Ishte mrekulli spektakli politik që dhanë pas ngjarjeve. Dhe pyetja ime është: pse politikanët shqiptarë nuk e bëjnë dot këtë, kur vjen puna tek çastet e vështira, kur kemi çaste të vështira në këtë vend, pse nuk bëjnë të njëjtën gjë? 

Ambasadorja Kim: Mendoj se munden …

Sokol Balla: …E di që munden, por pse nuk e bëjnë?

Ambasadorja Kim: Duhet të pyesni ata. 

Sokol Balla: Mendoni se munden?

Ambasadorja Kim: Po.

Sokol Balla: Më herët, kur ju pyeta në fillim për vitin 2020 dhe gjithçka u arrit në marrëveshjet midis partive, më thatë se duhet t’i njohim meritën, ‘nëse ka të tillë,’ politikanëve shqiptarë. Pyetja ime është, a do ta kishin bërë pa ju? 

Ambasadorja Kim: Nuk medoj se është e dobishme të flasim për gjëra hipotetike. Ajo që mund të them është se pamë një rol të dobishëm dhe u përpoqëm ta luanim sa më mirë mundëm dhe në fund, udhëheqësit e Shqipërisë bënë gjënë e duhur për vendin. 

Sokol Balla: Duke u kthyer tek e njëjta çështje këtu, zgjedhjet. Pse po vizitoni kaq shpesh zyrën e Z. Celibashi, kreut të KQZ? 

Ambasadorja Kim: E kam vizituar vetëm një herë.

Sokol Balla: Por përcollët shumë mesazhe.

Ambasadorja Kim: Jo, e vizitova një herë. Ky është mesazhi për zgjedhjet e 25 prillit që po vijnë. Ka marrëveshje të bëra nga të gjitha partitë dhe është me rëndësi që ato marrëveshje të zbatohen. Shoh për shembull marrëveshjen e 5 qershorit. Dhe një pjesë e madhe e saj është zbatimi i identifikimit elektronik si mënyrë për të ulur mashtrimet në zgjedhje. Mendoj se është me rëndësi që KQZ dhe Ministria e Brendshme ta zbatojnë atë plotësisht. Me sa kuptoj, ka ecur pak ngadalë që njerëzit të rinovojnë aplikimet, kartat e identitetit. Mendoj se njerëzit nuk duhet të presin. Nxora një mesazh, mendoj edhe të tjerët, dhe dëshiroj të vë në dukje që është një mesazh dypartiak. Nuk është diçka në të mirë të një pale apo një tjetre dhe, disa njerëz pyetën, e bëni në favor të opozitës, dhe duhet të them që rindava një lajm për Ministrin Çuçi që nxiste njerëzit të merrnin ID e tyre. Pasi e rindava këtë, edhe opozita  ishte dakord që është me rëndësi që kushdo t’i nxjerrë ID sepse ashtu do mund të shprehin mendimin më 25 prill. Pra, duhet t’i sigurojmë elementët teknikë si duhet dhe KQZ duhet të prioritizojë çfarë është me rëndësi dhe çfarë është bazike.  Dhe në fund, të gjithë duhet të marrin pjesë. Secili duhet të marrë pjesë. 

Sokol Balla: Po ashtu, reaguat dy herë, një retweet me koment, që na kujtonte ne ose ata, në fakt jo ne, por ata, politikanët për listën e zezë të Departamentit të Shtetit. Çfarë lidhje ka midis kësaj dhe procesit zgjedhor? 

 Ambasadorja Kim: Kur unë …

Sokol Balla: … nëse mund të sqaroni diçka më shumë…

Ambasadorja Kim: Patjetër. Kur takohem me shqiptarë të zakonshëm, një nga gjërat që pothuajse të gjithë përmendin është korrupsioni, në politikë, biznes. Ata flasin se duan politikanë më të mirë që t’i përfaqësojnë dhe, njerëzit janë të mençur, e dinë çfarë ndodh. E dinë se kush është kush. Ka ligje që Shqipëria i ka për dekriminalizimin që ndalon kandidimin e personave të dënuar apo zgjedhjen e tyre në parlament. Por ka edhe individë të tjerë që janë të njohur që të ulen në kuvendin e popullit, duke bërë legjislacion e ligje, apo jo? Dhe këtë përpiqem të vë në dukje, ndaj mendoj se udhëheqësit e partive duhet të marrin përgjegjësitë. Kam vënë re që sa herë flas për këtë, secili pretendon sikur unë flas për palën tjetër. Dhe më duhet të them, dua të jem shumë e qartë, po flas për ty. Po i flas Z. Rama në cilësinë e tij si kreu i PS; po i flas Z. Basha si kreu i PD; po i flas edhe Znj. Kryemadhi; po i flas kujtdo që drejton një parti politike. Është përgjegjësia juaj dhe po ju flas ju. Pra, askush nuk mund të ngatërrohet sikur po i flas palës tjetër. Dhe diçka tjetër. Dëgjoj edhe për njerëz në partitë politike, udhëheqësit politikë në veçanti, duhet të luajnë ndershëm dhe duhet të jenë të ndershëm. Dhe një element i kësaj është se kur një parti përjashton dikë sepse ai person nuk kaloi vetingun në partinë e tyre, ai person nuk duhet marrë nga një parti tjetër për avantazh politik. Kjo nuk është e pranueshme dhe ky është pozicioni i Ambasadës së SHBA por besoj është edhe pozicioni i popullit shqiptar. Mendoj se duan politikë më të pastër. Mendoj se duan gjykata më të pastra. Mendoj se duan udhëheqësi të vërtetë, të ndershme nga partitë politike dhe unë jam me ta. 

Sokol Balla: Plotësisht dakord me ju dhe jam me ju, sepse e di që reaguat ca kohë më parë kur pati fjalë se gjyqtarë që nuk kaluan vetingun në fakt po futeshin në listat e kandidatëve të partive të opozitës. 

 Ambasadorja Kim: Ëhë…

Sokol Balla: Dhe di që reaguat në atë kohë dhe pashë dhe lexova edhe që kur u takuat me Celibashin, folët për pastrimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme. Por dikush do thotë, dakord, është kjo lista e zezë, po?

Ambasadorja Kim: Po.

Sokol Balla: Në fakt, ju keni lista të ndryshme të zeza; është një e shkurtër e Departamentit të Shtetit drejtpërdrejt por edhe një listë e gjatë, me qindra, gjyqtarë dhe politikanë, të cilëve SHBA iu ka refuzuar ose revokuar vizat. A duhet që këta persona të përjashtohen nga mundësia për t’u zgjedhur, përzgjedhur dhe pastaj zgjedhur në parlamentin shqiptar? 

Ambasadorja Kim: Mendoj se partitë politike, thjesht për faktin se janë udhëheqëse nga natyra, duhet të udhëheqin. Dhe duhet të vendosin se për çfarë është partia e tyre. Dhe duhet të vendosin se çfarë meritojnë votuesit e tyre. A meritojnë kriminelë votuesit? A meritojnë ata njerëz që njihen se janë përfshirë në aktivitete të këqija? Këtë duhet ta vendosin. Duhet t’iu paraqesin njerëzve një listë për të cilën ato, partitë, mund të jenë krenare dhe duhet të paraqesin një listë për të cilën populli shqiptar, Shqipëria mund të jenë krenarë. 

Sokol Balla: A do të zgjerohet kjo listë?

Ambasadorja Kim: Mendoj se s’mund të komentoj. 

Sokol Balla: Lista e zezë, mund të komentoni për atë?

Ambasadorja Kim: Nuk do ta komentoj.

Sokol Balla: Ok, si gazetar me përvojë, në fakt, ky është një koment me heshtje, por gjithsesi. E lëmë me aq. Cili është vlerësimi i SHBA për procesin e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme? Po arrijmë atje ku duhet?

Ambasadorja Kim: Ashtu shpresoj. Mendoj që OSBE, ODIHR specifikisht, që ka përvojë në zhvillimin e zgjedhjeve, ka arritur dhe do të shohin përgatitjet, por siç e thashë më parë, një nga përgatitjet kyçe është sigurimi i ID-ve biometrike që të mund të reduktohet shit-blerja e votës. Pastaj, së dyti, duhet të vendosen masat shtesë për sa i përket video-monitorimit dhe elementëve të tjerë në mënyrë që njerëzit të kenë besim se ajo që ndodh brenda qendrave të votimit dhe kabinave të votimit është legjitime dhe do them edhe këtë: mendoj do ishte e dobishme nëse KQZ do të siguronte që celularët të mos lejohen në qendrat e votimit. Siç thashë, unë bisedoj me njerëzit, lexoj lajmet, shoh TV dhe e kuptoj që një nga metodat e preferuara është që njerëzit të fotografojnë për kë votuan dhe pastaj… 

Sokol Balla: …po…

Ambasadorja Kim: …marrin pagesën bazuar mbi këtë dhe, meqë e dimë se kjo është një metodë e zakonshme, mendoj që KQZ duhet të veprojë për ta parandaluar këtë. 

Sokol Balla: Ky do të ishte vendim i fortë nga KQZ. 

Ambasadorja Kim: Po.

Sokol Balla: Sepse mund të krijojë një debat mbi lirinë tonë. Pra, po thoni se është më mirë të mos kemi ose t’i ndalojmë celularët në kabinat e votimit?

Ambasadorja Kim: Mendoj se duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar mashtrimin, sidomos nëse metoda e mashtrimit është e njohur. 

Sokol Balla: Në fakt keni të drejtë dhe me gjithçka që keni parë, keni përjetuar, keni shënuar dhe mesazhet që keni dhënë në publik, a mendoni se këtë herë, ka më shumë shanse që të kemi zgjedhje të lira ose më të lira dhe më të ndershme se më parë?  

Ambasadorja Kim: Mendoj se çdo zgjedhje janë një mundësi për të bërë përmirësime dhe shpresoj se ky do të jetë rasti edhe këtu. Nuk parashikoj të ardhmen por ajo që mund të them është që nga ana e Shteteve të Bashkuara, e kemi shumë seriozisht për të ofruar mbështetjen tonë të plotë, në mënyrë që Shqipëria të ketë mjetet teknike por edhe mbështetjen politike që të mund të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. 

Sokol Balla: Po, se një nga çështjet që kemi dhe ndoshta e dini tashmë, në këtë vend është që kushdo që fiton zgjedhjet ose kushdo del fitues, pala tjetër menjëherë nuk e njeh rezultatin. Dhe dikush që mund të humbë zgjedhjet mund të thotë, e shihni çfarë ndodhi në Amerikë? Edhe atje rezultati nuk u njoh ng apala tjetër. Pra, cili është mesazhi këtë herë? A duhet ta pranojë rezultatin pala humbëse? Çfarëdo që del nga institucionet? Çfarëdo që del nga gjykata?

Ambasadorja Kim: Po. Mendoj së pari, pjesëmarrja e plotë është e rëndësishme. Asnjë parti nuk duhet të largohet. Mendoj nuk duhen përsëritur gabimet e së shkuarës. E dyta është që duhet të marrin pjesë për t’u siguruar që masat e marra për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme janë zbatuar. Dhe së treti, e dini, politika është një fushë emocionuese dhe njerëzit luftojnë fort dhe në fakt mendoj kjo është gjë e mirë. Por, siç e pamë në rastin e SHBA, ti lufton fort, dënon kur ka veprime të paligjshme, vendos kufirin tek dhuna por sigurisht, liria e shprehjes dhe grumbullimit janë me rëndësi për t’u respektuar. Dhe së fundi, kur procesi të jetë shterruar, i pranon reultatet në mënyrë të hijshme. Pra, më 20 janar, Presidenti Biden u betua si Presidenti ynë dhe mendoj se ky është një rezultat për të cilin të gjithë ne mund të jemi krenarë.

Sokol Balla: Dakord, duhet të shkojmë në një ndërprerje të shkurtër publicitare dhe do të kthehemi të diskutojmë për pjesën tjetër.

Ambasadorja Kim: Mirë. 

Sokol Balla: Atëhere, shkojmë në një ndërprerje publicitare dhe kur të kthehemi do të flasim për vitin 2021, një vit i rëndësishëm për shqiptarët. Kthehemi pas pak. 

——————-

Kthehemi në këtë pjesë të dytë të intervistës me Ambasadoren e SHBA në Shqipëri, Znj. Yuri Kim. Zonja Ambasadore, duket sikur keni bërë paqe me Ilir Metën kohët e fundit?

Ambasadorja Kim: Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie të mirë me të. Si diplomatë, përpiqemi të kemi marrëdhënie të mira me të gjithë udhëheqësit dhe mendoj se të gjitha marrëdhëniet kanë ulje-ngritje, por është me rëndësi që të mbahen hapur linjat e komunikimit dhe të prodhohen rezultate nga ato marrëdhënie. Ndaj, jam e kënaqur që kemi mundësi ta bëjmë këtë. 

Sokol Balla: Kur vjen puna tek rezultatet që prodhuat së bashku me presidentin dhe pjesën tjetër të institucioneve për Gjykatën Kushtetuese, atë e quani sukses apo jo? Por, shumë nga ne e shohim si paqe të arritur nga palët e interesuara për të vazhduar ta mbajnë Gjykatën Kushtetuese nën ndikim politik. Çfarë garancish ka që kjo sjellje në respekt të ligjeve dhe kushtetutës do të jetë e ndryshme nga më parë? 

Ambasadorja Kim: Mendoj se duhet të presim e të shohim dhe mund ta keni parë që shkova të takoja anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, shkova bashkë me Ambasadorin e BE-së. Edhe të tjerë kanë bërë të njëjtën gjë për t’i nxitur që ta marrin rolin e tyre seriozisht, dhe besoj se e bëjnë këtë, dhe një nga gjërat që i përmenda kur i takova ishte: kur shoh historinë e SHBA dhe se çfarë kemi kaluar, një nga gjërat për të cilat jam vërtet krenare është fakti që gjyqtarët federalë, kur erdhi puna tek vendime shumë të vështira, ata morën vendime bazuar në interpretimin që i bënë ligjity, pavarësisht se kush i emëroi në ato poste. Dhe mendoj që kjo është diçka që e duan edhe shqiptarët dhe duhet ta kenë dhe mund ta kenë dhe mendoj ka shumë rëndësi. I gjithë ky nocioni i institucioneve të caktuara apo personave të caktuar se janë të kapur është shumë i dëmshëm dhe mendoj se kemi të drejtë të kemi pritshmërinë që gjyqtarët dhe prokurorët dhe institucionet tani do të tregojnë që, në fund të ditës, interesi i tyre është ai i popullit shqiptar, jo i individëve të caktuar. 

Sokol Balla: Në fakt, iu referuat rastit të Amy Coney Barrett, anëtarja e fundit e Gjykatës Supreme të SHBA zgjedhur nga Presidenti Trump dhe që kundërshtoi atë që kërkuan avokatët e tij nga Gjhykata Supreme lidhur me rezultatet, çka tregoi kredibilitetin dhe personalitetin e saj si gjyqtare, e cila vendosi interesin e publikut përpara interesave politike të njërës palë. Zgjedhja e anëtarëve të fundit të Gjykatës sonë Kushtetuese, siç jam konsultuar me njerëz që i njohin rregullat, kaloi nëpër parregullsi përsëri. Nuk u zgjodhën mes tre kandidatësh. 

Ambasadorja Kim: Po.

Sokol Balla: Ose kishte një kandidat të vetëm ose dy kandidatë. Megjithatë, kushdo i kishte kundërshtuar këto parregullsi më parë, këtë radhë ishte ok. Presidenti Meta e kishte kundërshtuar por tani ishte ok. Democratët e kishin kundërshtuar, por tani ishin ok. Socialistët, njësoj. Pyetja ime është, a ka rëndësi të kemi një Gjykatë Kushtetuese më të mirë apo thjesht ta kemi atë? 

Ambasadorja Kim: Mendoj se njerëzit duhet të presin një Gjykatë Kushtetuese që funksionon me kredibilitet, me pavarësi, dhe me integritet. Ky vend ka qenë pa Gjykatë Kushtetuese për pothuajse tre vjet. Është qesharake. Dhe mendoj që – s’dua fare të jem cinike – por ndonjëherë mendoj se kërkesa për përsosmëri është një mënyrë për të penguar përparimin. Mendoj se edhe Komisioni i Venecias e njohur këtë dhe, në opinionin që dha, e bënë shumë të qartë që ky është një problem urgjent që kërkon një zgjidhje urgjente dhe se institucionet përgjegjëse duhet të punonin bashkë. Dhe, këtë bënë. Keni të drejtë, nuk është një zgjidhje e përsosur, por mendoj është zgjidhja e nevojshme dhe është një zgjidhje praktike. Tani, Gjykata Kushtetuese ka kuorumin e duhur; janë mbledhur dhe me sa kuptoj, kanë nxjerrë vendimin e parë. 

Sokol Balla: Po, çfarë menduat për gjykimin e tyre?

Ambasadorja Kim: Nuk kam punë unë të komentoj gjykimet e tyre. 

Sokol Balla: Epo, kishit punë për të ndihmuar me krijimin por s’keni punë me rezultatet? Mendoj duhet të merrni ca merita edhe për këtë, por gjithsesi, bëj shaka. Para disa javësh kisha Elisa Spiropalin këtu duke komentuar ndryshimet në kabinet. 

Ambasadorja Kim: Po.

Sokol Balla: U komentua shumë sepse në fakt reaguat shumë shpejt. Në çdo ndryshim të shpallur nga KM, dukej sikur ju jepnit ‘ok’ menjëherë. A keni ndikim edhe te kjo? Dua të them, kemi arritur në atë pikë sa edhe kur bëjmë ndryshime në kabinet, në fund është SHBA që e miraton? 

Ambasadorja Kim: Sokol, Shqipëria është një vend sovran. Është një vend sovran. Mendoj se njerëzit kanë ca nocione, ca teori konspirative, ca fantazi se njëfarësoj, SHBA është përgjegjëse për gjithçka. 

Sokol Balla: Në fakt, e urojmë këtë. 

Ambasadorja Kim: Mendoj se në fund, udhëheqësit e Shqipërisë dhe populli shqiptar janë përgjegjës për Shqipërinë. Nuk është përgjegjësia e askujt tjetër. Për pyetjen specifike që bëtë, siç i shkrova edhe Elisës, është thjesht fakti që shkruaj shpejt prandaj reagova aq shpejt.  

Sokol Balla: Por ishte mbresëlënëse që ish-Sekretari i Shtetit uroi menjëherë ministren e jashtme të sapoemëruar të Shqipërisë. Ishte e paprecedent, Znj. Olta Xhaçka. 

Ambasadorja Kim: Mendoj që ne e njohim faktin që ajo punoi shumë mirë si Ministre e Mbrojtjes dhe e kreu punën e saj vërtet në një mënyrë që forcoi marrëdhënien midis SHBA dhe Shqipërisë dhe mendoj është me vend, në këto rrethana, të shprehësh vlerësim për këtë dhe, sigurisht, si homolog i saj si Ministre e Jashtme, është me vend dhe e mirëpritur që ta përgëzojë për emërimin. 

Sokol Balla: Le të flasim për këtë stërvitjen ushtarake që do të ndodhë këtë vit. Cili është mesazhi që Amerika i jep Ballkanit me administratën e re sepse, ju e dini që nga administratat e mëparshme kishte disa lëvizje, marrëveshje të caktuara – e di që nuk doni të flisni për vendet ku nuk përfshiheni, por në përgjithësi – administrata e mëparshme u përfshi në një marrëveshje të drejtpërdrejtë për të zgjidhur një çështje shumë të vështirë – normalizimin e marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve, për Kosovën. E dimë që Z. Biden është një mbështetës i fortë i Kosovës, në veprime jo thjesht me fjalë. Çfarë duhet të presim nga SHBA kur vjen fjala tek roli që ka në Ballkan dhe në veçanti lidhur me shqiptarët?

Ambasadorja Kim: Së pari, ju rekomandoj të lexoni dëshminë e Z. Blinken përpara Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit…

Sokol Balla: E pashë …

Ambasadorja Kim: …kur ai pati seancën dëgjimore për t’u bërë Sekretar i Shtetit. Aty, konfimoi mbështetjen për marrëveshjen që u arrit midis Serbisë dhe Kosovës për të zgjeruar marrëdhëniet ekonomike. Mendoj se kemi për qëllim që tani me administratën Biden të ndërtojmë mbi të. Është një fillim i mirë. Është me rëndësi që t’i bëjmë gjërat saktë në Ballkan. Do të thoja edhe që Matt Palmer, Zv. Ndihmës Sekretar i Shtetit foli për këtë, mendoj dy javë më parë. 

Sokol Balla: Tani, kthehemi tek zgjedhjet në Shqipëri; në intervistën tonë të parë në verë, një nga përgjigjet tuaja, e cila ishte përgjigje normale për një pyetje normale timen, se sa i mirë, rifreskues është rotacioni politik, në fakt i gëzoi shumë njerëz në opozitë. E morën si mesazh se SHBA mbështet rotacionin, rotacionin politik në vend. I qëndroni atij pohimi?

Ambasadorja Kim: Më lejoni ta sqaroj këtë. Ajo që doja të thoja është se, në parim, ndryshimet e qeverive, transferimi i pushtetit në mënyrë paqësore, janë të mira dhe për këtë janë zgjedhjet. Por zgjedhjet janë edhe për zgjedhjen që bëjnë votuesit ndaj nuk është për mua apo ndokënd tjetër jashtë Shqipërisë që të komentojë se kur duhet të ndodhë tranzicion dhe kush duhet të zgjidhet. Këtë e vendosin votuesit shqiptarë. 

Sokol Balla: Dakord, kjo qeveri mendon se i takon të luftojë për një mandat të tretë, por është një territor me akull ky sepse, nëse fitojnë, do ishte hera e parë që një parti e vetme qeveris vendin për një periudhë të gjatë kohe, e cila mund të shkojë në 12 vjet. Për mua, është një eksperiment i ri social që s’ka ndodhur më parë. Ju thatë dhe ne sigurisht e dimë që është vullneti i popullit për të vendosur partinë që do qeverisë për katër vitet e ardhshme. Varet nga ata, sa kohë që rezultati është i pastër dhe i lirë. A shihni problem tek kjo? 

Ambasadorja Kim: Iu përgjigjët pyetjes tuaj, Sokol…

Sokol Balla: E di, e di. Po mendoj me zë…

Ambasadorja Kim: …e vendosin votuesit. Nuk është gjë që e vendos ambasadorja amerikane apo ndonjë i huaj tjetër. 

Sokol Balla: Si e shihni punën e kësaj qeverie? 

Ambasadorja Kim: Ç’doni të thoni?

Sokol Balla: A është vendi më mirë, më keq?

Ambasadorja Kim: Mendoj se nga perspektiva e SHBA, kemi pasur bashkëpunim të mirë me këtë qeveri. Kemi pasur bashkëpunim të mirë edhe me qeveritë e mëparshme dhe jemi të kënaqur me këtë dhe shpresojmë e jemi të bindur, në fakt, që pavarësisht çfarë ndodh më 25 prill, për sa i përket marrëdhënies midis Uashingtonit dhe Tiranës, ajo do mbetet e fortë. 

Sokol Balla: Për këtë jam i sigurt sepse shoh edhe nga pala tjetër, nga opozita, që pavarësisht çfarë ndodhi në 2019, në fund të ditës, u kthyen, e korrigjuan gabimin dhe ndikimi juaj, ndikimi juaj pozitiv është i dukshëm tek ata. Dhe nuk shoh ndonjë element që më parë rrezikonte marrëdhënien midis SHBA dhe PD apo LSI që të ketë ndonjë ndikim sot, çka është diçka e mirë. Çfarë prisni nga lëvizjet e reja politike? Mendoni se do kenë ndikim, nga pikëpamja zgjedhore? Sepse ka disa parti që kanë dalë.

Ambasadorja Kim: Nuk e di. 

Sokol Balla: Përgjigje shumë e shkurtër. TV-të janë mbushur me sondazhe të ndryshme. Çfarë mendoni për to? 

Ambasadorja Kim: Po, i shoh sondazhet, por e dini, sondazhet nuk janë vota. Ndaj mendoj se mund të shërbejnë si udhëzues për pritshmëritë por në fund, ajo që ka rëndësi është kush del të votojë më 25 prill dhe kë zgjedhin.

Sokol Balla: Unë jam bërë pjesë e një grupi që i sheh koalicionet e mëdha, ndoshta si të vetmen mënyrë, por ndoshta si mënyrën më të mirë për të kontrolluar egot politike dhe ulur koston e qeverisjes së një vendi të vogël. Po shtohen zërat se ka një mundësi që mund të bëhet realitet pas 25 prillit, që socialistët dhe democratët, ndoshta të kushtëzuar nga rezultati i ngushtë i zgjedhjeve, mund të shqyrtojnë mundësinë e formimit të një kabineti nga një koalicion i madh. A e shihni si mundësi apo si farsë të demokracisë?  

Ambasadorja Kim: Nuk është vendi të komentoj unë. 

Sokol Balla: Nuk jeni e përfshirë në këtë?

Ambasadorja Kim: Nuk është vendi të komentoj unë. 

Sokol Balla: Dakord, kur thoni nuk është vendi të komentoni ju, do të thotë që nuk është vendi të komentoni nëse është diçka e mirë apo e keqe, dhe kjo do varet nga shqiptarët që do të vendosin? 

Ambasadorja Kim: Mendoj se është e padobishme që unë të spekuloj për çfarë mund të ndodhte në të ardhmen. 

Sokol Balla: Pra jeni e fokusuar tek e tashmja?

Ambasadorja Kim: Jam e përqendruar për të siguruar që SHBA ofron të gjithë mbështetjen e mundshme që të arrijmë tek 25 prill në një mënyrë që ndërton besim dhe rezulton në një pasqyrim të saktë të asaj që duan shqiptarët. 

Sokol Balla: Zonja ambasadore, të ndalemi pak te reforma në drejtësi. Këtu mendoj se mund të flisni shumë më hapur sepse mendoj është investimi më i madh që ka bërë SHBA në Shqipëri nga viti 1991, besoj, kur ndihmuat rivendosjen e demokracisë në vend. Si po shkon procesi sepse ka shumë njerëz që ankohen, e dini, se po shkon ngadalë, institucionet nuk janë ngritur, rezultatet s’kanë ardhur ende, pra, na jepni disa mesazhe më shpresëplota. 

Ambasadorja Kim: Dakord, siç thamë në fillim të intervistës, vura në dukje gjërat që kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar, kur e filluam vitin pa një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Tani Shqipëria ka një gjyatë që funksionon. Duhen edhe nja dy gjyqtarë për të pasur anëtarësinë e plotë me nëntë dhe mendoj se palët do të punojnë për këtë, institucionet përgjegjëse. SPAK nuk kishte filluar të funksiononte, tani funksionon. Ka disa çështje që po shqyrton. Nuk e di cilat janë, e vendosin ata. Dhe tani sigurisht kemi BKH që funksionon me hetuesit e saj. Pra, ka lëvizje. Mendoj që shqiptarët kanë të drejtë të ndihen të paduruar. Kanë qenë pa drejtësi të vërtetë për tepër kohë dhe kanë të drejtë të kenë padurim, kanë të drejtë të kërkojnë veprim më të shpejtë, dhe mendoj se do të shohim ca nga kjo gjatë 2021. 

Sokol Balla: Pra po thoni se do të shohim disa peshq të mëdhenj në rrjetë këtë vit?

Ambasadorja Kim: Unë nuk bëj ato marifete marrëdhëniesh me publikun. Unë jam e interesuar në rezultate. Prandaj, ju e dini, unë nuk bëj premtime të mëdha. Gjithçka mund t’ju them është se Shtetet e Bashkuara e kanë shumë seriozisht reformën në drejtësi, se e kemi shumë seriozisht korrupsionin, se e kemi shumë seriozisht ndërtimin e një marrëdhënieje me Shqipërinë, e cilan është e fortë në demokraci, mbrojtje, dhe biznes. Dhe j’ua lë juve në dorë të gjykoni, bazuar në fakte, se sa përparim është bërë apo nuk është bërë. E kam thënë këtë edhe më parë, uroj që njerëzit të mos shpërqëndrohen nga propaganda dhe ekzagjerimet. Njerëzit duhet të bazohen në fakte. 

Sokol Balla: Mirë atëherë, bazuar në fakte, mund të them se edhe ambasadori i kaluar ishte shumë entuziast për të njëjtën çështje. Kjo daton prej viteve 2017 dhe 2018, dhe jemi në vitin 2021. Dhe unë pajtohem me ju, se gjërat tani me reformën në drejtësi duhet të bëhen ashtu si duhet dhe, natyrisht, kjo kërkon kohë. Dhe sigurisht, tre vjet, pesë vjet, në kuadrin historik janë vetëm një sekondë. Por, në jetën e një njeriu, pesë vjet apo dhjetë vjet janë shumë të rëndësishëm. Në pesë vjet, ne shohim fëmijët tanë të rriten dhe shohim veten duke u plakur. Dhe pastaj, vjen një pikë dhe thua, ok, cili është koncepti i kohës kur bëhet fjalë për këto gjëra, pra kur? Çfarë është vonë dhe çfarë është herët dhe kur është koha e duhur? Prandaj ne kemi dyshime. Unë jam një nga ata njerëz që ende mbështes fuqimisht reformën në drejtësi. Ajo ka mbërritur në momentin kur, në fakt, duhet të shohim rezultate, prandaj dhe po këmbëngul tek ju me këtë pyetje. 

Ambasadorja Kim: Po, mendoj se po filloni të shihni rezultate. Keni parë disa çështje të mëdha të nisin duke filluar nga vera e kaluar, dhe ajo që ndodh në fund është bërja e dallimit midis propagandës dhe faktit. Ka disa të cilët duan që ju të besoni se Shqipëria ka qenë gjithmonë e korruptuar dhe se do të jetë gjithmonë e korruptuar dhe se nëse nuk jeni dakord, ju jeni naiv. Epo, kam një lajm për ju, kjo nuk është normale dhe kjo nuk është mënyra se si ka qenë gjithmonë Shqipëria. Unë besoj tek Shtetet e Bashkuara dhe arsyeja përse besoj në Shtetet e Bashkuara nuk është sepse ne jemi perfekt, por sepse përpiqemi të përmirësohemi. Unë besoj tek Shqipëria për të njëjtën arsye. Ky nuk është vend i përkryer. As Shtetet e Bashkuara nuk janë, por unë mendoj se populli shqiptar ka mjaftueshëm pasion dhe përkushtim për të sjellë ndryshim. Unë shoh historinë tuaj. Shqipëria është toka e Skënderbeut. Ju i bëtë ballë Perandorisë Osmane kur askush tjetër nuk e bëri. Shqipëria është toka e besës dhe sot ndodh të jetë Dita e Përkujtimit të Holokaustit, por ju jeni i vetmi vend në Europë i cili në fund pati më shumë hebrenj se sa në fillim, dhjetra herë më shumë. Askush tjetër nuk e bëri këtë. Ju jeni vendi që refuzuat Enver Hoxhën dhe e zhdukët atë. Mendoj se këto janë me të vërtetë elemente të admirueshme të karakterit shqiptar. Prandaj unë besoj tek Shqipëria, besoj tek populli shqiptar dhe mendoj se ju kurrë nuk duhet të ndalni së shpresuari. Këta njerëz, të cilët ju thonë se nuk po ndodh asgjë dhe se asgjë nuk do të ndodhë kurrë, nuk janë njerëz të cilët ju tregojnë të vërtetën. Ata po ju thonë një gënjeshtër, në mënyrë që të mund të vazhdojnë me çfarëdo aktiviteti të tmerrshëm ku janë të përfshirë. Mos e humbni shpresën. Shpresa është armë. 

Sokol Balla: Është e vërtetë. Kalojmë në një ndalesë publicitare dhe kthehemi për minutat e fundit të intervistës me Znj. Kim. 

——————–

Këto janë minutat e fundit të intervistës me Yuri Kim, Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Znj. Kim, kam tre pyetje nga tre kolegë të mi, të cilët do donin t’ju bënin më shumë, por unë kam zgjedhur vetëm tre prej tyre, Lubonja, Rakipllari dhe Skënder Minxhozi. 

Lubonja pyet: Si e shpjegoni faktin se, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, Ambasadorët Amerikanë në Shqipëri janë shumë protagonist në jetën politike dhe shfaqen shumë shpesh në TV? 

Ambasadorja Kim: Do që të mos dal më në TV? 

Sokol Balla: Pyetjen e bëri Lubonja. Përgjigjen duhet t’ia ktheni Lubonjës. 

 Ambasadorja Kim: Po, por nuk di çfarë përgjigje t’ju jap. 

Sokol Balla: Ndjesë, ai pyet përse janë Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara kaq të rëndësishëm në Shqipëri? 

Ambasadorja Kim: Mendoj se ajo që mund të them është se ju më kërkuat të vij në emisionin tuaj, nuk ju detyrova unë të më ftonit. 

Sokol Balla: Pyetja vjen nga Lubonja dhe ai më kritikon edhe mua por unë ia pranoj kritikat sepse e di që burojnë nga qëllime të mira. 

Robert Rakipllari pyet, pas një klime të gjatë dhe të rënduar politike, ku opozita dogji mandatet e saj dhe ju mbështetët një proces politik për reformën zgjedhore dhe për rregulla lojë të tilla që të siguronin zgjedhje të lira dhe të ndershme, çfarë garancish mund të jepni se në 25 Prill do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa blerje votash apo ndërhyrje nga grupe kriminale?  

Ambasadorja Kim: Mendoj se garancia është vigjilenca e qytetarëve shqiptarë. Ju duhet t’u kërkoni llogaridhënie udhëheqësve tuaj. Dhe mund të them se Shtetet e Bashkuara dhe miq të tjerë të Shqipërisë mbështesin fuqimisht zgjedhjet e lira dhe të ndershme, prandaj do të bëjmë çfarë të mundemi. 

Sokol Balla: Z. Minxhozi bën një pyetje tërësisht ndryshe. A duhet Shqipëria të jetë fleksibël ndaj vaksinave lindore, më saktësisht kineze dhe ruse? Cili do të ishte reagimi i Shteteve të Bashkuara nëse vaksina të tilla vijnë në Tiranë, ashtu siç ndodhi pak kohë më parë në Beograd? 

Ambasadorja Kim: Mendoj se ka mjaftueshëm informacion mbi vaksinat që ofrohen. Kujdesi mjekësor është një vendim tërësisht personal që gjithsecili merr, por, përsa më përket mua, mund t’ju them se cilës i besoj unë…  

Sokol Balla: Cilës? 

Ambasadorja Kim: …sigurisht, amerikanes. Ne kemi standarte më të larta, dhe mendoj se kjo pranohet në mbarë botën, por unë do t’i nxisja qytetarët të bëjnë kërkimet e tyre, të shohin shkallën e suksesit, të shohin efektet anësore, ka mjaftueshëm informacion në dispozicion për variantet e ndryshme që ofrohen. 

Sokol Balla: Zonja Ambasadore, ju falenderoj që ishit me mua sonte. Ju dhurova një kopje të librit tim, i cili është një dëshmi e puçit të shtetit, por do doja të lexonit dedikimin që ju shkrova në libër. 

Ambasadorja Kim: Faleminderit. 

Sokol Balla: Nëse mund të ma lexoni. 

Ambasadorja Kim: “Për Yurin, duke shpresuar se do të bëhet drejtësi. Sokol”. 

Sokol Balla: Do të bëhet? 

Ambasadorja Kim: Ashtu shpresoj. 

Sokol Balla: Faleminderit shumë. Edhe unë ashtu shpresoj. Ishte kënaqësi. Faleminderit. 

Ambasadorja Kim: Faleminderit. 

Sokol Balla: Ishim në këtë intervistë, në pak më shumë se një orë, me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Znj. Yuri Kim. Ky ishte “Real Story” për sonte. Do të shihemi sërish të hënën, në orën 21:00.