Vizion+: Zonjë Ndihmës Sekretare, faleminderit shumë që jeni këtu. E vlerësoj dhe është një nder që ju kam këtu.
N/S Royce: Faleminderit, Thimi.
Vizion+: Meqë është ndoshta hera e parë në Shqipëri, përshtypja juaj e parë?
N/S Royce: Gjëja e parë që dua të them është se sa shumë e vlerësoj që jam këtu. Kam dashur të vij që kur mora këtë post në vitin 2018. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje janë njerëzit, Thimi, njerëz si ty. Njerëzit kanë qenë kaq të ngrohtë dhe mikpritës dhe kultura e jashtëzakonshme që keni. Dua vetëm të shtoj që Shtetet e Bashkuara kanë qenë me Shqipërinë që nga fillimi dhe lidhjet mes njerëzve vazhdojnë të jenë të forta. Edhe gjatë pandemisë, kur fillova të mund të bëja vizita jashtë vendit, Shqipëria ishte zgjedhja ime e parë për ta vizituar.
Vizion+: Gjatë kohës tuaj si Ndihmës Sekretare, keni takuar shumë pjesëmarrës të programeve të shkëmbimit nga Shqipëria dhe ndoshta të kanë treguar për Shqipërinë. Tani që jeni këtu, prekni njerëzit, rrugët e gjithçka, cila është gjëja e parë që ju shkon në mend nga gjërat që ju kanë treguar?
A/S Royce: Kushdo që kam takuar më ka treguar për ngrohtësinë dhe mikpritjen e jashtëzakonshme që kanë për amerikanët dhe fakti është që edhe ti je pjesëmarrës në programet tona. E mrekullueshme. E di që ishit në programin IVLP (vizitori ndërkombëtar) dhe keni qenë në tre qytete…
Vizion+: …Uashington D.C., Louisville, Santa Fe, dhe Tampa, Florida.
N/S Royce: …Oh, Tampa, pra një përvojë jashtëzakonisht mbresuese dhe transformuese…
Vizion+: …Po, ishte e jashtëzakonshme, më ndryshoi jetën…
N/S Royce: Po, lajmi i madh është që kemi pasur 2346 shqiptarë që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara në programe të ndryshme shkëmbimi dhe kam pasur shansin të takoj disa prej pjesëmarrësve të jashtëzakonshëm këtu. Në fakt, edhe në Uashington, ambasadorja juaj në SHBA, Ambasadorja Floreta Faber, është pjesëmarrëse në programin IVLP nga viti 2010. Sot në mëngjes, pata ndoshta një nga nderet më të mëdha në jetën time, mora një Doktoraturë Nderi nga Universiteti i Tiranës, dhe një pjesëmarrëse e Programit Fulbright më prezantoi në skenë. Është e jashtëzakonshme. Mbrëmë një pjesëmarrës, një gazetar kolegu juaj… Këtë vit është 80-vjetori i programit IVLP dhe kemi caktuar 80 Fytyra të Shkëmbimeve. Imagjinoni që kemi rreth 200,000 persona që janë pjesëmarrës në programet tona dhe po e festojmë duke prezantuar 80 fytyrat; mbrëmë, Z. Dervishi, një gazetar, u shfaq sin jë nga këta 80 fytyra dhe patëm një darkë në nder të tij me pjesëmarrës të tjerë të programit IVLP, duke e prezantuar atë si një nga 80 Fytyrat e Shkëmbimeve. Pra, kudo ku kam shkuar, në Zyrën e Ministres së Kulturës, ka një ish-pjesëmarrës. Në ambasadën tonë është një ish-pjesëmarrëse. Ka qenë diçka e mrekullueshme dhe cilido që kam takuar më ka bërë përshtypje përtej pritshmërive, po ashtu edhe mbështetja e tyre e jashtëzakonshme për marrëdhënien tonë dypalëshe.
Vizion+: E përmendët më parë, unë jam një nga mijëra pjesëmarrësit në IVLP në Shqipëri dhe dua të them që ka qenë, nuk e di, nuk i gjej dot fjalët për ta shpjeguar atë përvojë. Faleminderit shumë, ka ndryshuar shumë stereotype në mendjen time për popullin amerikan…
N/S Royce: Faleminderit…
Vizion+: …dhe falë saj, kam një rrjet me 47 gazetarë të tjerë, nga e gjitë bota. Në kushtet e pandemisë, nuk e ndjen dot mikpritjen e familjeve amerikane që provova në Louisville. Si funksionojnë tani programet IVLP dhe të tjerat, në kushtet online, prej pandemisë, izolimit?
N/S Royce: Pasi filloi pandemia, u zhvendosëm tek programet virtuale dhe për pasojë, marrëdh[niet mes njerëzve dhe angazhimet nuk ndaluan. Në fakt, muajin e ardhshëm kemi Kongresin e Pjesëmarrësve Profesionistë, të cilin e pres me kënaqësi çdo vit. Kemi 175 pjesëmarrës nga 46 vende që do të jenë pjesë, por të gjithë programin do ta bëjmë virtualisht. Po ashtu, kemi programet virtuale IVLP. Vetëm dje pata një me një prej ambassadorëve tanë në Afrikë, me 12 pjesëmarrës që donin të studionin procesin politik amerikan. Do të vijnë në tre qytete të ndryshme të SHBA por virtualisht. Është shumë emocionuese. Kemi një program, kemi studentë në SHBA dhe ky është programi i bursës Fulbright. Kemi rreth 3500. Ata janë aktivë dhe kemi pjesëmarrës Fulbright edhe nga Shqipëria që studiojnë në SHABA. Do shtoja edhe që kemi 3 Hapësira Amerikane këtu në Shqipëri. Ato janë aktive me programe virtuale dhe ato që bëhen zakonisht në Hapësirat Amerikane, vazhdojmë t’i bëjmë këto, japim informacion falas për të studiuarit në SHBA, këshillim për shkollat, mësimdhënie anglisht, veprimtari të pjesëmarrësve në programet tona dhe programe kulturore.
Vizion+: Gjithsesi besoj që të shkosh atje është diçka tjetër, të shkosh e të takosh njerëzit. Por, programet online na kanë ndryshuar jetën dhe shpresojmë që do të marrë fund shpejt.
N/S Royce: Do shtoj vetëm diçka. Shpresojmë që në të ardhmen të ndodhin më shumë shkëmbime mes njerëzve, por me pandeminë, po bëjmë më të mirën dhe njerëzit po kryejnë disa angazhime shumë energjike.
Vizion+: Pas tërmetit, SHBA dhuroi 800,000 dollarë për ruajtjen e objekteve kulturore dhe historike, në tri pika me rendësi – Krujë, Prezë dhe Durrës. Pse e zgjodhi SHBA këtë projekt? A janë disa nga vendet më delikate?
N/S Royce: Faleminderit për pyetjen. Në nëntor 2019, e mbaj mend mirë kur ndodhi tërmeti në Shqipëri dhe e kisha në zemër popullin shqiptar. Mora një letër nga qeveria juaj që kërkonte ndihmë për projekte të ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Doja të ndaja me ju që morëm një vendim me programin e Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore për të mbështetur tri vendet më të dëmtuara. Dhe prandaj u zgjodhën tre sitet që përmendët – Kruja, Preza, dhe Durrësi. Po ashtu, dua të them që dje pata mundësi të shikoja Krujën në vend dhe Prezën nga larg me dy arkitektë. Jam shumë e lumtur që SHBA patën mundësi të ofronin afro 1 milionë dollar me grante nga Fondi i Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Vizion+: Pram und të themi se nuk është mbështetje vetëm për një herë por do të ketë mbështetje afatgjatë për këto lloj programesh…
N/S Royce: Po, dua të dini që jemi të përkushtuar ndaj ruajtjes së trashëgimisë në Shqipëri. Ekipi ynë ka qenë përfshirë në projekte për afro 20 vjet. Kemi ofruar afro 1.2 milionë dollarë në grante për Shqipërinë. Do të vazhdojmë të shqyrtojmë projekte për Fondin e Ambasadorëve nëpërmjet punës sonë për ekipin e programeve të kulturës.
Vizion+: Zonja Ndihmës Sekretare, Shqipëria është me fat që ka shumë site historike dhe kulturore. Ju keni qenë në Krujë dhe keni parë dhe prekur çfarë ka aty, por a besoni se kjo fushë ka marrë sa duhet vëmendje nga qeveritë shqiptare gjatë 30 viteve? A duhet të bëjnë më shumë?
N/S Royce: Epo, nuk komentoj dot për Qeverinë e Shqipërisë por mund të komentoj atë të SHBA dhe faktin që dua të rikonfirmoj përkushtimin tim. Edhe një herë, SHBA ka qenë krah Shqipërisë që në fillim. Jam krenare për përpjekjet që bëjmë bashkë. Shkëmbimet tona mes njerëzve dhe puna jonë vazhdon ndaj dua thjesht të them që do të vazhdojmë të tregojmë përkushtimin tonë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore si dhe për programet e shkëmbimit.
Vizion+: Për arsimin, është një tjetër fushë që mbuloni. Ka shumë programe këtu të njohura, si YES, Fulbright, etj. Pse i kushton kaq shumë vëmendje SHBA kësaj fushe? A keni një numër, përmend[t 2000 por ky është totali, a keni numër se sa studentë YES, sa Fulbright, e të tjera?
N/S Royce: Kemi një numër nismash dhe, së pari, do filloj me Fulbright. Du a të them se vitin e kaluar, gjatë mbledhjes në OKB, një nga momentet më krenare në këtë detyrë, ishte të nënshkruara një Memorandum Mirëkuptimi me Qeverinë e Shqipërisë për të rritur numrin e bursave. Shqipëria do të ketë tri bursa më shumë në vit për gradë Master, për të studiuar në SHBA. Është shumë emocionuese dhe do të sjellë ndryshim. Përmendët programin YES, për nxënës të shkollave të mesme, në fakt një nga programet më të mira kur nxënës të shkollave të mesme vijnë në SHBA, kalojnë shkollën e mesme me ne. Progreami IVLP. Po prezantojmë një program të ri, quajtur Bursat Mikro për Akses për të rinjtë në disavantazh që të mësojnë anglisht gjatë një periudhe dy-vjeçare. Shumë emocionuese. Javën e kaluar, ambasada jonë shpalli një program shumë të rëndësishëm, do ta vizitoj sonte, është pjesë e Nismës së Shtëpisë së Bardhë për të sjellë më shumë gra në forcën e punës. Quhet Nisma Globale për Begatinë Zhvillimore të Gruas, ose W-GDP. Ka tri shtylla; e para, të sillen më shumë gra në forcën punëtore globale; e dyta, t’i ndihmojmë të kenë sukses si sipërmarrëse. Tani kemi një program që quhet Akademia e Sipërmarrëseve Femra. Nëpërmjet Shkollës Globale të Menaxhimit Thunderbird dhe një kompanie quajtur Freeport-McMoRan – kompani minerare, mbështesim gra së bashku, jemi trajnues. Do të mësojmë për planet e biznesit, marketingun, rritjen e kapitalit. Do fitojnë nga rrjeti i gjerë i ish-pjesëmarrësve në programet tona këtu që do t’i ndihmojnë me drejtimin. Në fakt, një grua në një vend tjetër, vjet kishte një punonjëse, një vit më vonë, ka 11. Këto lloj rezultatesh shpresojmë të shohim nga program i Akademisë së Siopërmarrëseve Femra këtu në Shqipëri
Vizion+: Lidhur me shkollat e mesme, dua të pyes diçka. Kur isha në Louisville, vizituam një shkollë të mesme që kishte një program gazetarie për nxënësit. Atje kuptova sa shumë rendësi i kushtojnë Shtetet e Bashkuara shtypit. Kërkova në Shqipëri por nuk gjeta diçka të ngjashme, një shkollë me një program që meson se si të kontrollosh nëse një lajm është i rremë apo i vërtetë. Kishin gazetën e tyre, një radiostacion të vogël, ishte e jashtëzakonshme, s’e kisha parë ndonjëherë. A do t’i mbështesnin SHBA këto lloj programesh në Shqipëri, në një apo dy shkolla të mesme?
N/S Royce: Në fakt, jemi tashmë të përkushtuar ndaj projekteve që kemi në gazetari. Siç komentova për 80 Fytyrat e Shkëmbimeve, një nga ato fytyra, Z. Dervishi, që po ashtu vjen nga gazetaria. Ashtu si ju, duke u siguruar që keni faktet dhe shifrat, shprehitë e të menduarit kritik. Do shtoja edhe që edhe në fushën e bursave Fulbright, mund të kemi bursa jo vetëm në STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë) por edhe në gazetari apo art e çdo fushë. Nga të gjitha fushat, do të thoja se në gazetari jemi shumë të përkushtuar të kemi të menduarin kritik dhe të mbështesim përpjekjet këtu në Shqipëri.
Vizion+: Zonja Ndihmës Sekretare, një pyetje të fundit, një mesazh për shqiptarët, të cilët shohin tek SHBA, ne gjithmonë kemi pare tek SHBA një shpëtimtar për çdo gjë. Pse duhet të besojnë se SHBA do ta ndihmojnë Shqipërinë?
N/S Royce: Faleminderit për atë pyetje. Do them që thjesht fakti që jam këtu tregon përkushtimin tim. Do shtoj që kemi qenë gjithmonë krah Shqipërisë dhe do të vazhdojmë të jemi. SHBA e kanë shumë për zemër Shqipërinë dhe marrëdhënien mes njerëzve tanë. Ju vetë përmendët që takuat 47 miq, 47 miq të rinj dhe me siguri keni zënë miq edhe në qytetet ku shkuat. Dëshiroj të nxis si pjesë e përgjegjësive të mia në arsim, faktin që në SHBA ka 4700 universitete dhe kolegje komunitare. Ka njerëz që thonë nuk e përballoj dot të shkoj në kolegj në SHBA por ne nxisim atë që quhet 2+2, pra dy vjet në një kolegj komunitar, përmirëso anglishten, kushton më pak dhe pastaj shkon në universitet. Babai im e bëri këtë. Një mikja ime e filloi në kolegj komunitar dhe pastaj mori doktoraturën. Mund t’ju ndihmojmë duke ju dhënë këshilla falas për arsimin në SHBA, po iu them atyre që dëgjojnë apo shohin dhe që mund të mendojnë t’i kthehen shkollës, ta mendojnë SHBA si destinacion për studim. Përgjithësisht, qoftë ajo kulturore, diplomacia sportive, shkëmbimet profesionale, arsimore, kemi një marrëdhënie shumë të fortë. Byroja ku jam thotë se ne lëvizim njerëz për të lëvizur ide dhe mendoj që edhe thjesht kjo bisedë sot është dëshmi e asaj. Idetë që ndajmë bashkë. Praktikisht kemi investuar në të shkuarën tuaj dhe do të vazhdojmë të investojmë në të ardhmen tuaj. Ju faleminderit që më ftuat në program.
Vizion+: Zonja Ndihmës Sekretare, ju faleminderit shumë. E vlerësoj dhe është një nder. Dhe shpresoj që kur të vini përsëri, koha të jetë më e mirë që të mund të shijoni edhe jugun e Shqipërisë, që është i jashtëzakonshëm.
N/S Royce: Ju faleminderit shumë për ftesën. Ishte shumë bukur.