*fjalimi i parapërgatitur
Mirëmëngjes Kryetar i KMSH Spahiu, Zëvendës Ministre Kuko, Koordinatore Dervishi, udhëheqës fetarë, të ftuar të nderuar. E kam për nder të jem këtu me ju sot.
Më pëlqen të ndërtoj komunitete. Babai im kishte një kompani ndërtimi që ndërtonte komunitete në Guam, dhe më pëlqen të shoh bashkësi të reja të ngrihen nga askundi, ku njerëzit mund të bëjnë jetë më të mirë dhe bizneset të mund të përparojnë. Por sot jam këtu për të folur me ju për një lloj tjetër ndërtimi. Dua të flas për ndërtimin e qytetarëve dhe të shoqërisë.
Që nga viti 2014, Komuniteti Mysliman Shqiptar (KMSH) ka qenë në partneritet me Ambasadën e SHBA në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, përmes projekteve si ky që po nisim sot. KMSH e bën këtë duke zhvilluar aftësi të të menduarit kritik tek të rinjtë dhe duke sjellë qëndrueshmëri në komunitete – duke ndërtuar qytetarë dhe shoqëri. Përmes aktiviteteve shoqërore dhe seminareve, KMSH i nxit të rinjtë të diskutojnë mbi parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe detyrën për të mos rënë dakord për çdo gjë, por duke respektuar mendimin e tjetrit. KMSH siguron informacion për prindërit në mënyrë që ata të mund të identifikojnë dhe të trajtojnë radikalizimin në komunitetet e tyre. Këto janë çështje të vështira për t’u trajtuar, por është thelbësore që të trajtohen. Urrejtja dhe radikalizimi mund të minojnë edhe themelet më të forta, nëse i lejoni të rriten. Nëse nuk frenohet, ekstremizmi i dhunshëm, mund të rrëzojë madje strukturat demokratike në zonat përreth.
Përmes këtij projekti, i katërti i këtij lloji, KMSH do të shtrijë modelin e tij në rajone të reja. Ai gjithashtu do të krijojë një rrjet rinor të luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm, i pari i këtij lloji në Shqipëri. Ky rrjet do t’i lejojë të rinjtë shqiptarë të shkëmbejnë ide, të diskutojnë sfida dhe të mbledhin praktikat më të mira për t’iu kundërvënë radikalizimit atje ku ata jetojnë. KMSH po ndihmon të rinjtë të zgjerojnë arkitekturën demokratike të Shqipërisë, duke iu dhënë atyre një interes për të ardhmen e vendit dhe duke garantuar që korniza mbështet të gjithë shoqërinë shqiptare.
Ndërtimi mund të mos jetë i lehtë. Ju duhet të vendosni çdo tullë dhe të ngulni çdo gozhdë me kujdes. Kjo është arsyeja pse bashkëpunimi është thelbësor për këtë projekt. Dhe kjo është arsyeja pse KMSH përfshin qeverinë, shoqërinë civile dhe mediat në projektin e tij madhështor. Strategjia Kombëtare e Shqipërisë dhe Plani i Veprimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm vazhdon të shërbejë si plani kryesor i projektit. Pjesëmarrja e qeverisë, siç është Zëvendës Ministrja Kuko dhe Koordinatorja e CVE, janë kyç për ndërtimin e kësaj strukture.
Kthimi i fundit i katër fëmijëve dhe i një nëne nga Siria tregon se ky projekt është më thelbësor se kurrë. Për fat të mirë, KMSH ka partnerë të fortë, përfshirë Ambasadën e SHBA dhe të gjithë udhëheqësit në këtë sallë. Ky projekt çon përpara demokracinë dhe mbrojtjen shqiptare, dy nga tre prioritet e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Dhe ne do të vazhdojmë të jemi partnerë me ju për ta çuar përpara vendosmërinë e Shqipërisë për të rritur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa Shqipëria punon për të udhëhequr Ballkanin në antiterrorizëm dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm, ne do të jemi aty me ju.
Siç thashë, më pëlqen të shoh bashkësi të reja. Por, si Ambasadore e SHBA në Shqipëri, aleaten tonë të NATO-s, më pëlqen të shoh të rinjtë të ndërtojnë një komb edhe më të sigurt dhe demokratik. Faleminderit!