Flag

An official website of the United States government

Fjala e Ambasadores Yuri Kim në Ceremoninë e Përurimit të Memorialit të Holokaustit
4 MINUTA LEXUAR
9 Korrik, 2020

Mirëmëngjes Kryeministër Rama, Kryetar i Bashkisë Veliaj, Ambasador Gendler dhe të ftuar të nderuar,

Është nder të përuroj këtë memorial në respekt të popullit shqiptar që rrezikoi jetën e tij për të mbrojtur hebrenjtë e Evropës. Pas ngjitjes në pushtetit të Hitlerit, familjet shqiptare strehuan me qindra hebrenj nga e gjithë Evropa, duke i shpëtuar ata nga forcat naziste. Kur pushtuesit nazistë kërkuan një listë të qytetarëve hebrenj nga qeveria shqiptare, qeveria refuzoi. Njerëz nga të gjitha sferat e jetës, myslimanë, të krishterë, elita, fshatarë, mësues, zyrtarë të qeverisë dhe klerikë – një komb i tërë – punuan për të shpëtuar hebrenjtë. Kjo është një histori frymëzuese e humanizmit, kurajos dhe nderit – e traditës shqiptare të “besës”.

Jam krenare që qeveria e Shteteve të Bashkuara, përmes Komisionit të Sh.B.A. për ruajtjen e Trashëgimisë së Amerikës jashtë vendit dhe punës së palodhur të anëtarëve të tij, po vlerëson guximin e popullit shqiptar përmes këtij memoriali të fuqishëm. Do të doja të falënderoja Qeverinë e Shqipërisë, veçanërisht kryebashkiakun Veliaj e bashkinë e Tiranës që e shndërruan në realitet këtë projekt. Do të doja të falënderoja gjithashtu edhe ish kryetarin Warren Miller, i cili e nisi këtë projekt; Stephen Jacobs, i cili projektoi këtë memorial mbresëlënës; dhe ish-anëtarin e Komisionit Z. Ronald Bloom, që dhuroi fondet për krijimin e tij. Në fund, do të doja të veçoj një nga paraardhësit e mi, Ambasadorin John Withers, i cili bëri përpjekje të jashtëzakonshme për ngritjen e këtij memoriali. Ai vëren se: “Tetëdhjetë vjet më parë, errësira e luftës dhe gjenocidi përpinë botën. Por drita shkëlqeu në Shqipëri. Gjetkë, me miliona hebrenj dhe popuj të tjerë të persekutuar u zhdukën gjatë Holokaustit. Por jo në Shqipëri, ku populli shqiptar qëndroi për jetën dhe mbrojti të afërmit e tyre hebrenj”.

Ky memorial nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën, por edhe me të ardhmen. Le ta bekojmë gjithnjë kujtimin e popullit të Shqipërisë që veproi me vetëmohim për të mbrojtur të afërmit dhe miqtë e tyre hebrenj. Ky memorial na kujtoftë gjithmonë rëndësinë e veprave të tilla. Dhe u frymëzofshim prej tyre për veprimet tona të humanizmit, guximit dhe nderit.

Faleminderit!