Faleminderit shumë! Është kënaqësi për mua që jam sot këtu me ju! Faleminderit Z. Çela për ftesën tuaj për të qenë të gjithë sot me ju në këtë aktivitet. I vlerësova shumë fjalët tuaja!
Luigi, faleminderit për fjalët e tua gjithashtu! Sërish, bie dakord me ty! Dhe, përpara së gjithash, më duhet të them se Luigi ka të drejtë. 2020 është vit shumë, shumë i rëndësishëm për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në familjen europiane. Ne jemi të gëzuar dhe të nderuar që qëndrojmë krah mikes dhe aleatës sonë të madhe, Shqipërisë, ndërsa ju kryeni ndryshimet e nevojshme. Mendoj se ne të gjithë e kuptojmë se reformat që po ndërmerren janë jashtëzakonisht të rëndësishme, por janë edhe jashtëzakonisht të vështira. Dhe është e nevojshme që miqtë të jenë të pranishëm në kohë të tilla. Prandaj ne jemi të lumtur që jemi këtu sot.
Reforma në drejtësi solli ndryshime të rëndësishme në sistemin e ndjekjes penale të Shqipërisë dhe tani është koha që prokurorët të rifitojnë besimin e publikut. Është një mundësi që ata të cilët janë të përkushtuar ndaj konceptit të drejtësisë dhe shërbimit publik, të sigurojnë qëndrueshmërinë dhe suksesin e këtyre reformave.
Muajt e fundit kanë treguar se ka shumë individë, heronj, të cilët janë të gatshëm t’i përgjigjen thirrjes së detyrës për t’iu bashkuar radhëve të sistemit të drejtësisë, për t’i shërbyer një qëllimi më të lartë. Ndërmjet atyre që iu përgjigjën thirrjes janë ata që u betuan për t’u bërë pjesë e Prokurorisë Speciale, si edhe ata që aplikuan për të qenë Drejtor i Byrosë së re Kombëtare të Hetimit. Ne jemi mirënjohës për përkushtimin dhe guximin që ju treguat në marrjen përsipër të kësaj detyre të vështirë.
Themelimi i Prokurorisë Speciale dhe i BHK-së është një hap vendimtar – një hap shumë i rëndësishëm – për krijimin e një SPAK-u funksional, që do të ketë një qasje proaktive ndaj hetimit dhe ndjekjes penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Si anëtare e NATO-s dhe aspirante për BE-në, Shqipëria duhet të mbrojë shtetin ligjor. Kjo nuk është një zgjedhje; është kërkesë. Dhe ne me kënaqësi qëndrojmë në krah të Shqipërisë ndërsa përmbush këtë kërkesë. Ajo duhet t’i jap fund korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë. Ato janë dy pengesat që nuk e lejojnë Shqipërinë të jetë aq e mrekullueshme sa ajo mund të jetë, që të jetë magneti për investimet që duhet të jetë.
Ne mirëpresim zotimin e shprehur nga Prokurori Çela për të nxitur mendimin strategjik në luftën ndaj krimit, si dhe për të përmirësuar efikasitetin dhe kapacitetin e sistemit të ndjekjes penale. Në vitin 2019, Prokuroria e Përgjithshme punësoi 21 koordinatorë në ndihmë të viktimave. Në muajin shkurt, Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi 10 prokurorë të rinj, dhe secili prej tyre u betua për të mbrojtur kushtetutën.
Fakti që kaq shumë individë kanë bërë përpara për të qenë pjesë e sistemit të ri të prokurorisë është dëshmi e premtimit të reformës në drejtësi. Përkushtimi i tyre ndaj shërbimit publik do të jetë forca që sjell ndryshim në Shqipëri. Falënderoj secilin prej jush që i është përgjigjur asaj thirrjeje, në emër të vendit tuaj dhe vendit tim.
Do doja gjithashtu të përmendja rëndësinë e bashkërendimit. Konferenca e sotme tregon se bashkërendimi është thelbësor për zbatimin e suksesshëm të reformës në drejtësi. Secili prej krerëve të institucioneve që do të flasë këtë mëngjes mund të përfaqësojë një institucion të pavarur – të pavarur, por JO të izoluar. Unë ju bëj thirrje që të vazhdoni të komunikoni me njëri-tjetrin për të forcuar dhe rritur në maksimum aftësinë tuaj për të ofruar drejtësi.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’ju ndihmojnë gjatë vitit të ardhshëm në këtë detyrë dhe në funksione të tjera vendimtare. Konkretisht, ekipi ynë i OPDAT-it është përkushtuar në mbështetjen e sistemit të ndjekjes penale me një grup trajnerësh nga Nju Xhersi të cilët janë angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë gjatë 12 muajve të ardhshëm. Ne do të punojmë me ju për të forcuar aftësitë e prokurorëve që kanë kaluar rivlerësimin kalimtar për të trajtuar dhe parandaluar veprimtarinë kriminale. Ne jemi përkushtuar për të ndihmuar në zhvillimin e Koordinatorëve të sapo-rekrutuar në Ndihmë të Viktimave, për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të njeriut për viktimat e krimit.
Ndërsa ecni përpara në zbatimin e nismave të reformës në gjyqësor, dua të ndaj një citim që përmbledh mënyrën me të cilën prokurorët mund t’i shërbejnë publikut. Citimi është nga Gjykatësi George Sutherland i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, i cili shkroi për prokurorët:
“[Prokurori është] në një kuptim të veçantë dhe shumë të qartë, është shërbëtor i ligjit, qëllimi i dyfishtë i të cilit është që fajtori të mos shpëtojë dhe i pafajshmi të mos vuajë. Ai mund të ndjekë penalisht me zell dhe vrull – dhe ai duhet ta bëjë vërtetë këtë. Por, ndërsa mund të japë vendime të rënda, ai nuk ka lirinë të japë vendime të gabuara. Mbetet po aq detyrë e tij që të përmbahet nga përdorimi i mënyrave të pahijshme, të llogaritura për të prodhuar një dënim të gabuar, ashtu sikurse duhet të përdorë çdo mjet të ligjshëm për të dhënë dënime të drejta”.
Së bashku me partnerët që ndodhen sot këtu, ju kërkoj që përpjekjet tuaja të pasqyrojnë parimet e përqafuara nga Gjykatësi Sutherland në kërkimin fisnik të një sistemi të ndjekjes penale që i përkushtohet plotësimit të nevojave të njerëzve të cilëve ju i shërbeni. Përdorini mjetet e drejta të reformës në drejtësi! Merrini në duart tuaja dhe përdorni forcën e tyre të plotë për të arritur qëllimet e mira për të cilat jeni betuar. Mos i lejoni fajtorët të shpëtojnë! Mos i lejoni të pafajshmit të vuajnë! Shërbejini detyrës tuaj me nder dhe Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me vendosmëri krah jush!
Falminderit shumë!