Flag

An official website of the United States government

Fjalimi i Ambasadores Kim në  Ceremoninë e certifikimit të hetuesve të BKH
Dy vjetorit të SPAK  Hotel Tirana International
9 MINUTA LEXUAR
20 Dhjetor, 2021

Woman speaks into microphone at a table

Fjalimi i Ambasadores Kim në 

Ceremoninë e certifikimit të hetuesve të BKH/Dy vjetorit të SPAK 

Hotel Tirana International, 20 dhjetor 2021 

Faleminderit! Drejtues i Prokurorisë së Posaçme Kraja dhe Drejtoreshë Hajnaj, faleminderit që më keni ftuar në këtë aktivitet të rëndësishëm, i cili është njëkohësisht një festë dhe një ripohim i misionit të rëndësishëm të SPAK. Është gjithashtu e mrekullueshme të jem këtu së bashku me homologun tim të BE-së, Ambasadorin Luigi Soreca. 

Kur erdha për herë të parë këtu, në janar të 2020, pati një ngjarje për reformën në drejtësi, pikërisht në këtë sallë, dhe mendoj se ishte shfaqja jonë e parë publike së bashku, dhe mbaj mend që i thashë publikut atëherë se e lidhja plotësisht veten me komentet e bëra nga ambasadori Soreca, i cili kishte folur para meje. E thashë dy vjet më parë, e them sërish sot, duke e ditur që çdo gjë që do të thoni më pas do të jetë pikërisht ajo në të cilën do të besoj edhe unë. 

Dhe na bën të gjithëve jashtëzakonisht të lumtur të shohim së bashku flamurin shqiptar, flamurin amerikan dhe flamurin e BE-së. Nuk mund të ketë asgjë më të gjallë, asgjë më të fuqishme dhe më shpresëdhënëse. 

Drejtoreshë Hajnaj dhe hetues të nderuar, më kujtohet që ju pashë në korrik, kur grupi i parë filloi dhe ishin gati të nisnin trajnimin. Atëherë isha shumë e frymëzuar dhe mbetem e tillë edhe sot nga patriotizmi, guximi dhe vendosmëria juaj për të bërë një ndryshim pozitiv në Shqipëri. 

Tani, me mbylljen e vitit 2021, jam shumë e kënaqur që kthehem për këtë ceremoni certifikimi dhe t’ju shoh të merrni kredencialet tuaja zyrtare. Por, siç e dimë të gjithë, ju e keni filluar më parë punën. 

Ashtu sikurse klasa e parë e FBI-së në Amerikë me 34 agjentë në vitin 1908, ju tashmë po e ngrini BKH-në në si një shtyllë që mbështet demokracinë e Shqipërisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ashtu si ata agjentë të parë, suksesi në këtë luftë do të bazohet në punën e rëndësishme që bëni çdo ditë. 

Asgjë nga këto nuk do të jetë një mrekulli, asgjë nuk do të jetë e lehtë, asgjë nuk do të jetë e shpejtë. Është punë e vështirë, duhet të paraqitesh çdo ditë, duhet të injoroni fjalët dhe duhet të qëndroni të fokusuar. 

Më ka lënë shumë mbresa ndjenja juaj e detyrës për të ndërmarrë veprime, në emër të bashkëqytetarëve tuaj, për të korrigjuar një sistem që në të kaluarën mbyllte sytë para praktikave korruptive dhe ku individët kanë vepruar pa u ndëshkuar. Më ka lënë shumë mbresa edhe guximi juaj për të mbrojtur drejtësinë dhe për të hetuar këdo që duhet hetuar, pavarësisht nga pozicioni apo pasuria e tij, për ta bërë Shqipërinë, jo vetëm të pastër, por më të pasur. 

Ndërsa fitoni përvojë dhe suksese, puna juaj po ndërton gjithashtu një BKH që do të zërë vendin e saj përkrah FBI-së Amerikane dhe kolegëve ndërkombëtarë – duke i treguar Evropës dhe pjesës tjetër të botës se BKH shqiptare është një partnere e besuar në hetimet penale. 

Kryeprokuror Kraja, do të tregohesha e pakujdesshme nëse nuk do të shfrytëzoja rastin për të uruar SPAK-un dhe Prokurorinë e Posaçme në dyvjetorin e krijimit. 

Veprat flasin më shumë se fjalët. Dhe mendoj se në dy vitet që kur SPAK u bë realitet, ne kemi parë një veprim mbi një tjetër. Dhe unë mendoj se i gjithë vendi ka mbetur i habitur nga ajo që po ndodh, i gjithë vendi ka pritur për këto momente. 

Qeveria e Shteteve të Bashkuara, përkrah popullit shqiptar, falënderon prokurorët e përkushtuar të SPAK-ut për luftën e tyre të palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. 

Është veçanërisht domethënës fakti që BKH dhe Prokuroria e Posaçme janë këtu së bashku për të festuar ngjarje të rëndësishme – sepse vetëm së bashku mund të merrni përsipër dhe të keni sukses në çështjet më të rëndësishme: duke zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht ata që duan të dëmtojnë të tjerët ndërsa pasurojnë veten; dhe duke siguruar drejtësi për popullin e Shqipërisë. Ky partneritet dhe lidhje mes Prokurorisë së Posaçme dhe BKH-së është ajo çka e bën SPAK-un posaçërisht të fuqishëm dhe ju nxis që të punoni ngushtë çdo ditë për të garantuar që do të mbeteni të lidhur, prokurorë dhe hetuesi – të punoni së bashku, të ecni përpara së bashku, krah për krah, sup më sup.

Viti 2021 ka qenë pika e kthesës për luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Brenda paketës së reformës në drejtësi, BKH-ja hap tani një kapitull të ri të institucioneve gjyqësore të pavarura, të besuara, efiçente dhe të besueshme. Edhe më shumë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara është në rrugë e sipër. Vitin e ardhshëm, do të shohim një klasë tjetër të hetuesve të BKH-së t’ju bashkohen në këtë përpjekje. 

E themi shpesh këtë. Reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur. Por ne do të vazhdojmë të ecim përpara, hap pas hapi. Dhe kur të biem, do të ngrihemi përsëri. Kur të shohim kolegët tanë të rrëzuar, ne do ti ndihmojmë të ngrihen përsëri. Pika kryesore është: të ngrihesh përsëri. Vazhdoni të ecni përpara, pavarësisht se çfarë thotë cilido. 

Dhe, jini të sigurt, kur punoni së bashku, me partnerët, do të bëhet më e shpejtë dhe më e lehtë, dhe më e përsosur, me kalimin e kohës. 

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin përpjekjet tuaja në çdo mënyrë të mundshme. Ju mund të mbështeteni te ne, dhe në të njëjtën mënyrë ne do të mbështetemi te ju. Dua të them se në këtë dyvjetor të ekzistencës së SPAK-ut, duhet të jeni krenarë që po bëheni heronj të fëmijëve, makthi i kriminelëve. Makthi i kriminelëve! Ata që mendonin se nuk do të kapeshin kurrë. Ata që menduan se mund t’ia mbathnin. Ata që menduan, sepse kishin një mik këtu ose një të afërm atje, para këtu, para atje, se nuk do të jepnin kurrë llogari për krimet e tyre. Atyre ditëve, siç po e tregoni ju, po iu vjen fundi. Pra, ju jeni heronj të fëmijëve, makthi i kriminelëve dhe shpresa e vendit tuaj. 

Ju përgëzoj, ju falënderoj dhe ju inkurajoj.