Shoh që ka shumë teori konspirative tashmë që qarkullojnë në të gjithë vendin, kështu që dua të shpjegohem. Dua të shpjegoj pse erdha.
Ky është një moment vërtet i rëndësishëm për reformën në drejtësi dhe për SPAK-un. Pse erdha këtu? Erdha të them pikërisht këtë, për të theksuar se ky është një moment i rëndësishëm. Erdha sepse ajo që është shumë e rëndësishme në këtë tranzicion është integriteti i procesit. Unë nuk jam këtu për t’i thënë askujt se për kë duhet të votojnë ose për kë nuk duhet të votojnë. Nuk ka asnjë mesazh të fshehtë. Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë të drejtpërdrejta me popullin e Shqipërisë. Ju e dini këtë, dhe ju e dini se unë personalisht nuk jam një person delikat. Unë them atë që dua të them, dua të them atë që them dhe përfaqësoj politikën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Një prioritet i Shteteve të Bashkuara është të japë siguri që reforma në drejtësi të zbatohet plotësisht dhe siç duhet. Është bërë përparim i jashtëzakonshëm dhe shumë njerëz kanë merita, duke filluar nga qeveria e këtij vendi. Duhet ta vlerësojmë këtë. Merita ka edhe opozita dhe kritikët për mbajtjen e qeverisë të ndershme – kjo është puna e tyre. Merita iu shkon atyre që marrin pjesë në sistem, mediave, qytetarëve të thjeshtë për ndjekjen e këtij procesi. Detyra e Shteteve të Bashkuara në këtë proces është t’ju mbështesë. Ju duhet të dëshironi reformën në drejtësi, ju duhet të dëshironi ndryshimin, shumë më tepër se ne. Ruth Bader Ginsburg tha diçka shumë të mençur kohët e fundit: “Njerëzit duhet të duan ndryshimin. Pa njerëzit, ndryshimi nuk mund të zgjasë.” Në të gjithë vendin, është shumë e qartë për mua se njerëzit duan ndryshim. Pra, ky është një moment i rëndësishëm.
Është e rëndësishme që anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të kenë kaluar këtë ushtrim për të dëgjuar kandidatët e ndryshëm dhe për të bërë pyetje të vështira. Dhe ne jemi shumë me fat sepse kemi tre kandidatë shumë të kualifikuar, të tre. Por ata do të kenë një vendim të vështirë përpara. Baza e atij vendimi duhet të jetë objektiv, duhet të jetë shqyrtimi i kritereve, i kualifikimeve. Nuk duhet të bazohet në perceptime të kërcënimeve apo premtimeve për favore. Kjo do të prishte integritetin e procesit përzgjedhës. Është gjithashtu e rëndësishme sepse kushdo që zgjidhet duhet të dijë se ai është zgjedhur në bazë të kualifikimeve dhe kritereve të tij, jo për shkak të perceptimeve të kërcënimit apo premtimeve që janë bërë sepse kjo do t’ju jepte një kryeprokuror që mendon se ia detyron punën e tij dikujt. Kushdo që zgjidhet duhet të mendojë se i vetmi zot i tij është ligji dhe se ai i shërben popullit të këtij vendi.
Pra, përsëri, nuk ka asnjë kuptim të veçantë (çasti i mbërritjes sime në Pallatin e Drejtësisë): Erdha kur erdha sepse atëherë më lejonte orari. Unë jam shumë e prerë. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu; ky është mesazhi im.