Shtetet e Bashkuara – Shqipëria: 25 Vjetori, me të Ngarkuarin me Punë David Muniz

Më 15 mars, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Z. David Muniz vizitoi Universitetin Marin Barleti ku pati një disktumin tejet interesant rreth 25 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë me studentë të Juridikut, Ekonomikut dhe Shkencave Politike.

I Ngarkuari me Punë Muniz diskutoi se si marrëdhëniet midis dy vendeve janë zhvilluar në mënyrë graduale, përsa i përket atyre midis qeverive, por më së shumti atyre midis njerëzve. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria ulen në të njëjtin tavolinë të Këshillit Atlantik të Veriut, si aleatë dhe partnerë të cilët ndajnë të njëjtat vlera, por edhe sfida.

I ngarkuari me Punë i Ambasadës Z. Muniz foli edhe për prioritetet kryesore të Qeverisë së SH.B.A në Shqipëri, përfshirë këtu adoptimin dhe fuqizimin e reformave kyçe, promovimin e sigurisë së përbashkët, forcimin e institucioneve demokratike si edhe zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik.

I ngarkuari me Punë i Ambasadës Z. Muniz në mbyllje të fjalës së tij, citoi Sekretarin Amerikan të Shtetit Z. John Kerry gjatë vizitës së tij në Shqipëri më pak se një muaj më parë: “Unë ndodhem sot këtu se ne jemi miq. Dua ta theksoj këtë. Ne jemi aleatë. Shqipëria ka bërë zhvillim të rëndësishëm dhe është e angazhuar – kjo pa më të voglën dyshim – për të arritur edhe më tepër. Dhe duke bërë këtë, Shqipëria mund të mbështetet në miqësinë dhe besimin e popullit Amerikan dhe të qeverisë tonë. Unë ju premtoj që: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria do ta rrisin dhe forcojnë këtë marrëdhënie kaq të veçantë që ne kemi sot.”

Në fund të diskutimit pati shumë pyetje nga studentët e pranishëm.