Shtetet e Bashkuara Mirëpresin Ofertën e Qeverisë së Shqipërisë Për Rivendosjen e Banorëve të ish-Kampit Ashraf

Deklaratë për Shtyp
Viktoria Nuland
Zëdhënëse e Departamentit të Shtetit , Zyra e Zëdhënësit
Uashington, DC
18 mars 2013

Shtetet e Bashkuara mirëpresin ofertën bujare të Qeverisë së Shqipërisë për të rivendosur 210 ish-banorë të Kampit Ashraf, aktualisht të vendosur në Kampin Hyrriya, dhe falenderojnë Kryeministrin Berisha për gjestin humanitar për të ofruar një strehë të sigurt për këta individë. Shqipëria ka qenë një partnere e fortë e Shteteve të Bashkuara në përpjekjen për të sjellë stabilitet dhe paqe në Irak.

Besojmë që rivendosja e përhershme e banorëve të ish-kampit Ashraf jashtë Irakut është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme dhe mbetemi të përkushtuar për të ndihmuar UNAMI, UNHCR dhe Qeverinë e Irakut në këtë përpjekje. Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje udhëheqjes së MEK që të pranojë menjëherë ofertën humanitare të Qeverisë së Shqipërisë dhe nxit banorët e Kampit Hurriya të rifillojnë pjesëmarrjen në intervistat për rivendosje për t’u siguruar që individët të shfrytëzojnë mundësitë për rivendosje të sigurt jashtë Irakut. Gjithashtu, nxisim udhëheqjen e MEK që t’i japë përparësinë më të madhe sigurisë së ish-banorëve të Ashraf me anë të bashkëpunimit të plotë dhe pa kushte me procesin e rivendosjes.

Shtetet e Bashkuara mbështesin fort punën e Misionit të Ndihmës së Kombeve të Bashkuara në Irak (UNAMI), UNHCR, dhe Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm Martin Kobler. Vazhdojmë të theksojmë që kampi dhe banorët e tij duhen siguruar në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit të 25 dhjetorit 2011 midis Kombeve të Bashkuara dhe Qeverisë së Irakut dhe nxisim të gjitha palët e përfshira që të punojnë për këtë sëbashku në mënyrë të efektshme.