Shpallja e Obamës për Muajin e Historisë së Grave 2013

SHTËPIA E BARDHË

Zyra e Zëdhënësit të Shtypit

28 shkurt 2013

MUAJI I HISTORISË SË GRAVE, 2013

– – – – – – –

NGA PRESIDENTI I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

SHPALLJE

Për më shumë se dy shekuj kombi ynë është rritur nën besimin e thjeshtë se secili prej nesh është i barabartë që në lindje. Ky është koncepti që e dallon Amerikën nga çdo vend tjetër në tokë – si vendi ku pavarësisht se nga vjen apo pamjes që ke, mund të ecësh aq sa të lejojnë talentet që ke.

Muaji i Historisë së Grave është koha për të kujtuar ato që luftuan për ta bërë sa më të vërtetë këtë liri për vajzat dhe djemtë tanë. Nisur nga premtimi i së drejtës së votës, ato gra kapën mundësitë për të zhdukur hapësirën midis Amerikës ashtu siç ishte e asaj që mund të bëhej. Ato nxiteshin nga besimi se Bashkimi ynë mund t’i ofronte barazi të vërtetë cilitdo qytetar që ishte i gatshëm ta kërkonte këtë. Vit pas viti, gra vizionare takoheshin, marshonin dhe mobilizoheshin për të provuar atë që në fakt duhet të ishte e qartë. Ato e shndërruan takimin në Seneka Folls në një lëvizje që preku çdo komunitet dhe angazhoi institucionet tona më të larta. Dhe, pas dekadash përparimi të ngadaltë, sistematik e të jashtëzakonshëm, gratë kanë arritur të shkruajnë mundësitë e barabarta në mënyrë të përsëritur në ligj, duke u dhënë kështu brezave të vajzave një të ardhme që e meriton potencialin e tyre.

Kjo trashëgimi ndryshimi na rrethon gjithandej. Gratë përbëjnë thuajse gjysmën e fuqisë punëtore të kombit tonë dhe më shumë së gjysmën e të diplomuarve nga universitetet. Por edhe tani, shumë gra ndiejnë peshën e diskriminimit mbi shpatullat e tyre. Ato përballen me ndryshim page në punë, vlera më të larta sigurimi shëndetësor, apo mundësi të papërshtatshme leje për t’i qëndruar pranë familjes. Këto çështje na prekin të gjithëve, dhe mostrajtimi i tyre e mban në prapambetje vendin tonë.

Prandaj edhe administrata ime i ka kthyer nevojat e grave dhe vajzave në përparësi që nga dita e parë – që nga firmosja e Ligjit të Lili Ledbeter-it për Pagë të Barabartë për të garantuar se gratë do të përfaqësohen mes shkencëtarëve dhe inxhinierëve kryesorë. Kjo është arsyeja pse siguruam mbrojtje të forta dhe më shumë shërbime parandaluese për gratë nën Ligjin për Sigurime të Përballueshme. Prandaj kemi luftuar për më shumë fleksibilitet në vendin e punës, mundësi arritjeje për kapital dhe trajnim nga bizneset me pronare gra, si edhe pagë të barabartë për punë të barabartë. Kjo është arsyeja pse kemi marrë masa të pakësojmë dhunën kundër grave në vend dhe jashtë tij, dhe për të fuqizuar gratë anekënd botës me mundësi të plota politike dhe ekonomike.

Nuk do të jetë e lehtë t’i përmbushim këto sfida. Por historia jonë tregon se kur kombinojmë kurajën dhe zgjuarsinë me besimet tona themelore, nuk ka pengesa që s’mund të kapërcejmë. Mund t’i qëndrojmë besnik besimit tonë themelor se në Amerikë të gjitha gjërat mund të jenë të mundshme për të gjithë njerëzit. Kjo frymë i bëri mamatë dhe gjyshet tona të luftonin për një botë ku nuk ka tavan apo mur që të mund t’i ndalojë ëndrrat e vajzave të tyre. Dhe sot ndërsa ndërmarrim çështjet përkufizuese të kohës sonë, Amerika i ka sytë te brezi i ardhshëm i ‘lëvizëseve’ dhe marshueseve për të prirë rrugën.

PRANDAJ TANI, UNË, BARAK OBAMA, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me fuqinë e autoritetit që më është besuar nga Kushtetuta dhe ligjet e Shteteve të Bashkuara, e shpall muajin mars 2013 si Muajin e Historisë së Grave. U bëj thirrje të gjithë amerikanëve të shënojnë këtë muaj dhe të festojnë Ditën Ndërkombëtare të Grave në 8 mars, 2013, me programe, ceremoni dhe aktivitete  të përshtatshme. I ftoj gjithashtu të gjithë amerikanët të vizitojnë adresën www.WomensHistoryMonth.gov për të mësuar më shumë rreth brezave të grave që kanë formuar historinë tonë.

SI DËSHMI PËR KËTË, unë vendos dorën time këtë ditë të njëzetetetë të shkurtit, në vitin dymijë e trembëdhjetë, dhe vitin e dyqindetridhjeteshtatë të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

BARAK OBAMA