Faleminderit të gjithëve që erdhët në ceremoninë e sotme. Dua t’i uroj mirëseardhjen Ministrit të Mbrojtjes Peleshi, Zëvendës Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme Fino dhe shefit të shtabit, Gjeneral Majorit Begaj. Faleminderit që jeni me ne në këtë ditë të rëndësishme.
Miq, kolegë, Ministër Peleshi, Zv. Ministre Fino, Gjeneral Major Begaj,
Ju lutemi bashkohuni me mua për një minutë heshtje ndërsa marinsat ulin flamurin në gjysmë shtizë për të nderuar viktimat e 11 shtatorit 2001.
Sot ne kujtojmë atë ditë të tmerrshme të 20 viteve më parë. Kujtojmë aktet mizore të vrasjeve dhe terrorizmit mizor në Qytetin e Nju Jorkut, në Uashington DC dhe mbi qiellin e Pensilvanisë.
Ne kujtojmë frikën, zemërimin, tmerrin tonë.
Ne kujtojmë viktimat. 2,977 burra, gra dhe fëmijë të vrarë, më shumë se 6,000 të plagosur. Familje të shkatërruara përjetë dhe të ardhme të humbura. Të gjithë ne ishim viktimat. 90 vende humbën qytetarët e tyre atë ditë. Ne kujtojmë Mon Gjonbalaj, Roko Camaj, dhe Simon Dedvukaj, tre viktimat që e quanin Shqipërinë atdheun e tyre.
Ne kujtojmë miqtë tanë, të afërmit tanë, bashkëpunëtorët tanë që humbën dhe që vuajtën nga ngjarjet e asaj dite. Kujtojmë ata, jeta e të cilëve u ndryshua përgjithmonë.
Kujtojmë edhe heronjtë.
Ne kujtojmë dhënësit e ndihmës së parë dhe personelin e urgjencës që u turrën drejt Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit ndërsa digjeshin, duke përkuar në më të shumtën e herës me aktin e tyre të fundit heroik.
Kujtojmë bashkëqytetarët që ndihmuan njëri -tjetrin. Duke mbartuar ata që nuk mund të ecnin drejt sigurisë. Duke hapur makinat dhe shtëpitë e tyre për të huajt që kishin nevojë për ndihmë. Ne kujtojmë rradhët e dhuruesve të gjakut dhe të vullnetarëve që bënë gjithçka mundën për të ndihmuar.
Ne kujtojmë pasagjerët e Fluturimit 93 që kapën çastin për të mbrojtur të tjerët, edhe nëse kjo nënkuptonte humbjen e jetës për ta.
Ne kujtojmë aleatët dhe miqtë tanë në të gjithë botën, përfshirë Shqipërinë, që qëndruan me ne kundër terrorit dhe së keqes. Ne kujtojmë aleatët tanë të NATO -s, anëtare krenare e të cilës është tani Shqipëria, duke kërkuar zbatimin e Traktatit të Uashingtonit, për ne.
Ne kujtojmë ata që luftuan dhe shërbyen në Afganistan, duke punuar për vënien e drejtësisë për aktet e terrorit të 11 shtatorit dhe për premtimin e një të ardhme më të mirë për afganët.
Kujtojmë ushtarët, marinarët, pilotët, marinsat, diplomatët, punonjësit e ndihmës dhe qytetarë të tjerë që iu përgjigjën thirrjes së detyrës dhe shumë të tjerë që dhanë jetën në shërbim të asaj kauze. Amerikanët dhe shqiptarët shërbyen në Afganistan krah për krah, një trashëgimi tjetër e aleancës sonë të përbashkët. Ne kujtojmë shumë anëtarë të këtij komuniteti, të së shkuarës dhe të tashmes, të cilët dolën vullnetarë për të shërbyer në Afghanistan, Irak dhe vende të tjera të rrezikshme. Faleminderit për shërbimin dhe sakrificën tuaj.
Ne e mbajmë mend dhe nuk do ta harrojmë kurrë.
Tani do të doja të ftoja Ministrin Peleshi që të fliste në emër të Qeverisë së Shqipërisë.