*fjalimi i parapërgatitur
E dashur ministre Gjonaj,
I dashur kryetar Ibrahimi, Prokuror i Përgjithshëm Çela dhe Drejtues Kraja,
Të ftuar të nderuar,
Faleminderit për ftesën për t’u bashkuar sot në këtë tryezë të rrumbullakët të rëndësishme. Më vjen mirë të shoh drejtues të institucioneve të akuzës në Shqipëri të mbledhur së bashku me Ministren e Drejtësisë, për të diskutuar përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër krimit, përfshirë por jo vetëm kufizuar në krimin e organizuar, korrupsionin dhe prirjet e tyre të reja në zhvillim.
Ju e dini më mirë se unë, që ndjekja penale e suksesshme në luftën kundër krimit nuk varet nga puna e mirë e një institucioni të vetëm. Të gjitha institucionet e drejtësisë duhet të punojnë së bashku dhe fokusi ynë sot është puna e përbashkët dhe bashkëpunimi i institucioneve të ndjekjes penale në Shqipëri për të ndërtuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë penale. Ekzistenca e institucioneve tuaja ishte një hap thelbësor në ndërtimin e themeleve mbi të cilat vazhdon të ndërtohet reforma në drejtësi. Duhet të vazhdoni përpara. Sistemi është funksional, por nuk është ende në majën që duhet, për shkak të mungesës së personelit si dhe mungesës së besimit të publikut tek ata që nuk e kanë kaluar përfundimisht vlerësimin kalimtar (vetingun). Tani është koha për të ndërtuar një urë drejt funksionalitetit të plotë, për të trajuar mungesat e personelit të krijuara nga vetingu.
Muajin e kaluar, Presidenti Biden e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë korrupsionin një kërcënim për sigurinë kombëtare. Si pasqyrim i kësaj politike të re, Presidenti Biden zgjeroi shtrirjen e Urdhrit Ekzekutiv për të Sanksionuar Personat e Përfshirë në Destabilizimin e Ballkanit Perëndimor për të përfshirë Shqipërinë, për të identifikuar sjellje të tjera të dënueshme dhe për ta bërë Urdhrin Ekzekutiv të zbatueshëm ndaj një gamë më të gjerë personash të përfshirë në aktivitete që çojnë në abuzim serioz të të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor ose që kanë të bëjnë me korrupsionin.
Ky Urdhër Ekzekutiv duhet të nxisë zyrat e prokurorisë në të gjithë botën, përfshirë Shqipërinë, të dyfishojnë përpjekjet për të luftuar korrupsionin. Ulja e numrit të prokurorëve për shkak të procesit thelbësor dhe kërkues të verifikimit kalimtar, ndërlikuar nga pengesat e paparashikuara të pandemisë së COVID-19, theksojnë nevojën e përshtatjes së vazhdueshme dhe nivelet më të larta të performancës.
Ju nxis të punoni së bashku për të identifikuar boshllëqet në kapacitetin tuaj institucional dhe për të punuar bashkarisht për të gjetur mënyrat më të mira për t’i trajtuar ato. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin dhe të punojnë në partneritet me ju në përpjekjen tuaj për të ndërtuar një Shqipëri më të begatë, më të sigurt dhe më demokratike, me institucione që shërbimin ndaj publikut e bëjnë përparësinë e tyre.
Faleminderit!