Është një nder të jem pjesë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit të sotme, kulmim i vizionit dhe i punës së palodhur të një numri njerëzish në të gjithë globin. Dua të përgëzoj ExxonMobil, Excelerate Energy dhe Ministren Balluku dhe të gjithë ekipin e saj, duke sjellë në jetë një ëndërr strategjike dhe të frytshme për të cilën kemi punuar së bashku për më shumë se një vit. Nënshkrimi i sotëm i Marrëveshjes së Mirëkuptimi është novator!
Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur prej kohësh rolin unik të Aleatit të NATO-s në çuarjen përpara të sigurisë evropiane të energjisë. Objektet në Vlorë do të shënojnë një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të aksesit të Evropës në burime të ndryshme dhe të besueshme të energjisë. Një Evropë e sigurt në burimet e saj energjitike është një partner më i fortë në arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta në rajon dhe rreth botës.
Vlora do të ishte gjithashtu një hap i madh përpara në adresimin e energjisë dhe sfidave të ndryshimit të klimës në rajon. Memorandumi i sotëm hedh bazat për t’i dhënë fund mbështetjes në termocentralet e vjetëruar me qymyr në të gjithë Ballkanin. Përzierja e larmishme e energjitikës së Shqipërisë, hidrike, diellore, eolike dhe tani GNL (gazi natyror i lëngshëm), do ta poziciononte Shqipërinë në të qenit një eksportuese dhe partnere neto e energjisë në përpjekjen për të trajtuar në mënyrë domethënëse ndryshimin e klimës.
Dua të vlerësoj Exxon dhe Excelerate që patën largpamësinë për të parë vlerën strategjike të Shqipërisë si një pikë kyçe hyrëse në Ballkan dhe në Evropë më gjerësisht. Rritja e lidhjeve ekonomike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara është një nga përparësitë tona kryesore strategjike të SH.B.A.-së dhe unë e shoh ditën e sotme si një moment historik gjigant në atë përpjekje. Presim me kënaqësi të vazhdojmë të punojmë me ju për të forcuar lidhjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe për të dhënë një kontribut pozitiv në shëndetshmërinë e energjisë dhe të klimës së rajonit.