Flag

An official website of the United States government

Fjalimi i Ambasadores Kim në Aktivitetin e Ditës Ndërkombëtare të Infermierit
4 MINUTA LEXUAR
12 Maj, 2021

Mirëmbrëma,

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Infermierit, nderojmë sakrificat e atyre që punojnë pa u lodhur për t’u kujdesur për pacientët e tyre. Këtë vit, në mes të pandemisë COVID-19, u jemi veçanërisht mirënjohës çdo infermieri dhe profesionisti të kujdesit shëndetësor. Ju keni qenë në vijën e para të luftës kundër pandemisë, duke luftuar trimërisht – siç keni bërë gjithmonë – për të shpëtuar jetë

Disave prej jush iu është dashur të vajtojnë kolegët dhe anëtarët e familjes që kanë humbur jetën për shkak të COVID-19. Sot, ne nderojmë në veçanti infermierët që humbën jetën për shkak të kësaj sëmundjeje. Pavarësisht se sa ju ka kushtuar personalisht kjo pandemi, ju gjetët guximin dhe përkushtimin për të vazhduar luftën për ne. Ju keni qenë heronjtë tanë!

Shtetet e Bashkuara janë të nderuara të mbështesin përpjekjet tuaja. Që nga fillimi i pandemisë, Shtetet e Bashkuara e kanë ndihmuar Shqipërinë me më shumë se 2 milionë dollarë pajisje mbrojtëse personale, pajisje mjekësore, trajnime dhe teknologjinë më të fundit, që forcuan aftësinë e Shqipërisë për ta luftuar COVID-19. Ne siguruam trajnim për parandalimin e infeksioneve për infermierët dhe siguruam inkubatorë dhe ngrohës për të mbështetur fëmijët që kuroheshin nga COVID-19. Siguruam automjete për t’i dhënë mundësi Shqipërisë të kryejë gjurmimin dhe testimin më të gjerë të kontakteve.

Ju mbështetëm në mënyrë që të vazhdonit të luftonit dhe të qëndronit të fortë kur pacientët kishin nevojë për ju. Të kujdesurit që bota të kthehet sërish në gjendjen normale shëndetësore do të jetë i vështirë, por nëse dikush mund ta bëjë këtë, këta jeni ju. Ne besojmë në durimin, forcën, frymën e sakrificës vetëmohuese dhe profesionalizmin tuaj. Ne do të bëjmë pjesën tonë për të ndihmuar.

Siç e dini, Shtetet e Bashkuara kanë angazhuar më shumë se 4 miliardë dollarë për programin COVAX, duke na bërë donatorin e vetëm më të madh në këtë përpjekje për t’i bërë vaksinat të disponueshme sa më shpejt dhe sa më gjerësisht të jetë e mundur. Kemi qenë të kënaqur – sinqerisht të lehtësuar – të shohim COVAX-in të sjellë vaksina në Shqipëri. Sa më shumë vaksinohet bota, aq më shumë presim që barra e jashtëzakonshme që keni mbajtur gjatë vitit të kaluar, të bëhet pak më e lehtë.

Sonte, kujtojmë ata që kemi humbur, nderojmë përpjekjet heroike të infermierëve dhe profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe zotohemi të vazhdojmë të qëndrojmë me ju dhe krah jush, derisa të arrijmë dritën në fund të tunelit.

Faleminderit për gjithçka keni bërë dhe që do të vazhdoni të bëni.