Ministër Peleshi, Gjeneral Major Begaj, burra dhe gra në uniformë nga 33 vendet partnere dhe aleate tona këtu sot, mirë se vini në Tiranë. Është e mrekullueshme t’ju kemi sërish këtu!
Ju ishit këtu vetëm disa muaj më parë, të angazhuar në të gjitha llojet e aktiviteteve përgjatë këtij vendi të mrekullueshëm, aleates sonë të shkëlqyer dhe është mirë t’ju kemi përsëri këtu, për të planifikuar stërvitjen tjetër të “Defender Europe 2023”.
Disa muaj më parë qëndruam në mes të sheshit “Nënë Tereza”, pikërisht jashtë këtij hoteli, ku shprehëm se si “Defender 21” ishte një moment historik. Është një piketë në angazhimin e Shqipërisë në sigurinë rajonale dhe përmbushjen e detyrimeve të saj në NATO, si dhe partneritetin e saj me ne dhe të gjithë anëtarët e kësaj aleance të madhe.
Dita e sotme përfaqëson një zgjerim të atij angazhimi dhe ne do t’i çojmë përpara qëllimet tona të përbashkëta për gatishmëri dhe ndërveprim. Fjala “historike” përmendet shpesh, por është me të vërtetë fjala e vetme që mund të përdorim për të përshkruar stërvitjen që kemi në plan të ndërmarrim, që kemi ndërmarrë këtë vit. Kjo përfshin një grup stërvitjesh jashtëzakonisht ambicioze. Fakti që kemi mbi 30 vende pjesëmarrëse këtu këtë javë, tregon se qëllimi ynë për të vepruar së bashku në tokë, në det ose në ajër, nuk është vetëm dobiprurës, por është edhe i arritshëm.
Të shohësh flamujt e vendeve tona në uniformat e atyre që stërviten krah për krah, dërgon një mesazh të fuqishëm për miqtë tanë, ashtu edhe për kundërshtarët tanë, se kombet tona nuk do të prapësohen së mbrojturi miqtë dhe aleatët tanë.
Detyra për t’u siguruar se mund të parandalojmë konfliktin, të ruajmë paqen dhe t’i mbajmë kombet tona të sigurta nuk është një detyrë e lehtë, por mund dhe duhet të arrihet. Kjo do të kërkojë një shumë përpjekje dhe zgjidhje problemesh ndërsa krijoni trajnime aktuale dhe të rëndësishme, ndërsa kryeni edhe misione të vërteta në botë.
Ne duhet të ndërtojmë mbi sukseset, si dhe mësimet e nxjerra nga “Defender Europe 2021” për të siguruar që “Defender 23”, dhe “Defender 22” në fakt, të jenë sa më të dobishme.
Përgjatë kohës tuaj këtu në Shqipëri, jam e sigurtë se do të përjetoni të njëjtën mikpritje, ngrohtësi dhe bukuri të Shqipërisë që unë kam dëshmuar. Shqipëria, ashtu si kombet e përfaqësuara në këtë vend, është e përkushtuar ndaj aleatëve të saj në NATO dhe ka treguar vazhdimisht se është një mike dhe aleate e vërtetë dhe guximtare e Shteteve të Bashkuara.
Ne nuk mund të kishim kërkuar më shumë se kaq.
Shpresoj që çdo ushtar, detar dhe pilot të mos harrojë se të gjithë ju jeni si unë në këto çaste, ambasadorë të vendit tonë. Shpresoj se do të përfitoni nga këto çaste për të parë vendin, për të përfaqësuar më të mirën e Amerikës dhe për të përfaqësuar më të mirën e Shqipërisë kur të largoheni për t’u kthyer në vendin tonë.
Faleminderit për punën tuaj të pandërprerë në mbajtjen e vendeve tona më të sigurta. Pres më kënaqësi t’ju shoh ju dhe ushtarët, marinarët dhe pilotët tuaj sërish në Shqipëri për “Defender 23”.
Shumë faleminderit!