Faleminderit Ministre Gjonaj, Ambasador Soreca, kolegë të nderuar,
është kënaqësi t’ju shoh të gjithëve ju! Jemi mbledhur në një moment shumë të rëndësishëm.
Pesë vjet më parë, Shqipëria miratoi ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të cilat krijuan kornizën për Reformë gjithëpërfshirëse në Drejtësi. Sondazhet në atë kohë treguan se 93% e qytetarëve shqiptarë mbështesnin reformën në drejtësi, ata e kërkonin reformën në drejtësi, gjë që dëshmon se sa shumë shqiptarët e zakonshëm, shqiptarët mesatarë dëshirojnë ndryshim të vërtetë, thelbësor në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Ashtu si më pëlqen të them shpesh, Reforma në Drejtësi nuk ka qënë e lehtë, e shpejtë apo perfekte, por tani po shohim rezultate. Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm drejt Reformës në Drejtësi që qytetarët e saj kërkojnë dhe ne po shohim rezultatet e atyre përpjekjeve. Të gjitha institucionet e ngritura nga Reforma në Drejtësi në 2016 janë tashmë plotësisht funksionale. Disa nuk janë plotësuar tërësisht, por janë tërësisht funksionale, përfshirë Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ashtu si kemi parë edhe nga kryetitujt, SPAK dhe BKH-ja gjithashtu janë ngritur, janë duke funksionuar dhe po japin rezultate. Vetingu i fuqishëm i gjykatësve dhe prokurorëve ka çrrënjosur shumë zyrtarë të korruptuar.
Me institucionet e drejtësisë tashmë të ngritura, ato po tregojnë tani se mund të veprojnë dhe se mund të japin rezultate në emër të popullit shqiptar. Ato po tregojnë se ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë, të mëdhenj dhe të vegjël. Askush, askush, sado i fuqishëm mendon se është në këtë çast, askush nuk është mbi ligjin dhe është në dorën e institucioneve shqiptare të drejtësisë, është në dorën tuaj të tregoni nëpërmjet veprimeve tuaja se kjo është e vërtetë dhe do të jetë e vërtetë.
Është shpresa e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, dhe është shpresa e të gjithëve rreth kësaj tryeze, për t’u siguruar se çdo gjë do të bëhet në mënyrën e duhur, se do të thyejnë ciklin e pandëshkueshmërisë dhe do të krijojnë shpresë për brezin e ardhshëm.
Siç e thashë, kemi filluar të shohim rezultate — nga heqja e gjyqtarëve të korruptuar dhe dënimet e prokurorëve të niveleve të larta, tek arrestimet e politikanëve, policëve dhe kriminelëve të krimit të organizuar, që kanë pushtuar titujt kryesorë të javëve të fundit. Shumë vetë thanë se nuk mund të bëhej. Shumë vetë në fakt, nuk donin që të bëhej. Por po ndodh. Shumë do të vazhdojnë të shpresojnë dhe shumë do të vazhdojnë të veprojnë, për t’a ndaluar së ndodhuri.
Është detyra e të gjithëve në këtë tryezë por kryesisht e shqiptarëve në këtë tryezë, jo e të huajve, e shqiptarëve në këtë tryezë, që të rivërtetoni dhe të rikonfirmoni detyrën tuaj dhe të zbatoni detyrën tuaj ashtu si njerëzit besojnë se ju do ta kryeni atë. Tani është koha që ju të nisni një epokë të re në Shqipëri, të krijoni një sistem në të cilin një person normal ka shpresë se do të ketë mundësi të barabarta në jetë, se shqetësimet e tyre, kërkesa e tyre për drejtësi merret në konsideratë po aq sa kërkesa, e drejtë apo jo, e personave të fuqishëm. Ky është një fillim, është një fillim i mirë, keni bërë përparim të mirë. Por duhet bërë më shumë.
Ky është një çast kritik. Shtetet e Bashkuara ju nxisin dhe janë në krahun tuaj. Ne duam t’ju shohim teksa vazhdoni punën e mirë dhe kapërceni pengesat që mbeten në rrugëtimin tuaj. Ne e kemi mbështetur fuqimisht reformën në drejtësi prej fillimit, në 2016, dhe do të jemi me ju deri në fund. Dua të nënvizoj se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Reformën në Drejtësi nisi në kohën e administratës Obama, vijoi përgjatë administratës Trump dhe ju siguroj se nën administratën Biden kjo mbështetje vetëm do të forcohet, ne do të jemi me ju deri në fund.
Ndërsa shënojmë pesë vjet prej miratimit të ligjeve, kjo është një kohë e mirë për të festuar, sepse ka shumë për të festuar. Janë arritur shumë gjëra. Është gjithashtu edhe një kohë e mirë për të parë rreth e rrotull dhe për të bërë një vlerësim të gjendjes ku jemi, ku do të shkojmë, çfarë kemi bërë mirë, çfarë mund të përmirësojmë, është një çast për të hedhur një vështrim të fortë, objektiv dhe efikas në përparimin e bërë dhe për të qenë realistë, për të zbatuar ndryshimet në përputhje me të, dhe për të përparuar vazhdimisht, në mënyrë që të keni sukses në emër të popullit shqiptar.
Sot, është një çast i mirë për të nisur një bisedë mbi pesë vitet e ardhshme. Për ndryshim të vërtetë, kuptimplotë, ju përket juve, palëve të interesit në sistemin e drejtësisë dhe publikut shqiptar, të përqafoni ndryshimin, të besoni në ndryshim, të përqafoni reformën, t’a bëni sistemin të funksionojë për të gjithë dhe t’u tregoni atyre që kanë përfituar nga një sistem i prishur se ditëve të tyre u ka ardhur fundi. Se ata nuk do mund të vjedhin më qytetarët shqiptarë, se nuk do mundin më të mbivendosin padrejtësinë e tyre tek të tjerët. Është çasti për të treguar se drejtësia do të mbizotërojë në Shqipëri.
Ju faleminderit shumë!