Ministër Beqaj, zonja dhe zotërinj, mirëmëngjes.
Shpresoj që asnjëri prej jush të mos sëmuret ndonjëherë rëndë. Shumë vite më parë, kur isha vullnetar i Korpusit të Paqes, u sëmura njëkohësisht nga tifoja e zorrëve dhe malaria. Unë humba 20 kilogramë. Ndihesha shumë keq. Fatmirësisht, isha i ri dhe e mora veten shpejt.
Më nevojitej një kujdes shëndetësor funksional, me ilaçet e duhura, me profesionistë mjekësorë të trajnuar dhe me pajisje diagnostikuese moderne.
Populli shqiptar meriton të njëjtën gjë. Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme dhe për Demokraci të Qëndrueshme zhvilloi këtë vëzhgim në 550 qendra shëndetësore për të parë nëse këto gjëra ekzistojnë në Shqipëri.
Në fotografimin e situatës së një dite, Koalicioni gjeti:
Që vetëm 57 për qind e klinikave kishin pajisjet e duhura.
Vetëm 54 për qind kishin ilaçet sakta.
Vetëm 32 për qind e rasteve të dhunës brenda familjes ishin dokumentuar siç duhet. Dhe vetëm 5 përqind e klinikave kishin përshtatshmëri për personat me aftësi të kufizuara.
Është mbresëlënëse që ky vëzhgim u realizua me mbështetjen e plotë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Ministrit Beqaj. Ata kërkuan që këto të dhëna të përqendroheshin në reformat e tyre dhe të kuptonin më mirë se ku duhen bërë ndryshime.
Në një demokraci, OJQ-të si Koalicioni, luajnë një rol jetik në monitorimin e performancës së qeverisë. Analiza dhe informacioni i tyre bëjnë të mundur që populli shqiptar të kërkojë shërbimet e duhura nga qeveria e tyre.
Shpresojmë që Koalicioni, përmes mbështetjes së USAID-it dhe të donatorëve të tjerë, të jetë në gjendje të zhvillojë vëzhgime të tjera për shërbimet e qeverisë, përfshirë fushat e shërbimeve sociale, arsimore dhe të taksave.
Por tani, u përket Ministrit Beqaj dhe ekipit të tij që t’i përkthejnë këto statistika të qendrave shëndetësore në ndryshime dhe reforma të vërteta për shëndetin e popullit shqiptar.
Urime për përfundimin e vëzhgimit dhe paçi fat me konferencën.