Qendër e Re në Universitetin Bujqësor të Tiranës për Trainimin me Orientim nga Tregu të Studentëve mbi Analizat Laboratorike dhe të Sigurisë së Ushqim

KAMËZ, SHQIPËRI , 22 SHKURT 2016    
Sot, Ambasadori Amerikan, Donald Lu, dhe Ambasadorja Sllovene, Shkëlqesia e Saj, Lea Stančič, përuruan Qendrën e Trainimit  dhe Arsimimit Profesional në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT). USAID, Qendra Sllovene për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar dhe UBT ishin partnere në një program 3-vjeçar, në vlerën 510 000 dollarë, për të ngritur një Qendër të tillë funksionuese, e cila do të ofrojë arsimim dhe trainim praktik për profesionistët e mes-karrierës në sektorin bujqësor në Shqipëri dhe në të ardhmen në Europën Juglindore.

UBT është i vetmi institucion shtetëror në Shqipëri që trainon veterinerë, puna e të cilëve është tepër e rëndësishme për shëndetin e mirë të kafshëve dhe për sigurinë ushqimore në vend. Pas diplomimit, shumë studentë punojnë si inspektorë të sigurisë ushqimore në kufi dhe në pikat e agro-përpunimit të mishit dhe të produkteve të qumështit; të tjerë punojnë për të siguruar shëndetin e mire të kafshëve. Qendra është e pajisur plotësisht për të siguruar për veterinerët trainim praktik dhe shërbime laboratorike, me fokus tregun, dhe ka kapacitetet të kryejë analiza për cilësinë dhe sigurinë e ushqimit.

Pas kësaj ceremonie, Ambasadori Lu vizitoi gjithashtu investime të tjera të kohëve të fundit në UBT, realizuar nga asistenca e SHBA-së, siç është Laboratori i Fiziologjisë në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, pajisur nga USAID-i me kompjutera, programe kompjuterike simuluese dhe aparatura të tjera, për të rritur përvojën laboratorike të studentëve të Veterinarisë. Ambasadori Lu vizitoi edhe një kopsht demonstrimi peisazhi, me sipërfaqe 1 500 m2, realizuar me ndihmën e USAID-it, për të mbështetur studimet e nivelit universitar dhe Master në Arkitekturë Peizazhi, në Departamentin e Hortikulturës.