Ambasadorja Kim: Ambasadorja Kim: Mirëdita, është kënaqësi t’ju shoh të gjithëve. Sapo isha në Vlorë dhe tani jam sigurisht këtu në Fier. Është pjesë e përpjekjes sime për të pare sa më shumë nga Shqipëria që të mundem, sidomos në këto ditë drejt zgjedhjeve të 25 prillit.
Besoj se e dini tashmë që unë jam një njeri i drejtpërdrejtë ndaj dua t’ju siguroj: nëse do të doja që të votonit për dikë, thjesht do t’jua thosha, nuk do t’ju jepja thjesht shenja. Dhe dua ta përsëris: Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin një kandidat apo parti të caktuar. E vetmja gjë që mbështesim është e drejta e qytetarëve shqiptarë për të shprehur vullnetin e tyre nëpërmjet votës së tyre. Dhe paralajmërojmë këdo që përpiqet ta mohojë atë të drejtë duke blerë vota apo duke shitur vota.
Mendoj se është shumë e rëndësishme që votuesit të mbajnë parasysh se ata kanë edhe pushtetin si edhe përgjegjësinë.
Dhe jam e frymëzuar sot sepse në Vlorë, u takova me një grup drejtuesish të shoqërisë civile, të cilët e bënë shumë të qartë që e kuptojnë që në një demokraci, shoqëria civile ka një rol kritik. Edhe më frymëzuese ishte tani në Fier kur u takova me një grup të rinjsh të cilët votojnë për herë të parë. Dhe ishte shumë mbresëlënëse se sa mirë e kishin informuar veten, sa mirë i kuptonin të drejtat e tyre, dhe sa mirë e kuptonin procesin e votimit.
Nuk folëm se për kë do të votonin, sepse kjo është çështje personale, por patëm një diskutim shumë të mirë lidhur me ato që ata mendojnë teksa vendosin se si do të votojnë. Dhe nga ky këndvështrim, kam besim se demokracia shqiptare është në rrugën e duhur dhe shpresoj që të rinjtë si këta do të frymëzojnë këdo në Shqipëri që ushtrojnë të drejtën e tyre, të shfrytëzojnë plotësisht të drejtën e tyre që të votojnë, të vendosin të ardhmen e vendit të tyre, më 25 prill.