Të dy prindërit apo kujdestarët ligjorë duhet të nënshkruajnë për të miratuar pasaportën e fëmijës. Më e mira për ta bërë këtë është që të dy prindërit apo kujdestarët ligjorë të paraqiten personalisht së bashku me fëmijën për të firmosur formularin e pasaportës.
Lexoni skenarët e mëposhtëm për më shumë informacion:
Nëse ju keni kujdestarinë e vetme mbi fëmijën
Ju duhet të paraqesni dëshmi, si për shëmbull:
- Vendim gjykate të plotë dhe të detajuar për zgjidhje martese apo kujdestarie mbi fëmijën
- Vendim gjykate të plotë ku shkruhet shprehimisht që ju jepet e drejta të aplikoni për pasaportën e fëmijës
- Certifikatë lindje ku të jetë vetëm emri juaj në dokument
- Certifikatë apo vendim gjykate birësimi ku të jetë vetëm emri juaj në dokument
- Vendim gjykate ku shkruhet se prindi që nuk mund të paraqitet është deklaruar i paaftë mendërisht
- Certifikatë vdekje e prindit që nuk mund të paraqitet
Nëse prindi tjetër nuk mund të paraqitet
Nëse njëri nga prindërit apo kujdestarët ligjorë nuk mund të paraqitet, mund të plotësojë dhe noterizojë Formularin DS-3053 “Deklaratë Miratimi” (PDF 52 KB). Ju duhet ta sillni formularin së bashku me aplikimin për pasaportë. Prindi që nuk mund të paraqitet duhet:
- Të firmosë Formularin DS-3053 në prani të një noteri në SHBA ose të një zyrtari konsullor në Ambasadën Amerikane të vendit ku ndodhet. (Shënim: Ky formular mund të pranohet edhe nëse noterizohet nga një noter i huaj, në varësi të vendit se ku ndodhet prindi që nuk paraqitet.) dhe
- Së bashku me formularin duhet të paraqesë edhe një fotokopje të dokumentit të identifikimit që ka përdorur për të firmosur formularin në prani të noterit.
Ky formular noterizohet pa pagesë nëse bëhet në një nga konsullatat Amerikane jashtë SHBA-së. Për të caktuar një takim për të noterizuar këtë formular në Ambasadën Amerikane në Tiranë, prindi që nuk do të paraqitet duhet të caktojë një takim nëpërmjet kalendarit konsullor dhe të zgjedhë “notarial service”.
Nëse ju nuk mund ta dini vendndodhjen e prindit tjetër
Ju duhet të bëni përpjekje dhe t’i dokumentoni këto përpjekje për të kontaktuar prindin tjetër në mënyrë që t’ju japë miratimin e tij/saj për lëshimin e pasaportës së fëmijës tuaj. Nëse këto përpjekje janë të pasuksesshme, ju mund të plotësoni Formularin DS-5525 “Deklaratë në Rrethana të Veçanta Familjare” (PDF 48 KB).
- Plotësoni formularin me sa më shumë detaje të mundshme.
- Ne mund t’ju kërkojmë informacion shtesë (p.sh., vendime gjyqësore, vërtetime nga burgu, urdhëra mbrojtjeje, etj.) për të evituar dhe mbrojtur fëmijën në rastet e rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës nga prindërit.
Asnjë nga prindërit nuk mund të paraqitet
Një person i tretë mund të aplikojë për pasaportën e fëmijës me një prokurë të posaçme nga prindërit apo kujdestarët ligjorë ku autorizojnë këtë person të aplikojë specifikisht për pasaportën Amerikane të fëmijës së tyre.
- Prokura ose Formulari DS-3053 duhet të përfshijë edhe një fotokopje të dokumentit të identifikimit të prindërve apo kujdestarëve ligjorë.
- Nëse prokura apo formulari është firmosur vetëm nga një prind, atëherë ky prind apo kujdestar ligjor duhet të paraqesë prova bindëse që ka kujdestari ligjore të vetme ndaj fëmijës (shiko skenarin “Nëse ju keni kujdestarinë e vetme mbi fëmijën”).
Vini re: Prokura apo formulari i nënshkruar nga prindi (prindër) që nuk mund të paraqitet nuk duhet të jetë më e vjetër se tre muaj nga data e nënshkrimit.