Historia e SHBA dhe Shqipërisë

  1. Materiale Faktuale
  2. Publikimet Elektronike
  3. Historia e SHBA dhe Shqipërisë

Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars, 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh. Ambasada e Sh.B.A. në Tiranë u hap më 1 tetor 1991, me Kristofer Hill si I Ngarkuar me Punë ad interim dhe i pasuar nga Ambasadori i Sh.B.A. Uilliam Eduin Rajerson, i cili ia paraqiti kredencialet e tij Qeverisë së Shqipërisë më 21 dhjetor 1991.

Në ceremoninë historike në vitin 1991 për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, i cili rivendoste marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze Rejmond G.H. Saitc, tha:

“Marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti [Udrou] Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare…të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve.”

Më 11 qershor 1991, ish Sekretari i Shtetit Xheims A. Bejker III ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i Sh.B.A. që vizitonte Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit të vendit. Qysh nga ajo kohë, marrëdhëniet Sh.B.A.-Shqipëri kanë përparuar e janë rritur, dhe Shqipëria është bërë një nga aleatet më të palëkundura të Amerikës, sidomos në luftën globale kundër terrorizmit.