Ambasadori Donald Lu

Donald Lu u betua si Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë më 17 dhjetor, 2014.  Përpara kësaj detyre, ai ka punuar për krizën e sëmundjes Ebola në Afrikën Perëndimore ku ishte Zëvëndës Koordinator në zyrën e Ndihmës për Ebolën në Departamentin e Shtetit. Detyrat dhe punët e tij të mëparshme jashtë Shteteve të Bashkuara përfshijnë Zëvëndës Shef të Misionit në Indi, Azerbajxhan dhe Kirgistan.  Ai gjithashtu shërbeu për një vit si i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Azerbajxhan.

Ambasadori Lu është një zyrtar i Shërbimit të Jashtëm me 25 vjet experiencë pune në shërbim të qeverisë amerikane, duke përfshirë edhe detyra në Pakistan, Indi, Gjeorgji, Kirgistan, Azerbajxhan dhe Uashington.  Ai gjithashtu ka shërbyer si vullnetar i Korpusit të Paqes në Sierra Leone, në Afrikën Perëndimore nga viti 1988 deri më 1990.  Si vullnetar i Korpusit të Paqes ai ndihmoi për të rivendosur në punë puset e ujit të gërmuara me dorë dhe ka ndihmuar në mësimdhënien për edukimin mbi çështjet shëndetsore dhe ndërtimin e banjove publike.

Ambasadori Lu është nga Huntington Beach në Kaliforni.  Ai është diplomuar në Universitetin Princeton me master dhe bachelor në marrëdhëniet ndërkombëtare.  Ai është i martuar me Dr Ariel Ahart, një specialiste e njohur në shëndetin publik.  Ata kanë dy fëmijë, Kip-in 13 vjeç, dhe Aliya 9 vjeç.  Ai flet shqip, rusisht, gjeorgjisht, azeri, urdu, hindi, dhe krio të Afrikës Perëndimore.  Atij i pëlqen çiklizmi, të shikojë filma, të udhëtojë dhe të kalojë kohë me familjen e tij.

Lexoni më shumë për ish Ambasadorët Amerikanë në Shqipëri.