Njihuni me Praktikanten Tonë!

Gea Koduzi, Praktikante në Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun

 

Ku je lindur?

Jam lindur në Tiranë, Shqipëri.

Çfarë të pëlqen më shumë nga praktika në Ambasadë?

Ajo që më pëlqen më shumë nga praktika në Ambasadë është dëshira e kolegëve të mi për të më përfshirë në punën e tyre të përditshme, për të mësuar nëpërmjet përvojës së tyre dhe për të më nxitur dhe ndihmuar në zhvillimin tim profesional. Këto cilësi e bëjnë mjedisin e punës stimulues dhe të ngrohtë. Për më tepër, është një nder të punoj me programe frymëzuese arsimore, kulturore dhe sociale, kontributi i të cilëve është shumë i madh.

Cila fjalë apo fraza përdor më shumë?

“Faleminderit” dhe “Ditë të mbarë” janë fjalët që më shoqërojnë përgjatë ditës me çdo person që bashkëveproj. Unë besoj në citimin e Fred De Witt Van Amburgh, “Në fund të ditës, mirënjohja është valuta që mund ta prodhojmë vetë dhe mund ta përdorim pa pasur frikë nga falimentimi”.

Çfarë talenti do doje të kishe?

Çdo talent do të ishte i padobishëm nëse nuk përpiqemi për ta zhvilluar dhe për ta përdorur në një mënyrë kuptimplotë. Prandaj, në vend që të shpreh dëshirën për një talent, shpresoj që aftësitë e mia në mendimin kritik, komunikim do të përmirësohen më tej, duke qenë se janë themelore në një mjedis pune.

Cila është arritja jote më e madhe?

Organizata e Ambasadorëve Shqiptarë të Natyrës ka një vend të veçantë në zemrën time. Zhvillimi i saj nga një organizatë shumë e vogël në një organizatë aktive vullnetare rinore, vazhdimësia e saj dhe përhapja edhe në qytete të tjera në Shqipëri, me ndihmën e jashtëzakonshme të pjesmarrësve dhe organizatave të tjera, më bën shumë krenare që kam shërbyer si Presidente e Klubit në fillimet e tij.

Cila është karakteristika jote më e dalluar?

Që e vogël jam sjellë gjithnjë në mënyrë “rebele” sa herë që shihja se dikush trajtohej në mënyrë të padrejtë. Ajo që dëshiroj është që të gjithë të trajtohen sit ë barabartë, të kenë mundësi të barabarta, dhe të respekktohen në mënyrë të barabartë. Për shkak të kësaj, familja dhe miqtë më këshillojnë gjithnjë se është e pamundur që unë të ndreq çdo padrejtësi. Megjithatë, nga ana tjetër, mendoj se kjo pjesë e karakterit tim ka shtyrë ambicien dhe punë e palodhur përpara, me shpresën për të ngritur dhe kontribuar në çështje të tilla si vendosja e meritokracisë në mjedise edukimi apo pune, si edhe në ndihmën për njerëzit e paprivilegjuar të shoqërisë sonë. Ambasadorët e Natyrës më futën në këtë rrugë të cilën unë shpresoj ta vazhdoj dhe ta çoj përpara.

Çfarë vlerëson më shumë tek miqtë?

Sinqeritetin. Unë besoj se nuk mund të ndërtosh as një bisedë, e aq më pak një miqësi, nëse nuk ka sinqeritet nga të dyja palët. Ndërsa përsa i përket karakteristikave të tjera, është pikërisht veçantia e karakteristikave të njerëzve që më ndihmon t’i shoh gjërat nga këndvështrime të tjera dhe të bëhem njeri më i mirë duke mësuar qoftë nga tiparet e tyre më të mira, ashtu edhe nga gabimet. Është më mirë të mësosh nga gabimet e të tjerëve sesa t’i përjetosh ato vetë, apo jo?

Cilët janë shkrimtarët e tu të preferuar?

Më pëlqejnë shumë novelat historike dhe autobiografitë. Një nga autorët kryesorë që ka lënë përshtypje të thella tek unë është Khaled Hosseini. Mënyra se si ai trajton situata të tmerrshme në vendet e Lindjes së Mesme, sidomos Afganistan dhe Pakistan, rolin e femrës aty, mënyra se si dashuria, respekti, mirëkuptimi dhe dëshira për të ndihmuar njerëzit tejkalojnë kufijtë e kohës, kulturës dhe luftës, më kanë bërë të mendoj për një kohë të gjatë mbi vlerën e këtyre gjërave në jetën tonë.

Cilët janë heronjtë e tu në jetën e vërtetë?

Babai im. Mënyra se si ai ndryshoi jetën tonë tërësisht (timen dhe të familjes sime), nga një e kaluar në të cilën ai dhe mamaja ime ishin në vështirësi financiare, nëpërmjet punës së palodhur për shumë vite, për mua është një frymëzim në çdo gjë që bëj. Ai më ka mësuar se puna është diçka për të cilën nuk duhet të turpërohesh, se nëse punon fort mund të arrish çdo gjë, dhe se kurrë nuk duhet të dorëzohesh. Besimi që ai dhe mamaja ime patën tek unë duke më dërguar në një shkollat më të mira në Shqipëri, edhe pse ishte pothuajse e pamundur për ta që ta përballonin, më bën t’u jem mirënjohëse përjetë. Dhe shpresoj që një ditë t’jua shpërblej duke i bërë ata krenarë për mua.

Çfarë të krijon më shumë mospëlqim?

Kur njerëzit nuk kanë ndjeshmëri, sidomos kur njerëzit kanë prirjen të tallen me të tjerët për një problem me të cilin ata kanë lindur apo kanë në jetë, pa menduar asnjë çast se si do të ishte jeta e tyre nëse do ishin në vendin e atij personi.