“Një përgjigje shumë e thjeshtë” – Nga Aleksandër A. Arvizu, Ambasador i SHBA në Shqipëri

Shqipëria festoi 100 vjetorin e pavarësisë në muajin nëntor.  Ishte koha për të qenë krenarë, një kohë përsiatjeje mbi sukeset e vendit në kapërcimin e trazirave të mëdha për t’u bërë anëtar i NATO-s dhe që aspiron për në BE. Tani, ndërsa shqiptarët shohin përpara drejt zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, gjendemi në fillimin e një kapitulli të ri në historinë e Shqipërisë – një kapitull që duhet të përkufizohet nga demokracia e lulëzuar, ndërtuar në mënyrë të padiskutueshme mbi vullnetin e popullit.  Duke udhëtuar nëpër Shqipëri, gjej tema të përbashkëta në bisedat që bëj, pavarësisht nëse jam në Shkodër apo Gjirokastër, në Vlorë apo Elbasan.  Shqiptarët janë të shqetësuar për probleme reale – punësimin, të ushqyerit e familjeve të tyre, kujdesin shëndetësor, arsimin, degradimin e mjedisit dhe krimin, sa për të përmendur pak prej tyre.  Shumë vetë më janë ankuar që udhëheqja politike (dhe këtu më lejoni të jem i qartë që njerëzit flasin si për koalicionin qeverisës ashtu edhe për opozitën) duket e fokusuar vetëm në interesat vetjake ose partiake, se sa në zgjidhjen e këtyre problemeve të përhapura gjerësisht.  Teksa shqiptarët përgatiten për ta nisur këtë kapitull të ri, një element ndryshimi duket sikur del mbi të gjithë të tjerët për nga rëndësia: mënyra se si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri, veçanërisht nevoja për ta zhvendosur vëmendjen tek njerëzit, ku institucionet qeveritare dhe partitë politike iu shërbejnë interesave të njerëzve.

Kur Sekretarja Klinton iu drejtua parlamentit, ajo iu bëri një kërkesë të qartë zyrtarëve të zgjedhur në auditor që të sigurojnë që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme, dhe të shihen si të tilla nga bota, në mënyrë që populli shqiptar të ketë besim në rezultatet dhe në institucionet demoraktike, dhe të besojë në drejtuesit e tyre.  Demokracia nuk është një bunker betoni që izolon udhëheqjen politike prej popullit.  Përkundrazi, zyrtarët e zgjedhur kanë detyrimin të shërbejnë në mënyrë të përgjegjshme dhe t’i përdorin postet e tyre të pushtetit që të përfitojnë të gjithë qytetarët.  Udhëheqësit duhet të fitojnë besimin e njerëzve përmes një procesi transparent, të lirë dhe të ndershëm.   Gjithashtu, sjellja e partive politike ndikon drejtpërsëdrejti në besimin e publikut tek zgjedhjet.  Si miqtë më të palëkundur e më të qëndrueshëm të Shqipërisë përgjatë viteve, Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë dhe të gjitha partive politike që të fokusohen në forcimin e besimit të publikut në procesin zgjedhor dhe të besimit tek udhëheqësit e tyre.

Më lejoni të përmend një të vërtetë të thjeshtë e të dhimbshme: besimi publik në procesin zgjedhor është i ulët. Për rrjedhojë, edhe yni është i ulët.  Në një demokraci të fortë, qeveria dhe partitë politike kanë përgjegjësinë – quajeni detyrim – të fitojnë besimin e njerëzve.  Ata mund ta bëjnë këtë duke bashkëpunuar brenda institucioneve zgjedhore, duke shmangur në mënyrë të vetëdijshme dredhitë politike dhe duke hequr dorë prej një gjuhe shkatërruese dhe provokuese në takimet publike ose në literaturën partiake.  Mesazhet që kërcënojnë persona të tjerë ose nxisin dhunë të cilësdo formë vetëm sa do të gërryejnë besimin se kandidatët dhe partitë janë të gatshëm të punojnë së bashku.   Legjitimiteti i cilësdo qeverie që do të dalë prej zgjedhjeve të ardhshme do të varet nga mënyra se si do të sillen partitë gjatë muajve vijues.

Qeveria ka detyrimin solemn të veprojë në mënyrë llogaridhënëse, transparente dhe të paanshme.  Ky është një parim kyç i kritereve të Kopenhagës, i cili përcakton nëse një vend kualifikohet për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.  Për më tepër, qeveria duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe jopartiake në marrjen e vendimeve institucionale.  Partia qeverisëse ka përgjegjësinë të inkurajojë besimin duke kërkuar në mënyrë aktive konsensus përmes kompromisit dhe dialogut. Jo më pak e rëndësishme, opozita duhet të përkushtohet të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në proces, dhe të shmangë kërcënimet për bllokim ose bojkot.  Gjithësecili është përgjegjës për të bashkëpunuar tërësisht me agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të tjera, për të promovuar sigurinë dhe integritetin e procesit zgjedhor.

Kur mendoj mbi fjalimin e Sekretares Klinton, është një pasazh i veçantë që bie në sy.  Ajo shpjegoi që njerëzit shpesh e pyesnin se si mundi të punojë me Presidentin Obama pasi kishin luftuar aq fort kundër njëri-tjetrit në fushatën për zgjedhjet presidenciale të 2008-ës.  “Është një përgjigje shumë e thjeshtë,” – tha ajo, “të dy e duam vendin tonë.”  Dashuria për vendin do të thotë të vësh interesat kombëtare mbi interesat partiake. Do të thotë të bësh gjithçka që është e mundur për ta mbajtur politikën partiake jashtë institucioneve zgjedhore.  Dashuria për vendin nënkupton të votuarit lirisht dhe me përgjegjësi.  Dashuria për vendin përcillet përmes veprimeve, jo fjalëve, me sytë drejt 100 viteve të ardhshëm të ndërtimit të vendit.  Ndërsa 23 qershori po afrohet, iu bëj thirrje shqiptarëve që të nisin një kapitull të ri me këto zgjedhje, të lënë mënjanë interesat vetjake dhe partiake, të këmbëngulin për llogaridhënien e klasës politike.  Më shumë se çdo gjë, ju bëj apel që të pranoni përgjegjësinë vetjake që ta bëni këtë të mundur.  Pasi vetëm shqiptarët që vënë përpara interesat e Shqipërisë mund ta ndërtojnë shoqërinë e drejtë, demokratike, që do t’i bëjnë brezat e tashëm dhe të ardhshëm shqiptarë ta përligjin krenarinë e tyre.  Dhe vetëm këta mund ta bëjnë Shqipërinë vendin që ju doni.