Nën Sekretari i Shtetit për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, z. Keith Krach Viziton Tiranën

Sot, Nën Sekretari i Shtetit të SHBA për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, z. Keith Krach vizitoi Tiranën dhe u takua me Presidentin Ilir Meta dhe Kryeministrin Edi Rama. Gjatë takimeve të tij, Nënsekretari Krach shprehu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, veçanërisht në përpjeket në luftën ndaj korrupsionit dhe shtetit të së drejtës, të cilat, kur të jenë të suksesshme do të sjellin më shumë investime dhe mundësi biznesi nga Shtetet e Bashkuara.
Vizita e Nën Sekretarit u shënua gjithashtu nga dy piketa të rëndësishme në marrëdhëniet midis vendeve tona.
Fillimisht, një Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunim Ekonomik u nënshkrua nga Nënsekretari i SHBA Krach dhe Ministrja Shqiptare e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj. Pas nënshkrimit, në emër të Shteteve të Bashkuara, Nënsekretari falënderoi qeverinë shqiptare për kundërveprimin ndaj ndikimit keqdashës, për angazhimin e saj për sigurinë 5G dhe rrugën e pastër 5G, si dhe që është një partnere e vlefshme dhe udhëheqëse e rëndësishëm në këtë përpjekje.
Më pas, Nën Sekretari Krach dhe Kryeministri Rama dëshmuan nënshkrimin e projektit të hidrocentralit të Skavicës midis qeverisë shqiptare dhe një prej kompanive më të njohura të inxhinierisë dhe ndërtimit në Amerikë, Bechtel. Ky hidrocentral do të ndihmojë vendin në përpjekjet e tij për të rritur kapacitetin e energjisë. Nën Sekretari Krach përshëndeti interesin e Shqipërisë për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës dhe shprehu besimin e tij se Bechtel do të ishte një partner i shkëlqyeshëm.
Gjatë gjithë vizitës së tij, Nënsekretari Krach vlerësoi partneritetin e fortë midis Shqipërisë dhe SHBA bazuar në vlera të përbashkëta dhe përsëriti angazhimin e Shteteve të Bashkuara për një demokraci të fortë për Shqipërinë, një demokraci e cila është ekonomikisht e zhvilluar, politikisht transparente dhe që i shërben interesave të të gjithë shqiptarëve. Në emër të SH.B.A., Nën Sekretari Krach falënderoi Shqipërinë që gjithmonë i është përgjigjur thirrjes së Aleancës dhe SH.B.A. dhe premtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë Shqipërinë kudo që të jetë e mundur.