Mbështetje për Zbatimin e Ligjit për Dekriminalizimin

Sot, ekspertë teknikë nga Shtetet e Bashkuara bënë një prezantim në parlamentin shqiptar mbi praktikat më të suksesshme në SHBA për hetimin e të kaluarës së zyrtarëve në qeverisje dhe udhëheqësve politikë. Prezantimi u organizua nga Ambasada e SHBA, në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë për të zbatuar ligjin e dekriminalizimit të miratuar së fundi. Ambasada mirëpret përpjekjet e parlamentit për të zhvilluar më tej aktet nënligjore të këtij ligji të rëndësishëm, dhe mbështet me forcë zbatimin e plotë të ligjit për dekriminalizimin.