Mbështetja e Qeverisë së SHBA për Rimëkëmbjen pas Tërmetit

Shtetet e Bashkuara shprehin ngushëllimet më të thella për të gjitha familjet dhe komunitetet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri. Siç tha edhe e Ngarkuara me Punë Leyla Moses-Ones gjatë një vizite në zonat e prekura, “kjo tragjedi na ka prekur zemrat shumë thellë. Ju lutem, dijeni se keni një mik dhe një aleat mbështetës në Shtetet e Bashkuara, dhe se ne do të vijojmë të mbështesim përpjekjet e vazhdueshme të ndihmës humanitare, shërbimeve psikologjiko-sociale për fëmijët, dhe vlerësimeve të strukturave pas shkatërrimit”.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara po ndihmon qeverinë shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë në përpjekjet humanitare duke:

Siguruar Ekspertizën Teknike
  • Forcat e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara nga Njësia për Mbështetjen Civile dhe Ushtarake në Kosovë mbërritën në Shqipëri brenda 24 orëve nga rënia e tërmetit, për të mbështetur operacionet e ndihmë-shpëtimit.
  • Një ekspert fatkeqësish natyrore nga Zyra për Ndihmë të Jashtme në raste Fatkeqësish e USAID po ndihmon në vlerësimin e dëmeve dhe identifikimin e nevojave prioritare për ndihmë humanitare.
  • Ekipe emergjencash nga Departamenti Zjarrfikës dhe Shpëtues i kontesë Fairfax dhe Departamenti Zjarrfikës i kontesë së Los Angeles janë në Shqipëri për të ndihmuar në koordinimin e ekipeve ndërkombëtare në vlerësimin e dëmeve.
  • Inxhinierë strukturash nga USAID po ndihmojnë përpjekjet urgjente të Shqipërisë në përcaktimin e shtëpive, shkollave dhe ndërtesave të tjera që janë të sigurta për rikthimin e njerëzve.
Dhënia e Ndihmës Humanitare
  • USAID nënshkroi një grant që Kryqi i Kuq Shqiptar të sigurojë menjëherë ndihmë humanitare dhe artikuj emergjence për njerëzit e prekur nga tërmeti. Me financim të USAID, Kryqi i Kuq po shpërndan artikuj jetikë humanitarë, si batanije dhe paketa higjenike, në zonat e prekura më thellë.
  • Komanda Europiane e Shteteve të Bashkuara (EUCOM) po i përgjigjet një kërkese nga Ministria shqiptare e Mbrojtjes për pajisje kritike në raste fatkeqësish dhe për materiale të tjera për të zëvendesuar ato rezerva që janë mbaruar momentalisht.
Mbështetje për Fëmijët në Nevojë
  • USAID siguroi financim për UNICEF, i cili po ofron shërbime mbështetjeje psikologjiko-sociale për fëmijët të cilët kanë humbur familjarët apo shtëpitë. Financimi dhe do t’ju sigurojë atyre edhe vende të sigurta për t’u shëruar, luajtur dhe përqëndruar në mirëqënie, teksa familjet dhe komunitetet e tyre nisin rimëkëmbjen dhe rindërtimin.
Lidhuni me Ambasadën

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë me qeverinë shqiptare dhe partnerët ndërkombëtare në përpjekjet për ndihmë dhe rimëkëmbje. Shqipëria mund të mbështetet në ndihën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara. Për përditësime mbi ndihmën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara pas tërmetit, na ndiqni në Facebook në: www.facebook.com/usembassytirana ose në Twitter në @USEmbassyTirana

#ShbaQendronKrahShqiperise