Manual mbi Ligjin Shqiptar për Falimentimin për të Ndihmuar Stabilitetin Financiar

Javën e kaluar, USAID-i dhe OJQ-ja vendore ‘Assist Impact’, në partneritet me Shkollën e Magjistraturës, njoftuan botimin e “Manualit mbi Ligjin Shqiptar për Falimentimin”, që mbështet zhvillimin e biznesit në Shqipëri, si dhe përgëzuan 140 gjyqtarët shqiptarë që përfunduan trejnimin mbi praktikat bashkëkohore të përdorura në rastet e paaftësisë paguese dhe të falimentimit. Ky manual, si dhe trejnimi i kryer, përfaqësojnë arritjen më të madhe të shumë viteve punë nga profesionistë ligjorë, shqiptarë dhe të huaj, nga anëtarë të komunitetit të donatorëve, përfshirë Bankën Botërore, si dhe nga Qeveria dhe komuniteti i biznesit në Shqipëri. Megjithëse në Raportin e Bankës Botërore për Bizneset (që përmban treguesit ‘kohë’ dhe ‘kosto’ të bizneseve për zgjidhjen e paaftësisë paguese) Shqipëria renditet relativisht lart në krahasim me vendet e rajonit (e 62-ta në 189 vende), në Shqipëri, rasti i parë i zgjidhjes së një falimentimi ndodhi vetëm në vitin 2012. Teksa Shqipëria po përballet me një rritje dramatike të numrit të kredive problematike, një zbatim më efektiv i sistemit të falimentimit do të ishte me dobi për ekonominë dhe për stabilitetin financiar të vendit.