Kroacia të udhëheqë Ballkanin për në BE Nga Joe Biden

Çdo vend që hyn në një bashkim shtetesh kontribuon në kauzën e paqes. James Joyce ka shkruar: “historia është makthi nga i cili po përpiqem të zgjohem.” Njëzet vjet më parë Kroacia përjetoi një makth, e burgosur nga urrejtja rajonale dhe e rrënuar nga lufta. Dje ky vendi u bë i 28 vend anëtar i BE-së. Kroacia jo vetëm është zgjuar nga historia e saj torturuese – ajo ka realizuar ëndrrën e një të ardhmeje euro-atlantike.

Suksesi i Kroacisë ishte i pashmangshëm. Në fakt, ai vlen si dëshmi e kurajës së qytetarëve dhe drejtuesve të saj të cilët kapërcyen tundimet e ultranacionalizmit dhe fyerjes. Lënia e së shkuarës mbas është betejë e përditshme. Dhe, ditë pas dite, kroatët i qëndruan besnikë vizionit ambicioz e ndërtuan institucionet demokratike të cilat hapën dyert drejt NATO-së dhe tani drejt BE-së.

Kjo arritje i takon popullit kroat. Por ajo gjithashtu flet për fuqinë transformuese të projektit europian, i cili i udhëheq vendet drejt shtetit ligjor, tregjeve të hapura, begatisë dhe paqes.

Kroacia ka ecur gjatë drejt asaj rruge, më gjatë nga sa e mendojnë disa. Ajo ka qenë aleate e NATO-s që nga viti 2009 dhe kontribuuese e sigurisë në mbarë botën, përfshirë Afganistanin. Dikur vendet e tjera dërgonin paqeruajtës në Kroaci; tani Kroacia kontribuon në misionet paqeruajtëse në Kosovë, Haiti dhe në Saharë Perëndimore.

Hyrja e Kroacisë në BE bëhet akoma më e rëndësishme për vendet fqinje të cilat përballen me rrezikun e mbetjes mbrapa. Me kalimin e kohës, kufijtë e BE-së duhet t’i bashkojnë vendet e Europës juglindore dhe jo t’i ndajnë ato. Shpresojmë se një ditë qytetarët e saj do të përfitojnë nga Partneriteti për Tregti dhe Investime Transatlantike që po negociojmë me BE-në.

Por, së pari, fqinjët e Kroacisë duhet të bëjnë zgjedhjet e vështira që do të përcaktojnë rrugët e tyre për në Europë.

Suksesi i tyre është në interesin e SHBA-së, Kroacisë dhe gjithë Europës. Historia nuk mund të ketë monument më të madh sesa BE-ja për idenë se vendet nuk duhet të përsërisin konfliktet e së kaluarës – dhe nuk mund të ketë mekanizma më të mëdha sesa integrimi për të siguruar se kjo nuk do të ndodhë. Çdo vend që lidhet me rregullat dhe institucionet e BE-së na afron më shumë te qëllimi i Europës si një e tërë, e lirë dhe në paqe. Edhe gjatë kohëve të vështira ekonomike, Europa e unifikuar është më e parapëlqyer se sa kërcënimi i ndarjeve dhe destabilitetit. Prandaj Kroacia po punon për të sjellë po atë popull që luftonte më pak se një brez më parë drejt vathës europiane.

Në muajt e fundit jam takuar me disa udhëheqës nga Ballkani Perëndimor. Kam besim se, nëse bëjnë zgjedhjet e duhura, të gjithë fqinjët e Kroacisë do të shkojnë atje.

Serbia dhe Kosova kanë ngecur në një luftë të thellë e të hidhur – deri tani. Nëpërmjet dialogut, bashkëpunimit dhe kompromisit të dhimbshëm, kryeministrat Ivica Dacic dhe Hashim Thaçi kanë bërë një marrëveshje historike për të normalizuar marrëdhëniet. Hapat e mëtejshëm nuk do të jenë të lehtë, por këta udhëheqës u kanë dhënë shtetasve të tyre një mundësi të pashembullt për të ndërtuar një të ardhme të përkufizuar nga respektimi i të drejtave, begatia e ndërsjellë dhe bashkëjetesa paqësore.

Mali i Zi dhe Shqipëria gjithashtu, kanë shumë për të bërë por ata po përparojnë drejt integrimit evropian, duke u marrë me reformat ekonomike dhe politike, luftuar korrupsionin dhe forcuar shtetin ligjor. Mali i Zi po punon për t’ju bashkëngjitur Shqipërisë në NATO. Maqedonia duhet të vazhdojë në rrugën e reformave, të zgjidhë tensionet e saj ndëretnike dhe me Greqinë, të mbledhë kurajën për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët për emrin e saj. Fatkeqësisht, ka akoma disa që kapen pas zënkave etnike, rivaliteteve personale dhe qasjes me shumën zero në politikë të cilat pengojnë progresin. Katër vite më parë unë fola në parlament në Sarajevë e u thashë politikanëve dhe zyrtarëve se dera ishte e hapur për Bosnje-Hercegovinën të bëhej pjesë e përbërëse e Europës dhe se SHBA-ja donte t’i ndihmonte ata të shkonin drejt saj. Kjo kërkon marrëveshje për të mënjanuar dispozita kushtetuese që diskriminojnë pakicat dhe vendimin të regjistrohen pasuritë e mbrojtjes si pasuri të shtetit. Asnjëra prej këtyre nuk ka ndodhur dhe populli i Bosnjes meriton më shumë.

Asnjë vend nuk mund ta lërë gjithë historinë e tij mbrapa dhe të harrojë tragjeditë e veta, as nuk duhet ta bëjë këtë. Por vendet mund të zgjedhin të vënë të ardhmen si përparësi dhe të veprojnë për mirëqenien e brezave të ardhshëm. Këtë ka bërë Kroacia. Dhe rezultati është se ëndrrat që i dukeshin të paperceptueshme 20 vjet më parë sot janë një realitet i mrekullueshëm e i pakthyeshëm.

Kjo shërben si arsye për festime dhe si kujtesë për atë që është e mundur. E urojmë Kroacinë dhe përkushtohemi përsëri ndaj synimit më të madh i cili është ai i pritjes së gjithë Ballkanit në Europën e plotë, të lirë dhe në paqe.

Autori është Zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.