Konferenca për Shtyp e Jonathan Moore, Drejtor i Zyrës për Çështjet e Europës Qëndrore e Jugore në Departmentin e Shtetit

Siç ua përmenda disave prej jush dje kur po vrapoja nga njëri takim në tjetrin, jam shumë i lumtur që ndodhem këtu në Shqipëri. Jemi shumë krenarë që e kemi Shqipërinë partnere në NATO dhe, duke folur si drejtori i zyrës që merret me këto çështje në rajon, jemi të lumtur ta kemi Shqipërinë si partnere në rajon.

Kjo vizitë ka qenë planifikuar prej kohësh. Sigurisht, ngjarjet politike më të fundit të kësaj jave janë bërë fokusi i vizitës. Vizita në Tiranë është pjesë e një udhëtimi në disa vende, përfshirë dhe Kosovën dhe Maqedoninë. Për Shqipërinë, ne jemi shumë të interesuar të shohim që zgjedhjet të mbahen në 23 qershor. Është tepër e rëndësishme që qytetarët e Shqipërisë të kenë besim tek mbajtja e zgjedhjeve dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve.

Kam patur mundësinë gjatë takimeve të ditës së kaluar të takohem me një numër njerëzish. Sapo u takova me Kryeministrin Berisha. Pata kënaqësinë që të takoja Ministrin e ri të Punëve të Jashtme, z. Bumçi. Takova dhe z. Rama, sigurisht, edhe Z. Meta. Sot në mëngjes u takova dhe me z. Dule. Takova dhe disa të tjerë nga qeveria dhe partitë politike. Shpresoj mos të jetë e papritur për ju, por dëgjova gjëra të ngjashme nga shumë prej tyre.

Të gjithë politikanët më thanë që ata duan që zgjedhjet të ndodhin në 23 qershor. Të gjithë thanë se do t’i njohin rezultatet e këtyre zgjedhjeve, se do të mbështesin një mision të gjerë vëzhguesish ndërkombëtarë, dhe se janë të përkushtuar të mbeten partnerë me Shtetet e Bashkuara.

Ne diskutuam në disa nga takimet e djeshme ngjarjet e së hënës në parlament. Siç Ambasada jonë e ka bërë të qartë, megjithëse ne i njohim disa nga shqetësimet për ndryshimet në balanca pas formimit të koalicioneve parazgjedhore, ne besojmë se ka një argument të fortë ligjor që vë në pikëpyetje votimin e datës 15 prill në Parlament. Pavarësisht kësaj, ne duam të shohim KQZ-në të funksionojë. Nëse kjo nuk ndodh, zgjedhjet nuk mund të ndodhin në 23 qershor. Do të shohim se si do të vazhdojë procesi.

Ne jemi shumë të shqetësuar nga ajo që kemi parë. Ka një nivel të lartë tensioni politik para këtyre zgjedhjeve, sërish, me pikëpyetje e akuza mbi çështjen e ligjshmërisë. Duhet të them se një nga personat me të cilët u takova dje ishte z. Kastriot Islami. Parimet demokratike përfshijnë sigurisht jo vetëm të drejtën e njerëzve për të votuar në zgjedhje por edhe të drejtën e anëtarëve të parlamentit që të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre. Ne jemi shumë të zhgënjyer dhe të shqetësuar që pati presion të drejtpërdrejtë nga protestues para shtëpisë së një anëtari të parlamentit.  Presioni kundër tij e familjes së tij është i gabuar.

Për çdo rast, me një Ambasador të shkëlqyer dhe një skuadër shumë të fortë diplomatike këtu, ne do ta ndjekim me vëmendje situatën zgjedhore ndërsa përparon.

Presim të shohim mbërritjen e një misioni afatgjatë vëzhguesish nga OSBE. Si vizitor nga Uashingtoni, më lejoni t’ju theksoj interesin shumë të lartë SHBA në këto zgjedhje. Do të ketë një numër diskutimesh publike mbi zgjedhjet, përfshirë në Kongresin e SHBA, në javët në vazhdim.

Interesi ynë u përkufizua nga vizita e Sekretares Clinton në Shqipëri nëntorin e kaluar. Ajo foli mjaft fort për interesin e SHBA-së për të parë përparim të Shqipërisë drejt BE-së dhe që Shqipëria duhet të ketë një cikël të suksesshëm zgjedhjesh këtë vit. Mund t’ju them se këto pikëpamje i bashkëndan edhe pasuesi i saj, Sekretari Kerry, të gjithë në qeverinë e SHBA dhe Kongresi i SHBA. Ju falënderoj sërish për mundësinë që të flas me ju. Kemi kohë për disa pyetje.

Pyetje: Ka zëra se largimi i dy anëtarëve nga KQZ-ja, z. Biba dhe znj. Shtylla, janë bërë me qëllimin që të shtyhen zgjedhjet. Do të doja të dëgjoja qëndrimin e SHBA, do ta mbështeste shtyrjen nëse ndonjë parti politike do ta kërkonte këtë?

Jonathan Moore: Unë nuk jam ekspert për Kodin Zgjedhor. Nuk e di shprehjen shqip për këtë, por në 36 orët e fundit kam marrë një kurs të përshpejtuar mbi ligjin shqiptar të zgjedhjeve. KQZ-ja, me sa kuptoj, duhet të ketë një minimum prej pesë anëtarësh në mënyrë që të mbajë zgjedhjet. Sigurisht, ne do të donim të shihnim anëtarësinë më të plotë të mundshme të KQZ-së. Më thanë se me më pak se pesë anëtarë, nuk do të jetë e mundur të mbahen zgjedhje. Kjo është natyrisht një çështje për secilin anëtar të KQZ-së për të vendosur se si do të veprojnë. Sërish, pasi dëgjova nga udhëheqësit e partive politike, si të qeverisë dhe të opozitës, që ata duan zgjedhjet të ndodhin në kohën e caktuar në 23 qershor dhe kjo nënkupton që duhen bërë pëpjekje për të siguruar anëtarësi të plotë të KQZ-së.

Pyetje: Përsa i përket zëvendësimit të anëtarit të KQZ-së, pavarësisht paralajmërimeve nga komuniteti ndërkombëtar për të mos e bërë këtë, është e drejtë të thuhet që standardet e zgjedhjeve janë dëmtuar? Së dyti, në fillim të fjalës tuaj, ju thatë se jeni krenar që Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s; sidoqoftë, Njësia e Inteligjencës së The Economist e klasifikon Shqipërinë si një regjim hibrid. A e dëmton kjo reputacionin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s, pra mosrespektimi i kritereve politike që duhet të demonstrojë një vend anëtar i NATO-s?

Jonathan Moore: Qeveria e SHBA ka shumë faktorë dhe burime informacioni tek të cilat bazohemi për vendimet që marrim. Është shumë e vërtetë dhe shumë e natyrshme, siç e thashë, që u ngritën pyetje për procesin përpara dhe në datën 15 prill. Sidoqoftë, unë i nxjerr konluzionet e mia nga fakti që të gjitha partitë politike më thanë se ata duan të procedojnë me zgjedhjet dhe se ata do t’i respektojnë rezultatet. Ka vende anëtare të NATO-s, ndonjëherë edhe në SHBA, kur ka patur pikëpyetje për zgjedhjet dhe ne sigurisht kemi çdo arsye të besojmë se zgjedhjet do të ecin përpara dhe iu bëjmë thirrje të gjitha palëve, partive të veçanta, që t’iu përgjigjen në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi procesit teksa ky ecën përpara. Përveç kësaj, nuk dua të bëj krahasime me vende të tjera.

Pyetje: A keni një mesazh të drejtpërdrejtë për udhëheqësin e qeverisë dhe udhëheqësin e opozitës, me të cilët patët mundësi të takoheshit, dhe a mund të na thoni një nga mesazhet që u dhatë atyre?

Jonathan Moore: Do të thoja se, për shkak se ne kemi marrëdhënie transparente dhe solide me liderin e opozitës, Kryeministrin dhe të tjerë, mesazhi që ndava me ju është mesazhi që kam ndarë me të gjithë ata: që presim respektim të ligjeve, presim fushatë profesionale, pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllimin që ta shohim Shqipërinë të bëhet një vend më i begatë, një vend i suksesshëm teksa punon drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Dhe, është një rastësi, por Përfaqësuesja e Lartë Ashton, e cila ka bërë një punë mjaft të rëndësishme për këtë rajon, sapo vizitoi Shqipërinë dhe ndau një mesazh shume pozitiv për të ardhmen e vendit. Por mesazhi për udhëheqësit politikë është se kjo e ardhme nuk do të vijë automatikisht. Duhet të bëhet më shumë punë për ta bërë të mundur këtë. Ne i nxisim shumë qytetarët shqiptarë që të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe ta bëjnë të mundur këtë të ardhme.

Pyetje: Së pari, pasi dëgjuam fjalën tuaj, situata duket pozitive, por tensioni midis dy kampeve politike ndjehet qartë. Çfarë ju bën optimist dhe çfarë rrezikon Shqipëria nëse nuk arrin të ketë një fushatë dhe zgjedhje të lira e të ndershme? Nëse është e mundur, ndoshta ju mund të flisni me më pak diplomaci kështu që shqiptari i thjeshtë të mund të kuptojë.

Jonathan Moore: Kam shumë besim se qytetarët e Shqipërisë janë në gjendje të interpretojnë deklaratat diplomatike, pavarësisht nëse janë të rinj që kanë gëzuar anëtarësimin në NATO këto vitet e fundit apo brezi më i vjetër që i ka mbijetuar 40 viteve diktaturë nën Enver Hoxhën. Jam i sigurt që ia dalin shumë mirë të lexojnë midis rreshtave.

Ne flasim për realitete politike. Ish-shefja ime, Sekretarja Clinton foli në parlamentin tuaj; ajo foli për realitetet politike. Ajo foli posaçërisht për fushatën e tensionuar politike që bëri me senatorin e atëhershëm Barack Obama, i cili po kandidonte për president të SHBA.  E kuptoj që ju ndoshta po flisni për një tjetër lloj tensioni, por pati momente edhe në fushatën e tyre kur retorika ishte shumë e fortë dhe emocionet në maksimum. Ajo foli para parlamentit tuaj se si mund të ndryshojnë këto gjëra, se si mund të përshtaten. Në janar, ajo përfundoi katër vjet si Sekretarja e Shtetit e Presidentit Obama.

Ka pasur shumë diskutime për tensione politike në Shqipëri. Isha këtu para katër muajsh e gjysmë.  Fola me shumë nga të njëjtët njerëz dhe dëgjova gjëra mjaft të ndryshme sepse koalicionet e atëhershme nuk janë ato të tanishmet. Disa njerëz më patën thënë se si ata nuk do të mund të punonin kurrë bashkë ndërsa tani janë duke punuar bashkë në një koalicion parazgjedhor. Disa njerëz folën për përvoja të këqija në të shkuarën, se si nuk kishte besim dhe se u dukej e pamundur të punonin bashkë. Sërish, jam i sigurt që qytetarët e Shqipërisë, që kanë kaluar kaq shumë batica e zbatica, ulje e ngritje emocionale përgjatë viteve, kanë mendimet e tyre të sinqerta për partitë e ndryshme politike dhe liderët politikë. Në këtë kontekst, shpresojmë që ata të shkojnë në zgjedhje dhe të shprehin pikëpamjet e tyre. Ndonjëherë, diskutimet për tensione bëhen pikërisht për të shkaktuar këto lloj tensionesh, për qëllime politike. Ne kemi të gjitha pritshmëritë që të gjitha institucionet, individët, dhe organizatat do të sillen profesionalisht gjatë këtyre zgjedhjeve.

Nëse ka pikëpyetje legjitime, ato duhet të çohen në gjykatë. Ky opsion ekziston. Por, në fund të fundit, do t’iu takojë njerëzve të vendosin kë besojnë dhe kë mbështesin. Tani, më lejoni t’i kthehem të njëjtës pikë: jo vetëm që të gjitha partitë politike më thanë që do të pranojnë paqësisht rezultatet e zgjedhjeve, por, askush nuk e di se cilat do të jenë rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Ndoshta mesazhi më i mirë për qytetarët e Shqipërisë është pikërisht kjo pritshmëri nga udhëheqësit politikë.

Pyetje: A morët një premtim nga z. Rama se do t’i plotësojë dy vendet bosh në KQZ? Pyetja e dytë, a vëren Uashingtoni ndonjë kërcënim për diktaturë? Me këtë kam parasysh intervistën e dhënë para pak ditësh nga ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, Withers?

Jonathan Moore: Këto kanë të dyja përgjigje shumë të thjeshta. Sigurisht ne i diskutuam të gjitha këto çështje, përfshirë KQZ-në, me z. Rama. Disa nga këto vendime të anëtarëve të KQZ-së për t’u dorëhequr, u bënë vetëm dje në mëngjes. Nuk i paraqita atij ndonjë kërkesë specifike se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të Partisë Socialiste. Edhe për pyetjen e dytë, mund të jem shumë i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Z. Withers është një person privat. Siç e vuri vetë në dukje në intervistën e tij më të fundit, ai shpreh opinionet e tij vetëm si qytetar privat, dhe, bazuar në ligjet tona dhe tuaja, ai ka të drejtën ta bëjë këtë. Por, pikëpamjet zyrtare të Shteteve të Bashkuara vijnë nga ambasadori ynë aktual dhe nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

###