Komente të Ambasadorit të SHBA Aleksandër A. Arvizu për Median pas Takimit me Komisionin Parlamentar për Sigurinë Kombëtare të Shqipërisë

Së pari, dëshiroj të shprehem që e vlerësoj sinqerisht ftesën e Kryetarit Demi dhe Zv.kryetarit Gjoni që më ftuan. Patëm një diskutim shumë konstruktiv. Fokusi i takimit, siç e shprehën dy zotërinjtë, ishte roli i mbikqyrjes parlamentare mbi çështjet ushtarake dhe të sigurisë së vendit.  Folëm mbi parimet themelore, meqenëse si Shtetet e Bashkuara edhe Shqipëria janë aleatë në NATO. Mes parimeve të shumta që diskutuam, theksin e vumë tek tri prej tyre posaçërisht. I pari është që çdo anëtar i NATO-s merr përsipër angazhimin të ketë një sistem funksionues politik demokratik të bazuar në ekonominë e tregut. Parimi i dytë është angazhimi për marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Parimi i tretë themelor është mbikqyrja civile mbi veprimtaritë ushtarake dhe çështjet e sigurisë kombëtare. Përsëris, ishte një diskutim shumë i frytshëm. Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë partnere me Shqipërinë dhe presim me kënaqësi ndërveprime të tjera të këtij lloji.

Ju faleminderit.

###