Intervista e Këshilltarit Ligjor Kundër Korrupsionit Gjon Juncaj në 31 Minuta

Ju jeni prokuror me profesion dhe mendoj që periudha në Shqipëri ka mjaftuar për të kuptuar vështirësitë e prokurorëve shqiptarë, llojin e punës që bëjnë këtu. Cila mendoni është pengesa kryesore e tyre, vështirësia kryesore me të cilën përballen në punën e tyre? Di që keni ndihmuar disa prokurorë nga krimet e rënda, cila mendoni është pengesa kryesore dhe vështirësia kryesore në punën e tyre?

Gjon Junçaj: Po përgjigjem në anglisht që të shprehem më thellë dhe më qartë. Mendoj se ka shumë pengesa. Njëra është që Shqipëria është vend i vogël. Është e vështirë të kryesh një hetim serioz, hetim të madh, sepse sekretet dalin, dhe shqiptarët e njohin njëri-tjetrin kollaj në një vend kaq të vogël. Po ashtu është e vështirë të gjesh njerëz që janë gati të dalin dëshmitarë në një çështje, qofshin pjesë e veprimtarisë kriminale apo thjesht persona që kanë qenë dëshmitarë. Por mendoj se problemi kryesor është që ka shumë njerëz të fuqishëm në Shqipëri që kanë mënyra të ndryshme për të ushtruar presion mbi prokurorët. Më lejo të them këtë: duhet t’i njohim sukseset që prokuroria e krimeve të rënda ka demonstruar, të paktën në kohën kur kam qenë këtu dhe ato që kam pare me sytë e mi. Brenda dy vitesh, kemi një anëtar të Gjykatës së Lartë dhe të shoqin e saj që u dënuan për korrupsion. Ishte me rendësi që u bllokua ryshfeti prej 50,000 eurosh që ishin dhënë në atë rast.  Kohët e fundit kishim një gjyqtar të Gjykatës së Apelit i cili, për herë të parë, u dënua për korrupsion – 30,000 euro ryshfet në atë rast. Dhe çka është me rendësi për t’u mbajtur mend në këtë rast është dënimi por edhe që, për herë të parë, një prokuror, me prova, shkoi tek gjykatësi dhe kërkoi mandat për kontroll – për të shkuar në shtëpinë e gjykatësit dhe për të kërkuar para të thata, para ryshfetesh. Dhe ajo që zbuluan nuk ishin 20,000 euro por thuajse 200,000 euro, para të thata, në shtëpi. Gjyqtari duhet të shpjegojë se nga erdhën këto para. Po ashtu, janë tre gjyqtarë që janë çuar në gjykatë kohët e fundit, nga Gjykata e Apelit Durrës, të cilët në mënyrë të pabesueshme akuzohen se kanë pranuar udhëtime jashtë vendit për të ndjekur ndeshje futbolli. Gjyqtarët janë pezulluar. Kemi parë lëvizje në çështje të krimit të organizuar – dënimi i Shullazit është me rëndësi dhe të tjerë persona të rrezikshëm po hetohen. Por ç’është më e rëndësishme, ajo që do që të shohë populli shqiptar është që kur ka indicia për veprimtari kriminale në nivelet më të larta të qeverisë, që prokurorët do të hetojnë. Dimë që ka hetime në vazhdim ndaj ish-Ministrit të Brendshëm, Prokurorit të Përgjithshëm. Është me rëndësi jo thjesht që po hetohen por që do të jenë hetime të plota, që do të zbulojnë të gjitha provat që janë apo nuk janë aty, por që do ta bëjnë seriozisht dhe kjo është ajo që pret populli shqiptar.

A mendoni se prokurorët kanë arsimin e duhur profesional për të vazhduar hetime për këto krime apo për raste korrupsioni?

Gjon Junçaj: Po. Gjeta që prokurorët janë shumë të aftë. Shkolla e Magjistraturës bën një punë të mirë për të përgatitur prokurorë dhe gjyqtarë – marrin arsimin për ligjin, praktikojnë për një vit përpara se të bëhen prokurorë dhe gjyqtarë. Ka qenë privilegj i madh për mua që kam dhënë lëndën e etikës aty për dy vitet e fundit, me prokurorë dhe gjyqtarë. Etika është shumë e rëndësishme sepse aktualisht, prokuroria dhe i gjithë sistemi i gjykatave si i tërë vuajnë për shkak të rënies së reputacionit.  E gjitha fillon me etikën dhe integritetin e prokurorëve dhe ajo që them në klasën time është: gjëja më e rëndësishme që mund të ruani është integriteti juaj personal dhe kjo sjell përfitime për të gjithë sistemin sepse janë të gjithë gurë të ndërtesës së drejtësisë ku bëjnë pjesë.

Mendoni se ka dallime mes prokurorëve amerikanë dhe prokurorëve shqiptarë, jo thjesht në arsimim, por edhe në qëndrimin për të hetuar korrupsionin sidomos sepse është shumë i përhapur në Shqipëri?

Gjon Junçaj: Një prokuror amerikan si unë, nëse e kam seriozisht punën time, nuk më ndalon asnjë gjë për të marrë një çështje dhe hetim dhe të gjej cilindo që është përgjegjës në atë çështje, nëse ka nevojë deri në majë. Në Amerikë, si prokuror, unë shpërblehem për këtë, karriera ime bën përpara. Mendoj se një prokuror shqiptar nuk gëzon të njëjtën lloj sigurie lidhur me karrierën e vet nëse e bëjnë këtë. Të jemi të qartë për diçka: ka prokurorë të mirë në Shqipëri që kanë qenë në situata të këqia dhe ka edhe prokurorë e gjyqtarë të këqinjë në Shqipëri që nuk meritojnë të përfaqësojnë më popullin shqiptar. Mendoj se në një mënyrë a një tjetër, do të gjejnë rrugën e largimit nga sistemi, por mendoj se shpejt shqiptarët duhet të presin dhe prokurorët shqiptarë duhet të presin të jenë në një sistem që ka mbrojtje më të mirë nga problemi real në Shqipëri dhe ky është politika. Për dekada me radhë, politika ka njollosur sistemin e drejtësisë dhe mendoj se kjo do të ndryshojë për mirë në të ardhmen.

A mendoni se paketa e reformës në drejtësi do të funksionojë, do të zbatohet? Ka prekur në publik jetën e shumë personave, mënyra si u miratua në parlament, si sistemi filloi të funksionojë hap pas hapi? Institucionet e reja që presim të ndërtohen nga kjo paketë? Pra institucionet që presim të ngrihen nga kojo paketë? A mendoni se në fund të fundit do të kemi zbatim të paketës së plotë në Shqipëri?

Gjon Junçaj: Po ashtu mendoj. Ka shumë njerëz që janë përgjegjës për këtë. Mendoj se nëse politikanët dhe politika duan që reforma t’ia dalë me sukses, do të ketë sukses. Dhe mendoj se të gjithë jemi në një mendje se reforma në drejtësi është rruga më e mirë përpara. Po ashtu mendoj se nëse politikanët nuk duan që të ketë sukses – më lejoni të jem i qartë për këtë – ajo prapë do të ketë sukses. Sepse populli shqiptar e mbështet, Shtetet e Bashkuara e mbështesin, komuniteti ndërkombëtar e mbështet…E shoh si një tren që po lëviz përpara dhe ose do të jesh në tren ose do të jesh në shina përpara trenit. Por, lëvizja është përpara.

A mendoni se ka pengesa për ngritjen e SPAK sidomos por edhe të BKH në Shqipëri?

Gjon Junçaj: Sigurisht duhet të mbajmë parasysh se SPAK, BKH, prokuroria e posaçme, përparësia kryesore e tyre është t’i kundërvihen korrupsionit, sidomos korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, dhe të gjithë ata persona do të bëjnë gjithçka që munden që ta pengojnë përparimin e reformës, edhe njerëz që mund të jenë duke e mbështetur publikisht, por në porapaskenë kanë plane të tjera, por prapëseprapë do të ecë përpara. Ai tren tashmë ecën përpara. Mund t’ju them se Shtetet e Bashkuara do të mbeten të përkushtuara ndaj atij misioni. Ambasada e SHBA nuk u largua bashkë me Ambasadorin Lu. Ky është një prioritet i Shteteve të Bashkuara. Ne do të trajnojmë, këshillojmë dhe do të mbështesim dhe do të vëzhgojmë gjithë rrugës lidhur me SPAK dhe BKH.

Prokurorët shqiptarë, ndoshta disa prej tyre i keni ndihmuar gjatë kohës tuaj këtu në Shqipëri, po ju shohin tani. A keni një mesazh për ta?

Gjon Junçaj: Po, kam. Ka qenë privilegj që kam kaluar kohë me ta. Së pari, dua të them që kam qenë gjithmonë i mirëpritur, që nga koha e ish-kryeprokurorit e deri tani. Mesazhi që kam për ta është ky: koha…dhe sidomos për prokurorët e mirë, ata që duan të bëjnë gjënë e duhur…koha e tyre po vjen. Do të kenë mundësinë të jenë grupi tjetër i heronjve të këtij vendi. Mendoj se kanë kaluar – do ishte e drejtë të thuhej – ndoshta 100 vjet, një shekull që vjen mundësia që të dalin përpara heronj të rinj dhe ta çojnë Shqipërinë përpara në drejtimin e duhur. Dhe kjo kohë duhet të jetë tani dhe këta prokurorë dhe gjyqtarë duhet të ngrihen dhe të ofrojnë veten. Një kërkesë specifike për prokurorët që po mendojnë të aplikojnë për në SPAK: nëse jeni ai lloj personi që është i interesuar për t’i shërbyer vendit dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj, atëhere ngrihu, bëj përpara dhe Shtetet e Bashkuara, komuniteti ndërkombëtar dhe ç’është më e rëndësishmja populli shqiptar do t’ju mbështesë.

Do ktheheni në Shtetet e Bashkuara, vendin tuaj, çfarë do t’ju mungojë nga Shqipëria?

Gjon Junçaj: Çfarë do të më mungojë? Njerëzit, sidomos të rinjtë. Shoh shpresë në jetët e tyre. Shoh njerëz që meritojnë një vend nga i cili nuk duan të largohen. Shoh njerëz që edhe nëse janë larguar nga vendi, shoh të krijuarin e një vendi ku do duan të kthehen, dhe duhet ta bëjmë këtë sepse e meritojnë.