Gazetarë Shqiptarë dhe Serbë Shkëmbejnë Vizita

Zëvendës Ambasadori David Muniz dhe Përgjegjësi i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën e SHBA në Tiranë Ryan Roberts morën pjesë në një diskutim ku ishin mbledhur pesë gazetarë shqiptarë që udhëtuan në Beograd në janar dhe pesë gazetarë serbë që vizituan Tiranën këtë javë në një program shkëmbimi në përpjekje për të ndihmuar me kapërcimin e stereotipeve në median shqiptare dhe serbe. I organizuar nga Instituti Shqiptar i Medias, shkëmbimi synon të zgjerojë kontaktet mes profesionistëve të medias dhe të përmirësojë raportimin mbi fqinjët në rajonin e Ballkanit. Gjatë vizitave në kryeqytetet respektive, grupet e gazetarëve u takuan me përfaqësues të shoqërisë civile, biznese, anëtarë të parlamentit, përfaqësues të qeverisë, etj. Duke folur përpara grupit, Zv. Ambasadori Muniz tha se marrëdhënia Serbi-Shqipëri është “një prej pikave të ndriçuara në rajon në vitet e fundit. Mendoj se ka potencial dhe shpresoj që marrëdhënia do të vazhdojë të përmirësohet dhe të rritet, përfshi edhe nga pikëpamja ekonomike.” Muniz tha se ka shërbyer më parë në Ambasadat e SHBA në Kosovë dhe Malin e Zi dhe se ka parë shembujt jo të mirë dhe të mirë të medias që përhapin por edhe kapërcejnë stereotype, “Kam parë disa raportime dhe stereotipe jo jo të mira që të dy palët kanë për njëri-tjetrin si dhe dëmin që mund të shkaktojnë këto. Ju nxis të vazhdoni ndërveprimet mes jush, vazhdoni të hapni mendjen dhe perspektivat, të mësoni pak më shumë; nëse je serb, të mësosh sa të mundesh për Shqipërinë; anasjelltas nëse je shqiptar. Sa më shumë ndërveprim të shohim, aq më shumë do të thyejmë stereotipet dhe do të ndërtojmë një rajon më të fortë.”