Flag

An official website of the United States government

Programi Fulbright për Studentë të Huaj 2022-2023
9 MINUTA LEXUAR

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pranon aplikime për vitin akademik 2022-2023 për Programin Fulbright për Studentë të Huaj. Programi Fulbright për Studentë të Huaj është një program një ose dy vjeçar për profesionistë të rinj dhe ata që kanë përfunduar studimet, të interesuar të ndjekin studime në nivelin Master në Shtetet e Bashkuara. Në bazë të një procesi të hapur konkurimi, bursat u jepen kandidatëve që shfaqin më së miri përkushtimin në detyrë si në sektorin publik dhe atë privat, si edhe potencial për të sjellë një qasje pozitive në të ardhmen e Shqipërisë.

Fushat e Studimit

Aplikimet janë të hapura për të gjitha fushat e studimit. Ju lutemi përzgjidhni me kujdes disiplinën e duhur dhe fushën primare të specializimit nga lista që ofrohet në formularin e aplikimit.

Në zbatim të Memorandumit të Mirëkuptimit për Programin e Shkëmbimit Akademik Fulbright, firmosur më 25 shtator 2019, applikimit në fushat e mëposhtme të studimit do të konsiderohen për bursat Fulbright me financim nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë:

  1. Edukim
  2. Inxhinieri
  3. Shkencat e Natyrës
  4. Histori
  5. Gjuhësi
  6. Shkenca Kompjuterike/Teknologji Informacioni
  7. Administrim Publik

Shënim: Sipas rregullave të vizës J-1, aplikantët e interesuar në fushat e studimit si mjekësi, infermieri, stomatologji, veterinari, farmaci apo programe të tjera klinike, duhet të dinë se kontakti I drejt për drejtë me pacientët, duke përfshirë edhe kafshët, nuk lejohet, dhe si rezultat pjesëmarrja në orët akademike dhe/ose aktivitete të tjera programatike në institucionet respektive në Shtetet e Bashkuara mund të jetë e kufizuar.

Kohëzgjatja e grantit

Bursat zakonisht zgjasin një deri në dy vjet në një universitet në Shtetet e Bashkuara për të ndjekur studime për gradën Master. Kandidatët janë të detyruar të kthehen në Shqipëri për të paktën dy (2) vjet në përfundim të programit. Pjesëtarë të familjes mund të lejohen të shoqërojnë kandidatin sipas rastit dhe plotësimit të kritereve. Edhe familjarët duhet të përmbushin detyrimin e kthimit të Shqipëri për të paktën dy (2) vjet.

Kërkesat për Kualifikim

  • Aplikantët duhet të jenë qytetarë të Republikës së Shqipërisë.
  • Aplikantët duhet të kenë të paktën një diplomë të nivelit Bachelor nga një program studimi me kohë të plotë katër vjeçar (ose diplomë të programeve tre + një ose tre + dy, sipas sistemit të Bolonjës).
  • Aplikantët duhet të kenë të paktën dy vjet përvojë profesionale pune në fushën e studimit dhe të shfaqin aftësi udhëheqëse
  • Aplikantët duhet të kenë një nivel të mirë të gjuhës angleze të folur dhe të shkruar (ekuivalente të nivelit B2; rezultatet e provimit të TOEFL nuk janë të detyrueshme në momentin e aplikimit.)
  • Aplikantët duhet të kuailifikohen për të marrë vizë J-1.
  • Aplikantët duhet të kenë rekorde të mira shëndetësore.

SHËNIM: Individët që përfshihen në një nga kategoritë e mëposhtme: qytetarët amerikanë, rezidentët e përhershëm (mbajtës të Green Card), familjarë të afërt të punonjësve të Ambasadës së ShBA, përfitues të bursës Fulbright në pesë vitet e fundit, studentë që janë të regjistruar apo ndjekin programe studimi në Shtetet e Bashkuara ose me përvojë studimi të mëparshme për më shumë se një vit në Shtetet e Bashkuara, individë të punësuar në Shtetet e Bashkuara, personat e martuar me qytetarë amerikanë, persona që kanë aplikuar të emigrojnë ose persona që kanë kërkuar azil në një vend tjetër nuk kualifikohen për të aplikuar për programin Fulbright.

Dispozitat Financiare

Bursa e programit Fulbright ofron tarifën e shkollimit dhe taksat e universitetit, pagesë mujore për jetesë, libra dhe mjete shkollore, financimi të pjesshëm për kompjuter, udhëtim vajtje ardhje në institucionin pritës (dhe në programin e gjuhës angleze nëse bursisti duhet të marrë pjesë) dhe udhëtimin në Washington DC për një seminar. Fonde të tjera shtesë vihen në dispozicion për aktivitete profesionale si udhëtime apo pjesëmarrje në konferenca. Bursa e programit Fulbright nuk rinovohet.

Procedura e Aplikimit

Të gjithë aplikantët e interesuar duhet të plotësojnë online formularin Fulbright për Studentë të Huaj. Klikoni 2022 Fulbright Student Program për formën e aplikimit online, krijoni një llogari, dhe më pas hyni në llogarinë tuaj për të filluar aplikimin. Dërgoni aplikimin e plotë në formë elektronike dhe kopjet e skanuara të të gjithë dokumentave të kërkuara jo më vonë se data 30 qershor 2021. Nëse arrini të dërgoni aplikimin dhe të gjithë dokumentat e kërkuar nëpërmjet sistemit online, nuk është e nevojshme të dërgoni ndonjë informacion tjetër me postë.

Nëse nuk arrini t’i dërgoni dokumentat e kërkuara nëpërmjet sistemit online, ju mund ta dërgoni të gjithë paketën e aplikimit me postë; megjithatë, që ju të konsideroheni për bursën, formulari i aplikimit duhet të plotësohet dhe të dërgohet online. Pasi ju të keni plotësuar aplikimin online, printoni një kopje, vendosni edhe dokumentat e kërkuara të përkthyera e të noterizuara, formularin e firmës të firmosur me bojë, dhe dërgojini me postë në këtë adresë:

Programi Fulbright
Zyra e Marrëdhënieve me Publikun
Ambasada e ShBA
Rruga Stavro Vinjau, No. 14
Tiranë, Shqipëri

 

Aplikimi i plotë përfshin:

  • Formularin e aplikimit (të gjeneruar nga sistemi Embark duke përfshrë edhe dokumentat bashkëngjitur në sistem)
  • Kopje të përkthyera e të noterizuara të diplomave dhe çertifikatave të notave nga të gjitha institucionet akademike ku keni studiuar
  • Tri letra reference
  • CV të detajuar
  • Letër nga punëdhënësi që konfirmon punësimin
  • Kopje të faqes biografike të pasaportës
  • Çertifikata të tjera (që lidhen me fushën e studimit)

Për informacion të mëtejshëm kontaktoni: Zyra e Marrëdhënieve me Publikun, Ambasada Amerikane, Tiranë me email EducationandCultureTirana@america.gov ose regjistrohuni këtu për të ndjekur seancat informative në lidhje me programin të ofruara nga stafi i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun.

Kujdes: Aplikimet që do të dërgohen pas datës 30 Qershor 2021 dhe aplikimet që do të dërgohen si Google Docs ose nëpërmjet WeTranfer nuk do të merren në shqyrtim.