Fjalimi i Zv. Ambasadorit David Muniz në Konferencën e Përfundimit me CRS-Caritas

Zëvendës Ministre Gjebrea, Dr. Nikolla, Z. D’Silva, anëtarë të shoqërisë civile – veçanërisht miq dhe partnerët tanë të Catholic Relief Services (CRS) dhe Caritas-it.

Lufta kundër trafikimit njerëzor është një nga përparësitë më të larta të Shteteve të Bashkuara.  Ai është një fyerje për vlerat tona thelbësore, është një krim me përmasa të neveritshme dhe dhunon të drejtën tonë themelore për të jetuar e punuar në vend të sigurtë dhe me dinjitet.

Kjo është arsyeja se përsa lëvizja për t’i dhënë fund trafikimit njerëzor është thelbësore dhe se Presidenti e bëri të qartë që: “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë udhëheqëse të kësaj lëvizjeje botërore”.

Jam tërësisht dakord me të. Një nga vizitat e mia të para jashtë qytetit të Tiranës ishte në strehëzën “Vatra” në Vlorë. U preka thellësisht nga historitë e disa prej viktimave të trafikimit që takova atje. I përgëzojmë përpjekjet e të gjithë atyre në Shqipëri të cilët po punojnë për të mbrojtur dhe për të ndihmuar viktimat e trafikimit. Ju po luftoni luftën e drejtë!

Kjo është arsyeja se pse jam krenar të nënvizoj mbështetjen tonë për organizata si CRS-ja dhe Caritas-it, të cilat kanë qenë në ballë të kësaj lufte të mirë. Përpjekjet tuaja kanë qenë vendimtare në dërgimin e përpjekjeve të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara – por sidomos të Qeverisë shqiptare – në zonat larg kryeqytetit. Dhe më lejoni të ndalem këtu vetëm për të thënë: “Faleminderit!” Catholic Relief Services (CRS) dhe Caritas-i Shqiptar sapo kanë përfunduar një program dyvjeçar kundër trafikimit, prej 450,000 dollarësh, mbështetur nga Departamenti i Shtetit, dhe ky ka qenë një partneritet efektiv.

Kontributet tuaja në lëvizjen kundër trafikimit të personave kanë qenë të shumta, por ndoshta më e rëndësishme ka qenë puna me aktorët rajonalë që luftojnë trafikimin e personave. Ambasadori dhe unë e lavdërojmë shpesh punën e Zëvendës Ministres Gjebrea dhe të ekipit të saj këtu në Tiranë, por ata nuk mund të punojnë vetëm.  Për të qenë efektivë kanë nevojë të kenë partnerë në terren.  Puna juaj me komitetet rajonale antitrafik u ka ofruar këtë.

Ka kaq shumë keqkuptime rreth trafikimit – Kush është viktimë? A është e nevojshme që ai ose ajo të kalojnë një kufi ndërkombëtar? Po nëse viktima ka bërë diçka të paligjshme, ndërsa ka qenë duke u trafikuar? Këto pyetje mund të krijojnë konfuzion dhe për shkak të kësaj, qeveritë vendore shpesh nuk organizojnë një përgjigje të duhur, e përfundimisht nuk bëhet asgjë.

Puna juaj me administratorët vendorë, policinë, punonjësit socialë dhe shumë të tjerë në nivel vendor e ka sqaruar problemin në një masë të madhe dhe ka rritur kapacitetet e qeverive bashkiake për t’u përballuar me fenomenin e trafikimit dhe për të mbrojtur viktimat e tij.

Fatmirësisht keni gjithashtu partnerë të qeverisë që e marrin trafikimin e personave shumë seriozisht, duke filluar me Zyrën e Koordinatorit Kombëtar, që ka luftuar dhe ka marrë një rritje buxheti gjatë disa viteve të fundit. Kjo do të thotë më shumë burime për strehëzat dhe ndërgjegjësim më të madh të publikut përmes aktiviteteve të tilla si muaji i përvitshëm kundër trafikimit në tetor.

Ekzitojnë ende fusha për përmirësim:

Policia dhe prokurorët duhet të punojnë më ngushtësisht së bashku që viktimat e trafikimit të identifikohen faktikisht si të tilla.  Sot krimet e trafikimit keqidentifikohen ende si diçka tjetër, për shembull si shfrytëzim për prostitucion. Kjo e bën një krim më të lehtë për t’u ndjekur penalisht, por rezulton gjithashtu në dënime më të vogla.  Do të thotë gjithashtu se viktimat nuk mbrohen siç duhet.

Duhet të theksojmë edhe punën e rëndësishme të koalicionit tonë të strehëzave dhe i nxisim partnerët tanë të qeverisë që të sigurojnë mbështetje të vijueshme për shërbimte e tyre, veçanërisht për riintegrimin e viktimave në shoqëri.

Sërish faleminderit CRS, Caritas dhe të gjithëve që punojnë pa u lodhur për t’u përballur me plagën e trafikimit të personave.