Fjalimi i Sekretarit të Shtetit John Kerry pas Takimit me Kryeministrin Shqiptar Edi Rama

SEKRETARI KERRY: Mirëmëngjesi të gjithëve ju, dhe shumë, shumë faleminderit Z. Kryeministër. Është një mundësi shumë e veçantë të jem sot këtu me ju. Ne të dy jemi takuar edhe më parë. Unë e kam çmuar udhëheqjen tuaj. E vlerësoj shumë kreativitetin tuaj. Dhe jam shumë mirënjohës ndaj mikpritjes së ngrohtë që është kaq e dukshme dhe kaq e prekshme sot në Tiranë, në Shqipëri. Jam gjithashtu shumë mirënjohës që gjetët kohën, së bashku me Ministrin Bushati dhe kabinetin tuaj, për të ndarë me ne të gjitha mendimet tuaja për të cilat ju folët në deklaratën tuaj gjithëpërfshirëse. Presidenti Obama dhe unë dhe populli amerikan jemi shumë mirënjohës për udhëheqjen që ju po ofroni dhe për përpjekjet e ekipit tuaj, jo vetëm në të mirën e Shqipërisë dhe interesave të saj, por edhe në përqafimin e disa vlerave që na përkufizojnë të gjithë ne dhe unë vërtet mendoj se janë baza e miqësisë që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria ndajnë së bashku.Unë jam këtu sepse ne jemi miq. Unë dua ta theksoj këtë.  Ne jemi aleatë. Ne kemi interesa të mëdha të përbashkëta dhe kemi përshkruar një rrugë shumë interesante dhe të veçantë në marrëdhënien tonë diplomatike, e cila, ashtu siç Kryeministri ia kujtoi të gjithëve, pas një muaji do të festojë 25 vjetorin e saj. Mendoj se mund t’ju them, ashtu si Ambasadori ynë këtu Donald Lu më tha, marrëdhënia jonë është shumë e shëndetshme dhe shumë, shumë e ngrohtë, dhe ne të gjithë jemi shumë mirënjohës për këtë gjë.

Unë e dëgjova me vëmendje Kryeministrin sot në mëngjes, dhe mendoj se ai ngriti çështje të rëndësishme dhe hapi mundësi për Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë që të punojnë akoma edhe më shumë së bashku. Ne po jetojmë një kohë që mbart një sfidë shumë të madhe globale. Shqipëria i ka kuptuar këto sfida dhe udhëheqja juaj ka qënë shumë e rëndësishme në ndihmën që i ka dhënë Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të tjera që të luftojnë këtë provë që kemi përpara: këtë luftë kundër terrorizmit ekstrem, këtë përpjekje për të shtrembëruar një besim të madh dhe për ta përdorur, në shumë raste, për qëllime të këqija që nuk kanë fare të bëjnë me asnjë besim që ekziston në këtë planet.

Në këtë kuadër, unë sapo jam kthyer nga Mynihu, ku u përqëndruam në përpjekjet në Lindjen e Mesme dhe nevojën për t’u përballur dhe për të mundur grupin terrorist DAESH.  Dhe sigurisht që pati shumë diskutime, siç e dimë të gjithë, mbi pasojat e kësaj lufte, si po pasqyrohet në Siri dhe ndikimin e emigrimit në të gjithë rajonin.  Ne e dimë se DAESH nuk do të mundet vetëm sepse një vend e kërkon këtë.  Kjo kërkon një koalicion të gjerë, dhe ne e kemi ndërtuar këtë koalicion.  Dhe them me krenari dhe mirënjohje që Shqipëria është pjesë e këtij koalicioni.  Shqipëria ka qënë me ne qysh në fillim, e gatshme për t’u rreshtuar krah të gjitha vendeve që janë kundër Daesh.  Dhe është gjithashtu krah nesh në mbështetje të Irakut.  Është krah nesh në mbështetje të Afganistanit.  Dhe po qëndron krah nesh në sfidën afatgjatë për t’u treguar njerëzve rëndësinë e tolerancës, për të margjinalizuar ekstremet e dhunshme, për të kuptuar se është e rëndësishme që të gjithë ne të ndërtojmë shoqëri dhe komunitete në të cilat ju mbase nuk do të jeni dakord me të gjithë, por jeni tolerantë ndaj ideve të tyre, gjithnjë nëse ato respektojnë ligjin dhe rregullat ndërkombëtare të mirësjelljes dhe sjelljes njerëzore.

Shqipëria nuk është thjesht një mike apo thjesht një vend që ka treguar në kaq shumë mënyra një dashuri të veçantë për Shtetet e Bashkuara, por Shqipëria është edhe një aleate e NATO-s, dhe kjo sjell për të përgjegjësi të veçanta në këtë rajon.  Dhe ne jemi mirënjohës për anëtarësimin dhe partneritetin e Shqipërisë në këtë aleancë.Gjatë mbledhjes tonë sot, Kryeministri, Ministri i Jashtëm dhe unë patëm mundësinë për të shqyrtuar zhvillimin e rëndësishëm të Shqipërisë – hapat e vërtetë që Shqipëria po merr bën drejt marrjes së përgjegjësive të plota në këtë aleancë dhe në këtë miqësi, ashtu si edhe për të arritur gjërat që do të arrijë dhe që ka përqafuar, në mënyrë që të integrohet akoma më thellë shumë në institucionet Euro-Atlantike.

Faktet janë shumë të qarta dhe Shqipëria duhet të jetë shumë e kënaqur me faktin që vendi juaj po ecën në drejtimin e duhur.  Juve jeni në rrugën e duhur dhe unë kam shumë besim se me ndërgjegjësimin që është  përqafuar në legjislacionin tuaj ndaj luftës kundër korrupsionit, unë jam shumë, shumë i kënaqur, ashtu si të gjithë janë, që reformat tuaja kanë marrë rrugë.  Jam personalisht i kënaqur, shumë madje, nga paketa e reformës në drejtësi që po shqyrtohet tani, me synimin për të përmirësuar sistemin gjyqësor dhe për të pasur më shumë mundësi për të mposhtur korrupsionin.

Dhe dua të nënvizoj se kjo është diçka që udhëheqja juaj po përqafon, që ata po punojnë fort për t’ia arritur qëllimit.  Dhe ata janë të përkushtuar, për këtë jam i bindur, ndaj luftës për një qeveri më të përgjegjshme, dhe kjo kërkon mbështetjen e çdo qytetari shqiptar.  Shtetet e Bashkuara janë absolutisht të gatshëm dhe të vullnetshëm, dhe unë jam këtu për ta pohuar edhe në emër të Presidentit Obama, se ne jemi me ju në këtë ndryshim dhe në këtë rrugëtim.
Por në fund të fundit, vetëm shqiptarët mund t’i bëjnë këto ligje – ligjet e duhura – dhe të këmbëngulin në zbatimin e dobishëm të tyre.  Unë e di këtë nga eksperienca vetjake.  Ndava me Kryeministrin rrugëtimin tim si një prokuror i ri i shtetit të Masaçusetsit në Amerikë, dhe e di se është e vështirë që të kapësh ata që janë të kënaqur me procesin e shmangies së përgjegjësive që kanë ndaj një vendi të tërë dhe që përfshihen në veprimtari korruptive.  Por sado e vështirë që të jetë, unë jam i bindur se kryeministri dhe qeveria po ecin drejt një rruge e cila do të garantojë që e ardhmja e Shqipërisë të jetë ajo që do ta çojë drejt partneritetit të plotë me Europën dhe pjesën tjetër të botës, drejt një rruge zhvillimi me mundësi më të mira për të gjithë popullin shqiptar.

Njerëzit e këtij vendi e dinë shumë mirë dhe ata duan që të jetojnë në një vend ku respekti ndaj ligjit do të thotë vërtet këtë gjë: është respekt ndaj ligjit që gjykatësit dhe prokurorët duhet t’u binden të njëjtave rregulla ashtu si edhe ai qytetari i thjeshtë në çdo rrugë të vendit, dhe se çdokush duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë, pavarësisht se cila parti politike është në pushtet, kujt partie i përket apo çfarë bindjesh politike ka.  Dua të theksoj se Shqipëria ka ecur shumë gjatë çerek shekullit të fundit. Dhe, ashtu si mund të dëshmojnë edhe njerëzit në vendin tim, është një punë e vështirë.  Nuk është e lehtë të ndërtosh një demokraci të fortë, madje është vërtet një punë që kërkon dekada kohë.  Dhe sinqerisht, kjo punë nuk përfundon kurrë.  Ne jemi ende duke punuar për ta bërë demokracinë tonë sa më perfekte.  Edhe ne kemi sfidat tona.  Gjëja më e rëndësishme është që të flasësh për to hapur, dhe që të punosh në mënyra konkrete për të zgjidhur shqetësimet e njerëzve.

Shqipëria ka pasur një zhvillim të rëndësishëm dhe është qartësisht e angazhuar – nuk ka asnjë dyshim për këtë – për të arritur akoma më shumë. Dhe në këtë rrugëtim, Shqipëria duhet të jetë e sigurtë në miqësinë dhe mbështetjen e plotë të popullit të Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë tone. Dua të them se kam shumë miq me origjinë shqiptare në Amerikë, të cilët gjithnjë më kanë thënë “duhet të shkosh në Shqipëri.  Duhet të vizitosh Shqipërinë.”  Më vjen keq që është një vizitë kaq e shkurtër.  Duhet te kthehem dhe do të vij, por ju premtoj këtë: Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria vetëm do ta rrisin dhe forcojnë këtë marrëdhënie të veçantë që kemi sot.  Ju falenderoj, Z. Kryeministër, për mikpritjen e ngrohtë dhe zemërgjerë që më bëtë gjatë vizitës sime të parë në Shqipëri.

Faleminderit.