Fjalimi i Përvitshëm i Presidentit mbi Gjendjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Kongresi i SHBA
Uashington, D.C.

PRESIDENTI:  Z. Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, Z. Zëvendëspresident, anëtarë të Kongresit, bashkëkombas:

Pesëdhjetë e një vjet më parë Xhon F. Kenedi tha në këtë sallë: “Kushtetuta nuk na bën rivalë për pushtet por partnerë për përparimin.” “Është detyra ime”, – tha ai, “të raportoj për gjendjen e Shteteve të Bashkuara – përmirësimi i tyre është detyra e të gjithëve ne.”

Sonte, falë kurajës dhe vendosmërisë së popullit amerikan, ka mjaft përparim për të raportuar. Pas një dhjetëvjeçari lufte të mundimshme, burrat dhe gratë tona trima nën uniformë po kthehen në shtëpi. Pas disa vitesh rënie ekonomike  rraskapitëse, bizneset tona kanë hapur mbi gjashtë milionë vende të reja pune. Blejmë më shumë makina amerikane nga sa kemi blerë në pesë vitet e fundit dhe më pak naftë të huaj nga sa kemi blerë në 20 vitet e fundit. Tregu ynë i banesave po rimëkëmbet, tregu i aksioneve po rikthehet në gjendjen e tij dhe konsumatorët, pacientët e pronarët e shtëpive kanë tani mbrojtje më të fortë se asnjëherë.

Pra, së bashku kemi larguar rrënojat e krizës, dhe mund të themi me besim të rikthyer se gjendja e Shteteve të Bashkuara është më e fuqishme.

Por, mblidhemi këtu duke e ditur se ka miliona amerikanë puna dhe përkushtimi i të cilëve nuk janë shpërblyer akoma. Ekonomia jonë po shton vende pune – por shumë njerëz nuk munden akoma të gjejnë punë me orar të plotë. Fitimet e korporatave kanë kapur lartësitë më të mëdha të të gjitha kohërave – por për më shumë se një dhjetëvjeçar rrogat dhe të ardhurat nuk kanë pësuar ndryshim.

Është detyra e brezit tonë, atëherë, të rindezë motorrin e vërtetë të rritjes ekonomike të Amerikës – klasën e mesme të re e në lulëzim.

Është detyra jonë e pambaruar të rikthejmë marrëveshjen themelore që ndërtoi këtë vend – idenë se nëse punon shumë dhe përmbush përgjegjësitë, mund të ecësh përpara, pavarësisht nga ke ardhur, pavarësisht pamjes së jashtme apo kë dashuron.

Është detyra jonë e pambaruar të sigurojmë që kjo qeveri punon në emër të shumicës, jo thjesht të disave; që ajo inkurajon sipërmarrjen e lirë, të shpërblejë nismën individuale dhe të hapë dyert e mundësive për çdo fëmijë në gjithë kombin.

Populli amerikan nuk pret që qeveria të zgjidhë të gjitha problemet. Ata nuk presin që të gjithë ne këtu në këtë sallë të biem dakord në çdo pikë. Por, ata presin që ne të vëmë interesat e kombit përpara atyre partiake. Ata presin që ne të krijojmë kompromise të arsyeshme aty ku është e mundur. Sepse ata e dinë që Amerika ecën përpara vetëm kur ne e bëjmë këtë së bashku, dhe kur përgjegjësia e përmirësimit të këtij bashkimi mbetet detyrë e të gjithëve ne.

Puna jonë duhet të nisë duke ndërmarrë disa vendime bazë në lidhje me buxhetin – vendime që do të kenë ndikim të madh në fuqinë e rimëkëmbjes sonë.

Gjatë viteve të fundit, të dyja partitë kanë punuar bashkë për të ulur deficitin me mbi 2,5 miliardë dollarë – kryesisht duke ulur shpenzimet, por edhe duke rritur shkallën e taksave ndaj 1 përqind më të pasurve mes amerikanëve. Si rrjedhojë, kemi bërë më shumë se gjysmën e rrugës drejt synimit të 4 miliardë dollarëve ulje deficiti që na diktojnë ekonomistët si nevojë për të stabilizuar gjendjen tonë financiare.

Tani na duhet ta përfundojmë këtë punë. Pyetja është: si?

Në vitin 2011, kongresi miratoi një ligj sipas të cilit nëse të dyja partitë nuk bien dakord për një plan për realizimin e synimit të deficitit, vlera prej rreth një milliardë dollarë shkurtime buxheti do të hynte në fuqi automatikisht këtë vit. Këto shkurtime të menjëherëshme, të ashpra, e arbitrare do të rrezikonin gatishmërinë e ushtrisë sonë. Ato do të shkatërronin përparësi si arsimi, energjia dhe kërkimet mjekësore. Me siguri që do të ngadalësonin rimëkëmbjen tonë, dhe do të na kushtonin qindra mijëra vende pune. Prandaj demokratë, republikanë, drejtues biznesesh dhe ekonomistë kanë thënë tashmë se këto shkurtime, këtu në Uashington të njohura si sekuestrime, nuk janë ide e mirë.

Disa në kongres kanë propozuar parandalimin vetëm të shkurtimeve të buxhetit të mbrojtjes duke bërë shkurtime më të mëdha në gjëra si arsimi dhe trajnimet, Medicare (program sigurimesh shëndetësore) dhe përfitimet e sigurimeve shoqërore. Kjo është ide akoma më e keqe.

Por, shtysa më e madhe e borxhit tonë afatgjatë është kostoja në rritje e sigurimeve shëndetësore për një popullsi në plakje. Dhe mes nesh ata që shqetësohen më shumë për programe si Medicare duhet të pranojnë nevojën për reforma modeste – përndryshe, programet tona të pensionit do të përjashtonin investimet që na nevojiten për fëmijët tanë dhe do të rrezikonin premtimin për pension të sigurt për brezat e ardhshëm.

Por, nuk mund t’u kërkojmë shtetasve tanë në moshë dhe familjeve që punojnë që të mbajnë në shpatulla gjithë barrën e uljes së deficitit ndërkohë që nuk kërkojmë asgjë më shumë prej më të pasurve dhe më të fuqishmëve. Nuk do të rrisim klasën e mesme thjesht duke zhvendosur koston e sigurimeve shëndetësore apo shpenzimeve për universitet mbi familjet që mbijetojnë, apo duke detyruar bashkësitë të shkurtojnë nga puna më shumë mësues, më shumë policë dhe më shumë zjarrfikës. Pjesa më e madhe e amerikanëve – demokratë, republikanë dhe të pavarur – e kuptojnë se nuk mundemi thjesht të shkojmë drejt begatisë me shkurtime. Ata e dinë se rritja ekonomike me baza të gjera kërkon qasje të barazpeshuar për uljen e deficitit, duke ulur shpenzimet e me burime të ardhurash, dhe ku secili bën punën e tij në mënyrë të drejtë. E kjo është qasja që unë ju ofroj sonte.

Në lidhje me Medicare, jam i përgatitur të miratoj reforma që do të sjellin të njëjtën sasi kursimesh për sigurime shëndetësore deri në fillim të dhjetëvjeçarit të ardhshëm sa reformat e propozuara nga komisioni dypartiak Simpson-Bouls.

Tashmë, Ligji për Sigurime të Përballueshme po ndihmon në ngadalësimin e rritjes së kostos së sigurimeve shëndetësore. Reformat që po ju propozoj shkojnë edhe më tej. Do të ulim subvencionimet nga taksapaguesit për kompanitë e ilaçeve me recetë dhe do të kërkojmë më shumë nga të moshuarit më të pasur. Do të ulim kostot duke ndryshuar mënyrat se si paguan qeveria jonë për Medicare, sepse faturat tona mjekësore nuk duhen bazuar mbi numrin e analizave apo ditëve në spital; ato duhen bërë mbi bazën e cilësisë së shërbimit që marrin të moshuarit tanë. Jam i hapur për reforma të tjera nga të dyja partitë, për sa kohë ato nuk prekin garancinë për pension të siguruar. Qeveria jonë nuk duhet të bëjë premtime të cilat nuk  i mban dot – por duhet të mbajmë premtimet që kemi bërë tashmë.

Në mënyrë që të arrijmë synimin e mbetur për uljen e deficitit, duhet të bëjmë atë që kanë sugjeruar tashmë drejtues nga të dyja partitë, dhe të kursejmë qindra miliard dollarë duke hequr qafe hapësirat abuzive në taksim dhe uljet për të pasurit dhe ata që kanë lidhje të forta. Në fund të fundit, përse duhet të zgjedhim të bëjmë shkurtime më të mëdha në arsim dhe Medicare thjesht për të mbrojtur shmangien e taksave nga disa grupe interesi? Si mund të jetë e drejtë kjo? Si mund të jetë ulja e deficitit urgjencë e madhe që justifikon shkurtimet në sigurime shoqërore por nuk justifikon mbylljen e disa shtigjeve për abuzim? Si mund të nxisë rritjen ekonomike kjo gjë?

Tani është mundësia jonë më e mirë për reforma dypartiake e gjithëpërfshirëse në taksa, të cilat nxisin hapjen e vendeve të punës dhe ndihmojnë në uljen e deficitit. Mund ta bëjmë këtë. Populli amerikan meriton një kod taksash që ndihmon bizneset e vogla të humbasin më pak kohë me plotësimin e formularëve të ndërlikuar, e të shpenzojnë më shumë kohë në zgjerimin dhe punësimin – një kod taksash që siguron se miliarderët me llogaritarë të fuqishëm nuk do të shfrytëzojnë sistemin për të paguar më pak taksa se sa sekretaret e tyre punëtore; një kod taksash që pakëson prirjet për të zhvendosur vende pune jashtë shtetit, dhe që ul shkallën e taksave për bizneset dhe firmat prodhuese që hapin vende pune këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë mund të sjellë reforma e taksave. Kjo është ajo që mund të bëjmë së bashku.

E kuptoj që reforma e taksave dhe reforma e përfitimeve të garantuara nuk do të jenë të lehta. Politikat do të jenë të vështira për të dyja palët. Asnjë prej nesh nuk do të marrë 100 përqind të asaj që dëshirojmë. Por, alternativa do të na kushtojë vende pune, do të dëmtojë ekonominë, e do të sjellë mundime për amerikanët punëtorë. Prandaj le t’i lëmë mënjanë interesat partiake dhe të punojmë për të miratuar një buxhet që i zëvendëson shkurtimet e pakujdesshme me kursime të mençura dhe investime të zgjuara në të ardhmen tonë.  E le ta bëjmë këtë pa luajtur me zjarrin, gjë që streson konsumatorët dhe largon investitorët. Kombi më i fuqishëm në botë nuk mund të vazhdojë të bëjë punën e tij duke kaluar nga një krizë e prodhuar në tjetrën. Nuk mund ta bëjmë këtë.

Le të biem dakord pikërisht këtu e pikërisht tani që ta mbajmë të hapur qeverinë e popullit, t’i paguajmë faturat në kohë dhe të mbajmë gjithmonë lart besimin e plotë dhe meritat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më të shumtët mes nesh pajtohen me idenë se plani për uljen e deficitit duhet të jetë pjesë e axhendës sonë. Por le të jemi të qartë, ulja e deficitit më vete nuk është plan ekonomik. Ylli Polar që na drejton në përpjekjet tona duhet të jetë një ekonomi në rritje që hap vende pune, vende pune për klasën e mesme. Çdo ditë si komb duhet t’i bëjmë vetes tre pyetje: Si mund të sjellim më shumë vende punë ne brigjet tona? Si mund ta pajisim popullin tonë me aftësitë që u duhen për t’i zënë këto vende pune? Dhe si mund të garantojmë që puna të sigurojë jetesë të përshtatshme?

Një vit e gjysmë më parë parashtrova një Ligj për Punë Amerikane, për të cilin ekonomistë të pavaruar menduan se do të hapte më shumë se 1 milion vende të reja pune. Dhe falënderoj kongresin e mëparshëm për miratimin e një pjese të atij programi. E nxis Kongresin e tanishëm që të miratojë pjesën tjetër. Por, sonte do të parashtroj propozime të tjera plotësisht të peshuara dhe në përputhje me kuadrin e buxhetit të miratuar nga të dyja partitë vetëm 18 muaj më parë. Më lejoni ta them edhe një herë – asgjë prej atyre që po propozoj sonte nuk duhet të rrisë deficitin tonë qoftë edhe me një dhjetëcentëshe. Nuk na nevojitet një qeveri më e madhe, por një qeveri më e mprehtë që vendos përparësitë dhe investon në rritje me baza të gjera. Këtë gjë duhet të kërkojmë.

Përparësia jonë numër një është të bëjmë Amerikën magnet që tërheq vende të reja pune e ndërmarrje prodhimi. Pas shkundjes së punëve për më shumë se 10 vjet, prodhuesit tanë kanë shtuar rreth 500,000 vende pune gjatë tre viteve të fundit. Kompania Caterpillar po i rikthen vendet e punës nga Japonia. Kompania Ford po i risjell nga Meksika. Dhe këtë vit, kompania Apple do të fillojë sërish të prodhojë kompjutera Mac në Amerikë.

Ka gjëra që mund të bëjmë, pikërisht tani, për të përshpejtuar këtë prirje. Vitin e kaluar, u hap insituti i parë për inovacion në prodhim në Jangstaun, Ohajo. Një magazinë dikur e mbyllur tani është laborator kryevepër ku punonjësit po zotërojnë printimin 3D, i cili ka fuqinë të revolucionarizojë mënyrën se si bëjmë thuajse gjithçka. Nuk ka arsye pse të mos ndodhë kjo gjë edhe në qytete të tjera.

Prandaj sonte po shpall hapjen e tre qendrave të tjera prodhuese, ku bizneset do të punojnë në partneritet me Departamentin e Mbrojtjes dhe Energjisë për të shndërruar rajone të lëna pas dore nga globalizimi në qendra globale punësh në teknologjinë e lartë. Dhe i kërkoj këtij kongresi të ndihmojë në krijimin e një rrjeti për 15 prej këtyre qendrave dhe të garantojë se revolucioni i radhës në prodhim do të ndodhë pikërisht këtu në Amerikë. Mund ta bëjmë këtë.

Nëse duam të prodhojmë produktet më të mira, duhet gjithashtu të investojmë në idetë më të mira. Për çdo dollar të shpenzuar për të analizuar gjenin njerëzor morrëm mbrapsht 140 dollarë në ekonominë tonë – e theksoj çdo dollar. Sot shkencëtarët tanë po analizojnë trurin e njeriut për të zbërthyer përgjigjet e sëmundjes Alzhajmer. Ata po nxjerrin ilaçe që rigjenerojnë organet e dëmtuara; po shpikin materiale të reja për të bërë bateritë 10 herë më të fuqishme. Nuk është koha tani që t’i shkatërrojmë këto investime të cilat sjellin vende pune në shkencë dhe risi. Tani është koha të arrijmë në një nivel kërkimi shkencor dhe zhvillimi që nuk është parë që prej majave të garës së hapësirës. Është e nevojshme t’i bëjmë ato investime.

Sot nuk ka fushë që premtom më shumë se sa investimet tona në energjinë amerikane. Pas vitesh bisedimesh mbi këtë, më në fund jemi gati të kontrollojmë të ardhmen e energjisë sonë. Prodhojmë më shumë naftë në vend se sa 15 vitet e fundit. E kemi dyfishuar largësinë që mund të përshkojnë makinat tona me një galon naftë (= 3,7 litra), si edhe sasinë e energjisë së rinovueshme që prodhojmë nga burime si era dhe dielli – të shoqëruara këto me dhjetëra mijëra vende të mira pune. Prodhojmë më shumë gaz natyror se kurrë më parë – dhe fatura e energjisë thuajse e gjithsecilit është më e ulët për shkak të kësaj. Dhe në katër vitet e fundit ka rënë sasia e ndotjes së rrezikshme të karbonit të lëshuar, e cila kërcënon planetin tonë.

Por, për hatër të fëmijëve tanë dhe të ardhmes sonë, duhet të bëjmë më shumë për të luftuar ndryshimin e klimës. Është e vërtetë që një ngjarje e vetme nuk mund të kthehet në prirje. Por, fakti është se 12 vitet më të nxehta të shënuara ndonjëherë kanë ndodhur në 15 vitet e fundit. Valët e nxehtësisë, thatësirat, zjarret e fuqishme, përmbytjet – të gjitha këto ndodhin më shpesh tani e janë më të forta. Mund të jetë zgjedhja jonë të besojmë se superstuhia Sendi, dhe thatësira më e ashpër në dekada, si edhe zjarret më të fuqishme që kanë pasur disa shtete të gjitha ishin thjesht rastësi të çuditshme. Ose mund të zgjedhim të besojmë në gjykimin mbizotërues të shkencës – e të veprojmë përpara se të jetë tepër vonë.

Lajmi i mirë është se mund të bëjmë përparim domethënës në këtë çështje duke nxitur ndërkohë rritje të fuqishme ekonomike. I kërkoj këtij kongresi të bashkohet, të ndjekë zgjidhje dypartiake, me orientim tregu për ndryshimin e klimës, si ajo në të cilën punuan së bashku Xhon MekKein dhe Xho Liberman disa vite më parë. Por, nëse kongresi nuk vepron së shpejti për të mbrojtur brezat e ardhshëm, do ta bëj unë këtë. Do ta drejtoj kabinetin tim të sjellë veprime ekzekutive që mund t’i ndërmarrim ne, tani edhe në të ardhmen, për të ulur nivelin e ndotjes, për të përgatitur bashkësitë tona për pasojat e ndryshimit të klimës, për të përshpejtuar kalimin drejt burimeve më të qëndrueshme të energjisë.

Katër vite më parë vendet e tjera mbizotëronin në tregun e energjisë së pastër dhe në punët që ai ofronte. Këtë kemi nisur ta ndryshojmë. Vitin e kaluar energjia e erës shtoi thuajse gjysmën e gjithë kapacitetit të energjisë në Amerikë. Atëherë, le të prodhojmë edhe më shumë. Energjia diellore bëhet çdo vit e më e lirë – le ta ulim koston edhe më shumë. Për sa kohë vende si Kina vazhdojnë të shkojnë drejt energjisë së pastër, kështu duhet të bëjmë edhe ne.

Ndërkohë, bumi në gazin natyror ka çuar në energji më të pastër dhe pavarësi më të madhe në lidhje me energjinë. Duhet ta inkurajojmë këtë. Prandaj edhe administrata ime do të vazhdojë të shkurtojë burokracinë dhe përshpejtojë lejet e reja për naftë dhe gaz. Kjo duhet të jetë pjesë e planit që përfshin gjithë sa u tha më lart. Por, dua të punoj me këtë kongres gjithashtu për të inkurajuar kërkimet shkencore dhe teknologjitë që ndihmojnë në djegie akoma më të pastër të gazit natyror dhe mbrojnë ajrin dhe ujin tonë.

Në fakt, një pjesë e madhe e energjisë sonë të sapozbuluar merret nga tokat publike dhe uji që kemi ne të gjithë bashkë. Prandaj sonte propozoj që të përdorim një pjesë të të ardhurave nga nafta dhe gazi ynë për të financuar një Trust për Sigurimin e Energjisë që do të merret me kërkimet shkencore dhe teknologjinë e re për t’i shndërruar makinat dhe kamionët tanë përgjithmonë pa naftë. Nëse ka ndonjë koalicion jopartiak drejtuesish ekzekutivë dhe gjeneralësh e admiralësh në pension që mund ta inkurajojnë një ide të tillë, edhe ne mund ta bëjmë. Le të marrim parasysh këshillat e tyre dhe të lirojmë familjet dhe bizneset tona nga majat e dhimbshme të çmimeve të naftës që kemi duruar për kaq shumë kohë.

Po shpall gjithashtu një synim të ri për Amerikën: Le ta përgjysmojmë energjinë e harxhuar nga shtëpitë dhe bizneset tona përgjatë 20 viteve të ardhshme. Do të punojmë me shtetet për ta bërë këtë. Shtetet me idetë më të mira për të hapur vende pune dhe ulur faturat e energjisë elektrike duke ndërtuar ndërtesa më efiçente do të marrin mbështetje federale për të ndihmuar në këto procese.

Sektori i energjisë së Amerikës është vetëm një pjesë e një infrastrukture të vjetëruar që ka nevojë të menjëherëshme për riparim. Pyesni këta drejtues ekzekutivë se ku do të preferonin të vendoseshin dhe kë do të donin të punësonin – një vend me rrugë dhe ura në shkatërrim apo një vend më shina të shpejtësisë së lartë dhe internet; shkolla me teknologji të lartë, rrjete energjie të rinovueshme. Drejtori ekzekutiv i Siemens në Amerikë – kompani që solli qindra vende të reja pune në Karolinën e Veriut – tha se nëse përmirësojmë infrastrukturën tonë, do të sjellin akoma më shumë vende pune. Këtë qëndrim kanë edhe shumë kompani të tjera në mbarë botën. Dhe e di që i doni këto projekte që hapin vende pune në zonën tuaj. I kam parë gjithë këto prerje shiritesh inagurimi.

Prandaj sonte propozoj një program “Riparimi”, të punësojmë njerëz sa më shpejt të jetë e mundur në riparimet më urgjente që kemi, si afro 70,000 urat me probleme strukturore në gjithë vendin. Dhe për t’u siguruar se kjo barrë nuk u bie e gjitha mbi shpatulla taksapaguesve, propozoj gjithashtu Partneritetin për të Rindërtuar Amerikën që tërheq kapital privat për të përmirësuar atë që u duhet më shumë bizneseve tona: porte moderne për lëvizjen e mallrave tona, tubacione moderne për t’i bërë ballë stuhisë, shkolla moderne siç i meritojnë fëmijët tanë. Le të vërtetojmë se nuk ka vend më të mirë për t’u marrë me biznes se sa këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe le të fillojmë menjëherë. Mund ta bëjmë këtë.

Dhe një pjesë e përpjekjes sonë për të rindërtuar duhet gjithashtu të përfshijë sektorin tonë të strehimit. Lajmi i mirë është se tregu ynë i banesave po rimëkëmbet më në fund nga rrënimi i vitit 2007. Çmimet e banesave po rriten me ritmin më të lartë në gjashtë vite. Blerësit e banesave janë shtuar në afro 50 përqind, dhe ndërtimi përsëri po zgjerohet.

Por, edhe me normat e kredive afro më të ultat në 50 vite, shumë familje me të ardhura të qëndrueshme të cilat duan të blejnë shtëpi janë refuzuar. Shumë familje që nuk kanë lënë këst pa paguar dhe duan të rifinancojnë kanë marrë përgjigjen jo. Kjo po e mban mbrapa gjithë ekonominë tonë. Këtë duhet ta rregullojmë.

Pikërisht tani ka një projektligj në kongres që do t’i jepte të gjithë pronarëve të përgjegjshëm të një banese mundësinë të kursenin 3,000 dollarë në vit duke rifinancuar me normat e sotme. Demokratët dhe republikanët e kanë mbështetur këtë më parë, prandaj çfarë presim? Votojeni e ma dergoni mua atë projektligj. Pse të jemi kundër tij? Pse duhet të ishte çështje partiake të ndihmoje njerëzit të rifinanconin? Pikërisht tani rregulla të përsëritura nuk lejojnë familje të reja të përgjegjshme të blejnë shtëpinë e tyre të parë. Çfarë na pengon? Le ta thjeshtojmë procesin dhe të ndihmojmë ekonominë tonë të rritet.

Këto nisma në prodhim, energji, infrastrukturë, banesa – të gjitha këto do të ndihmojnë sipërmarrësit dhe pronarët e bizneseve të vogla të zgjerohen dhe hapin më shumë vende pune. Por, asnjë prej tyre nuk do të ketë rëndësi nëse nuk do të ndihmojmë në pajisjen e shtetasve tanë me aftësitë dhe trajnimin e duhur për të zënë këto vende pune.

Dhe kjo duhet nisur në moshën më të hershme të mundshme. Studime njëra pas tjetrës tregojnë se sa më shpejt nis të mësojë një fëmijë, aq më mirë ecën në rrugën e gjatë. Por, sot më pak se 3 në 10 katërvjeçarë regjistrohen në programe cilësore parashkollore. Shumë prej prindërve të klasës së mesme nuk e përballojnë pagesën e dy-treqind dollarëve në javë për program privat parashkollor. Dhe për fëmijët e varfër që më shumë se kushdo kanë nevojë për ndihmë, kjo mungesë mundësie për arsim parashkollor mund t’i lërë ata në hije për gjithë jetën. Prandaj sonte, propozoj të punojmë me shtetet për të bërë të mundur programin cilësor parashkollor për çdo fëmijë në Amerikë. Kjo është diçka që duhet të arrijmë ta bëjmë.

Çdo dollar që investojmë në arsim të cilësisë së lartë për fëmijë mund të na kursejë më shumë se shtatë dollarë më vonë – duke ngritur shkallën e diplomimit, ulur rastet e shtatzanisë në adoleshencë, madje edhe duke ulur krimet e dhunshme. Në shtetet që vendosin përparësi në arsimin e fëmijëve tanë më të vegjël, si Xhorxhia dhe Oklahoma, studimet tregojnë se nxënësit rriten më të prirur për lexuar e bërë llogari matematikore sipas nivelit të klasës, marrin deftesat e lirimit, gjejnë punë, krijojnë familje më të qëndrueshme më vete. E dimë që kjo funksionon. Atëherë le të bëjmë atë gjë që funskionon dhe të sigurojmë se asnjë prej fëmijëve tanë të mos ë nisë garën e jetës mbas. Le t’ua japim këtë mundësi fëmijëve tanë.

Le të sigurojmë gjithashtu që diploma e shkollës së mesme i vendos fëmijët tanë në rrugën drejt gjetjes së një pune të mirë. Pikërisht tani vende si Gjermania janë përqendruar në diplomimin nga shkolla e mesme për nxënësit e tyre me arsimin e barasvlefshëm me një diplomë teknike të një prej shkollave profesionale tonat në nivel universiteti. Prandaj ata fëmijë gjermanë janë gati për punë pasi diplomohen nga shkolla e mesme. Janë trajnuar për punët që ofron vendi. Në shkolla si P-Tech në Bruklin, bashkëpunim mes Shkollave Publike të Nju Jorkut dhe Universitetit të Qytetit të Nju Jorkut dhe kompanisë IBM, nxënësit do të pajisen me diplomë të shkollës së mesme dhe diplomë profesionale për kompjutera dhe inxhinieri. Duhet t’i japim çdo nxënësi amerikan mundësi si kjo.

Katër vite më parë filluam programin Gara për në Majë – konkurs që bindi thuajse të gjitha shtetet të zhvillonin programe më të mprehta dhe standarde më të larta, të gjitha këto për afro 1 përqind të asaj që shpenzojmë për arsimin çdo vit. Sonte po shpall një sfidë të re për të riparë shkollat e mesme të Amerikës në mënyrë që ato të pajisin më mirë nxënësit për t’u përballur me kërkesat e ekonomisë me teknologji të lartë. Do të shpërblejmë shkollat që krijojnë partneritete me fakultete dhe punëdhënës, dhe që krijojnë klasa me përqendrim mbi shkencën, teknologjinë, inxhinierinë dhe matematikën – aftësitë që kërkojnë punëdhënësit e ditëve të sotme për punët që ofrohen tani e që do të ofrohen në të ardhmen.

Edhe me shkolla të mesme më të mira shumica e të rinjve do të duan arsim të lartë. Është fakt i thjeshtë që sa më shumë arsim të kesh, aq më shumë ka të ngjarë të kesh punë të mirë e të ngjitesh drejt klasës së mesme. Por, sot çmimet në majë e bëjnë të pamundur për shumë të rinj që të mund të përballojnë arsimin e lartë, ose i ngarkojnë ata me borxhe të paqëndrueshme.

Me rimbursim taksash, grante dhe kredi më të mira e kemi bërë universitetin më të përballueshëm për miliona studentë dhe familje në vitet e fundit. Por, taksapaguesit nuk mund të vazhdojnë të subvencionojnë kosto gjithmonë e më të larta për arsimin e lartë. Universitetet duhet të bëjnë punën e tyre duke ulur koston, dhe puna jonë është të sigurojmë që ta bëjnë këtë.

Prandaj sonte, i kërkoj kongresit të ndryshojë Ligjin për Arsimin e Lartë në mënyrë që të përfshihen përballueshmëria dhe vlera në përcaktimin se cilat universitete do të marrin lloje të caktuara ndihmash federale. Dhe nesër, administrata ime do të nxjerrë një “Kartëvlerësimi për Universitete” që të mund ta përdorin prindërit dhe studentët për të krahasuar shkollat bazuar në një kriter të thjeshtë – ku merr më shumë vlerë në kthim për çdo dollar të shpenzuar në arsim.

Për të shtuar klasën e mesme duhet që shtetasit tanë të kenë mundësi të kapin arsimin dhe trajnimin që kërkojnë vendet e punës sot. Por duhet të sigurojmë gjithashtu se Amerika do të mbetet vendi ku kushdo që është gati të punojë – kushdo që është gati të punojë shumë të ketë mundësinë të ecë përpara.

Ekonomia jonë është më e fuqishme kur shfrytëzojmë talentet dhe zgjuarsinë e emigrantëve të pashpresë që përpiqen. Dhe pikërisht tani drejtues biznesesh, njerëz nga fuqia punëtore, zbatimi i ligjit, bashkësitë e besimit – të gjithë pajtohen me faktin se ka ardhur koha për miratimin e një reforme të përgjithshme emigracioni. Tani është koha për ta bërë këtë. Tani është koha që ta realizojmë këtë. Tani është koha që ta realizojmë këtë.

Reforma e vërtetë nënkupton sigurim më të mirë kufiri, dhe mund të vazhdojmë mbi përparimin që ka bërë administrata ime deri tani – duke vendosur më shumë kabina në kufirin jugor nga sa kemi pasur në gjithë historinë tonë dhe ulur kapërcimet e paligjshme të kufirit në nivelet e tyre më të ulëta në 40 vjet.

Reforma e vërtetë nënkupton vendosjen e një rruge të përgjegjshme për marrjen e nënshtetësisë – rrugë që përfshin kalimin e kontrollit të historikut të personit, pagesën e taksave dhe njëfarë gjobe të arsyeshme, mësimin e anglishtes, dhe mbajtjen e radhës në fund mbas njerëzve që përpiqen të vijnë këtu në mënyrë të ligjshme.

Reforma e vërtetë nënkupton rregullimin e sistemit të emigracionit të ligjshëm për të shkurtuar periudhat e pritjes and tërhequr sipërmarrësit dhe inxhinierët me aftësi të përparuara që do të ndihmonin në hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e ekonomisë sonë.

Me fjalë të tjera, e dimë se ç’duhet bërë. Ndërsa flasim, grupet partiake në të dyja dhomat e kongresit po punojnë me zell për të hartuar një projektligj, dhe i përgëzoj përpjekjet e tyre. Atëherë le ta bëjmë këtë. Më dërgoni një projektligj reforme gjithëpërfshirëse emigrimi në pak muajt e ardhshëm, dhe do ta firmos menjëherë. Dhe Amerika do të jetë më e mirë për të. Le ta bëjmë. Le ta bëjmë.

Por, nuk mund të ndalemi këtu. E dimë që ekonomia jonë është më e fuqishme kur gratë tona, mamatë tona, vajzat tona mund të jetojnë të lira nga diskriminimi në vendin e punës, dhe të liruara nga frika e dhunës në familje. Sot senati miratoi Ligjin për Dhunën ndaj Grave të shkruar si fillim nga Xho Baideni thuajse 20 vjet më parë. Dhe tani e nxis dhomën e përfaqësuesve të bëjnë të njëjtën gjë. Punë e paqme, Xho. I kërkoj këtij kongresi të deklarojë se gratë duhet të fitojnë në mënyrë të barazvlefshme me përpjekjet e tyre, dhe të miratoni më në fund Ligjin për Drejtësi në Paga këtë vit.

E dimë që kemi ekonomi më të fortë kur shpërblejmë punën e ndershme të një dite të gjatë me pagë të ndershme. Por, sot një punonjës me orar të plotë me pagë minimale fiton 14 500 dollarë në vit. Edhe me lehtësimin nga taksat që kemi vendosur, një familje me dy fëmijë që ka të ardhura sa një pagë minimale akoma jeton nën kufirin e varfërisë. Kjo nuk është e drejtë. Prandaj, që prej herës së fundit që ky kongres ka rritur pagën minimale, 19 shtete kanë zgjedhur ta çojnë më lartë të tyren.

Le te deklarojmë sonte se në kombin më të pasur në tokë, të mos ketë asnjë që punon me orar të plotë që jeton në varfëri, dhe ta ngremë pagën minimale në nivel federal në 9, 00 dollarë në orë. Duhet të arrijmë ta bëjmë këtë.

Ky hap i vetëm do të rriste të ardhurat e miliona familjeve të klasës punëtore. Do të përbënte ndryshimin mes ushqimeve dhe ndihmave ushqimore; qirasë dhe dëbimit nga banesa; mbijetesës dhe ecjes përpara. Për bizneset në të gjithë vendin kjo do të përkthehej në klientë me më shumë para në xhepa. Dhe akoma më shumë njerëz ndoshta nuk do të kishin më nevojë për ndihmë nga qeveria. Në fakt, njerëzit që punojnë nuk duhet të presin vit pas viti që rroga minimale të rritet ndërsa paga e drejtuesve ekzekutivë nuk ka qenë ndonjëherë më e lartë. Prandaj ja ku kemi një ide për të cilën ramë dakord bashkë me guvernatorin Romni vitin e kaluar – le ta lidhim pagën minimale me koston e jetesës, në mënyrë që më në fund të shndërrohet në pagë me të cilën mund të jetosh.

Le të pranojmë gjithashtu sonte se ka bashkësi në këtë vend ku pavarësisht nga sa shumë punon, është me të vërtetë e pamundur të bësh përpara. Qytete me fabrika shkatërruar nga vite ambjentesh industriale që bëjnë gati plaçkat. Xhepa të pashmangshëm varfërie, në zona urbane dhe rurale, ku të rinjtë janë akoma në përpjekje për punën e tyre të parë. Amerika nuk është vendi ku rastësia e lindjes apo rrethanave të përcaktojnë fatin tonë. Prandaj dhe na duhet të ndërtojmë shkallë të reja mundësish drejt klasës së mesme për të gjithë ata që janë të gatshëm t’i ngjisin ato.

Le të ofrojmë shtysa për kompanitë të cilat punësojnë amerikanë që kanë ato që nevojiten për vendin e lirë të punës, por që kanë qenë kaq gjatë pa punë sa askush nuk u jep më një mundësi. Le t’i rikthejmë në punë njerëzit duke rindërtuar shtëpitë e zbrazura në lagje të rrënuara. Dhe këtë vit, administrata ime do të nisë partneritetin me 20 prej qyteteve të goditura më rëndë në Amerikë për t’i rimëkëmbur këto bashkësi. Do të punojmë me drejtuesit vendorë për të përcaktuar burime për sigurinë publike, arsimin dhe banesat.

Do t’u japim lehtësira të reja përjashtimi nga taksat bizneseve që punësojnë dhe investojnë. Dhe do të punojmë për fuqizimin e familjeve duke hequr pengesat financiare për martesë për çiftet me të ardhura të ulëta, dhe do të bëjmë më shumë përpjekje për të nxitur atësinë – sepse nuk është aftësia për të ngjizur një fëmijë ajo që të bën burrë, por është kuraja për të rritur një fëmijë ajo që e bën këtë dallim. Dhe këtë duam ta inkurajojmë. Duam ta ndihmojmë këtë.

Familje më të fuqishme. Bashkësi më të fuqishme. Një Amerikë më e fuqishme. Është kjo lloj begatie – e gjerë, e përbashkët, ndërtuar mbi një klasë të mesme të lulëzuar – ky ka qënë gjithmonë burimi i përparimit në vendin tonë. Ky është gjithashtu themeli i fuqisë dhe ndikimit tonë në mbarë botën.

Sonte qëndrojmë të bashkuar në përshëndetjen e trupave dhe civilëve që sakrifikojnë çdo ditë për të na mbrojtur. Prej tyre ne mund të themi me besim se Amerika do të përmbushë misionin e saj në Afganistan dhe do të arrijmë objektivën tonë për të mposhtur bërthamën e al Kaedës.

Deri tani kemi rikthyer 33 000 nga gratë dhe burrat tanë trima në shërbim. Këtë pranverë forcat tona do të kalojnë në rol mbështetës, ndërsa drejtimin do ta marrin forcat afgane të sigurisë. Sonte mund të deklaroj se përgjatë vitit të ardhshëm edhe 34 000 trupa te tjera amerikane do të kthehen nga Afganistani. Kjo tërheqje do të vazhdojë dhe deri në fund të vitit do të ketë përfunduar lufta jonë në Afganistan.

Përkushtimi i Amerikës për një Afganistan të bashkuar dhe të pavarur do të vazhdojë përtej vitit 2014, por natyra e përkushtimit tonë do të ndryshojë. Po negociojmë një marrëveshje me qeverinë afgane që përqendrohet në dy misione – trajnim dhe pajisje të forcave afgane në mënyrë që vendi të mos bjerë sërish në kaos, dhe përpjekje kundër terrorrizmit që do të na mundësojnë të ndjekim mbetjet e al Kaedës dhe filialeve të tyre.

Sot organizata që na sulmoi në 11 shtator është veçse një hije e vetes së saj. Është e vërtetë që kanë dalë filiale të al Kaedës dhe grupe ektremistësh – që nga Gadishulli Arabik deri në Afrikë. Kërcënimi që përbëjnë këto grupe po zhvillohet. Por, për t’u përballur me këto kërcënime nuk është nevoja të dërgojmë dhjetëra mijëra djem dhe vajza tonat jashtë shtetit apo të pushtojnë vende të tjera. Përkundrazi, do të na duhet të ndihmojmë vende si Jemeni, Libia dhe Somalia që të mundësojnë sigurinë e tyre dhe të ndihmojmë aleatët që përkrahin luftën kundër terrorizmit, siç kemi bërë në Mali. Dhe atje ku është e domosdoshme, nëpërmjet një game mundësish, do të vazhdojmë të marrim masa të drejtpërdrejta kundër terroristëve që përbëjnë kërcënimin më të rëndë për amerikanët.

Tani, ndërsa bëjmë këtë, duhet të listojmë vlerat tona në betejë. Për këtë arsye administrata ime ka punuar pa u lodhur për të ndërtuar një kuadër të qëndrueshëm ligjor dhe politikash për të drejtuar përpjekjet tona kundër terrorizmit. Gjatë gjithë kësaj e kemi informuar kongresin plotësisht për pëpjekjet tona. E përligj faktin se në demokracinë tonë askush nuk duhet të besojë vetëm fjalën time se po i bëjmë gjërat në mënyrën e duhur. Prandaj, në muajt në vijim, do të vazhdoj të përfshij kongresin për të siguruar se përcaktimi, ndalimi dhe ndjekja penale e terrorizmit do të jenë jo vetëm në përputhje me ligjet tona dhe sistemin e kontrollit dhe barazpeshimit, por edhe se përpjekjet tona do të jenë akoma më transparente ndaj popullit amerikan dhe botës.

Sfidat tona sigurisht nuk mbarojnë me al Kaedën. Amerika do të vazhdojë të jetë në krye të përpjekjeve për të ndaluar përhapjen e armëve më të rrezikshme të botës. Regjimi në Korenë e Veriut duhet të dijë se do të mund të arrijnë sigurinë dhe begatinë e tyre vetëm duke përmbushur detyrimet e tyre ndërkombëtare. Provokime të tipit të atyre që pamë një natë më parë vetëm sa do t’i izolojnë më tepër, ndërsa ne qëndrojmë pranë aleatëve tanë, fuqizojmë mbrojtjen tonë me predha dhe udhëheqim botën në marrjen e masave të prera në reagim të këtyre kërcënimeve.

Po kështu, drejtuesit e Iranit duhet të kuptojnë se ka ardhur koha tashmë për zgjidhje diplomatike, sepse koalicioni është i bashkuar në kërkesën që i bëjnë për të përmbushur detyrimet e tyre dhe do të bëjnë gjithçka që nevojitet për të mos lejuar ata të marrin armë bërthamore.

Ne të njëjtën kohë, do të përfshijmë Rusinë për të kërkuar pakësime të mëtejshme në arsenalin tonë bërthamor, dhe do të vazhdojmë të udhëheqim përpjekjet globale për të siguruar materialet bërthamore që mund të bien në duar të gabuara – sepse aftësia jonë për të ndikuar të tjerët varet nga gatishmëria jonë për të udhëhequr e përmbushur detyrimet tona.

Amerika duhet të përballet gjithashtu me kërcënimin me rritje të shpejtë nga sulmet kibernetike. E dimë që hakerat vjedhin identitetet e njerëzve dhe ndërhyjnë në postën personale elektronike. E dimë se kompanitë dhe vendet e huaja godasin sekretet tona të përbashkëta. Tani armiqtë tanë po kërkojnë edhe mundësi për të sabotuar rrjetin e pushtetit tonë, institucionet tona financiare, sistemet tona të kontrollit ajror. Nuk mundemi të kthejmë sytë mbrapa pasi të kalojnë vite e të pyesim veten përse nuk bëmë asgjë përballë kërcënimeve të vërteta ndaj sigurisë dhe ekonomisë sonë.

Për këtë arsye, sot firmosa një urdhër të ri ekzekutiv i cili do të fuqizojë mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike duke rritur ndarjen e informacionit e zhvilluar standarde për të mbrojtur sigurinë tonë kombëtare, vendet tona të punës dhe privacinë tonë.

Por, edhe kongresi duhet të veprojë gjithashtu duke miratuar ligje që i japin më shumë mundësi qeverisë sonë të sigurojë rrjetet tona dhe të frenojë sulmet. Këtë gjë duhet të arrijmë ta bëjmë mbi paza dypartiake.

Tani, edhe ndërsa mbrojmë popullin tonë, duhet të mbajmë mend se bota e sotme paraqet jo vetëm rreziqe, jo vetëm kërcënime, por edhe mundësi. Synimi ynë është të përmbushim negociata mbi Partneritet Trans-Paqësor për të nxitur eksportet amerikane, mbështetur vendet e punës në Amerikë dhe niveluar fushën e lojës në tregjet në rritje të Azisë. Dhe sonte po ju njoftoj se do të nisim bisedimet mbi Partneritetin Transatlantik të Tregtisë dhe Investimit me Bashkimin Europian – sepse tregia e drejtë dhe e lirë përmes Atlantikut mbështet miliona vende pune në Amerikë të paguara mirë.

E dimë gjithashtu se përparimi në pjesët më të rrënuara të botës sonë na pasuron të gjithëve – jo vetëm duke krijuar tregje të reja, rend më të qëndrueshëm në rajone të caktuara të botës, por edhe sepse është gjëja e duhur për t’u bërë. Në shumë vende njerëzit jetojnë me pak më shumë se një dollar në ditë. Prandaj Shtetet e Bashkuara do të bashkohen me aleatët tanë për të shkatërruar këtë varfëri të skajshme në dy dhjetëvjeçarët e ardhshëm duke lidhur më shumë njerëz në ekonominë globale; duke fuqizuar gratë; duke u dhënë mendjeve tona të reja e të mprehta mundësi të reja për të shërbyer, dhe duke ndihmuar bashkësitë të ushqejnë, fuqizojnë dhe edukojnë veten; duke ruajtur fëmijët e botës nga vdekjet e shmangshme dhe duke realizuar premtimin e një brezi pa SIDA, gjë që është e arritshme për ne.

E shikoni që Amerika duhet të mbetet fener për të gjithë ata që kërkojnë lirinë gjatë kësaj periudhe ndryshimesh historike. E pashë fuqinë e shpresës vitin e kaluar në Rangun, në Burma, kur Aung San Suu Kyi mirëpriti një president amerikan në shtëpinë ku kishte qenë e burgosur për vite; kur mijëra burmezë u rreshtuan në rrugë duke valëvitur flamuj amerikanë, përfshirë edhe një burrë i cili tha: “Ka drejtësi dhe rend në Shtetet e Bashkuara. Dua që vendi im të jetë i tillë.”

Në mbrojtje të lirisë sonë do të mbetemi spiranca e aleancave të fuqishme nga Amerikat deri në Afrikë; nga Europa deri në Azi. Në Lindjen e Mesme do të qëndrojmë në mbështetje të vendasve ndërsa ata kërkojnë të drejtat e tyre universale dhe do të mbështesim kalimet e qëndrueshme drejt demokracisë.

E dimë që procesi do të jetë i rrëmujshëm, nuk mund t’i lejojmë vetes të diktojmë rrjedhën e ndryshimit në vende si Egjipti, por mundemi të këmbëngulim – dhe do ta bëjmë këtë – për respektimin e të drejtave themelore të gjithë njerëzve. Do të vazhdojmë të ushtrojmë trysni mbi regjimin sirian i cili ka vrarë popullin e vet, dhe do të mbështesim drejtuesit e opozitës që respektojnë të drejtat e çdo shtetasi sirian. Dhe do të qëndrojmë të patundur me Izraelin në kërkim të sigurisë dhe paqes së qëndrueshme.

Këto janë mesazhet që do të çoj kur të shkoj në Lindjen e Mesme muajin e ardhshëm. Dhe e gjithë kjo punë varet nga kuraja dhe sakrifica e atyre që shërbejnë në vendet e rrezikshme duke marrë përsipër rrezik të madh vetjak – diplomatët tanë, oficerët tanë të sigurisë dhe burrat e gratë në Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara. Për sa kohë do të jem Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, do të bëjmë gjithçka nevojitet për të mbrojtur ata që i shërbejnë vendit të tyre jashtë kufijve, dhe do të vazhdojmë të kemi ushtrinë më të mirë që ka njohur ndonjëherë bota.

Do të investojmë në aftësi të reja, ndërsa pakësojmë ndërkohë mbetjet dhe shpenzimet e luftës. Do të sigurojmë trajtim të barabartë për të gjithë ata në shërbim, dhe përfitime të barabarta për familjet e tyre – qofshin ata heteroseksualë apo homoseksualë. Do të marrim zemër nga kuraja dhe aftësitë e motrave, vajzave dhe nënave tona sepse gratë kanë provuar kur kanë qenë nën sulm se janë gati të luftojnë.

Do t’i jemi besnikë veteranëve tanë duke investuar në kujdes shëndetësor elitar, përfshirë këtu edhe shëndetin mendor, për luftëtarët tanë të dëmtuar – duke mbështetur familjet e ushtarakëve tanë; duke u dhënë veteranëve tanë përfitimet dhe arsimin e mundësitë për punë që i kanë fituar vetë. Dua të falënderoj gruan time, Mishelën, dhe Dr. Xhill Baiden për përkushtimin e tyre të vazhduar në shërbim të familjeve tona ushtarake po aq mirë sa na kanë shërbyer ato ne. Falemnderit, zemër.  Falemnderit Xhill.

Megjithatë, mbrojtja e lirisë sonë nuk është detyrë vetëm e ushtrisë sonë. Të gjithë duhet të bëjmë punën tonë për të siguruar se të drejtat tona të dhëna nga Perëndia janë të mbrojtura në vend. Kjo përfshin një prej të drejtave më themelore të një demokracie: të drejtën e votës. Kur një amerikani, pavarësisht se ku jeton apo çfarë partie i përket, i mohohet kjo e drejtë sepse nuk mund të presë për pesë apo gjashtë apo shtatë orë për të hedhur votën, ne po tradhtojmë idealet tona.

Prandaj, sonte po ju bëj me dije një komision jopartiak për përmirësimin e përvojës së votimit në Amerikë. Dhe kjo kategorikisht ka nevojë për përmirësim. Po u kërkoj dy ekpsertëve me përvojë të gjatë në këtë fushë – të cilët, meqë ra fjala kanë shërbyer së fundmi si përfaqësuesit kryesorë ligjorë në fushatën time dhe në fushatën e guvernatorit Romni – të udhëheqin këtë punë. Këtë mundemi ta rregullojmë, dhe do ta bëjmë. Këtë e kërkon populli amerikan dhe demokracia jonë.

Sigurisht që ajo që thashë sonte nuk ka shumë rëndësi nëse nuk bashkohemi për të mbrojtur burimin tonë më të çmuar: fëmijët tanë. Kanë kaluar dy muaj që nga tragjedia e Njutaunit. E di që nuk është hera e parë që ky vend ka diskuatuar si të ulë dhunën me armë. Por, kjo herë është ndryshe. Një pjesë dërrmuese e amerikanëve – amerikanët që besojnë në amendamentin e dytë të kushtetutës – janë bashkuar rreth reformës së arsyeshme, si për shembull kontrolle të historikut të personit, të cilat e vështirësojnë mundësinë që kriminelët të mund të sigurojnë armë. Senatorë nga të dyja partitë po punojnë së bashku për ligje të reja më të rrepta për parandalimin e kujtdo që blen armë për t’ua rishitur kriminelëve. Drejtuesit e policisë po kërkojnë ndihmën tonë për të larguar nga rrugët armë lufte dhe karikatorë municioni masiv sepse këta shefa policie, sepse ata janë lodhur duke parë se si djemtë dhe vajzat e tyre janë më pak të armatosur.

Secili prej këtyre propozimeve meriton një votë në kongres. Nëse dëshironi të votoni kundër, kjo është zgjedhja juaj. Por, këto propozime meritojnë një votë. Sepse në dy muajt që kanë kaluar që nga tragjedia e Njutaunit, mbi një mijë ditëlindje, diplomime, përvjetorë na janë vjedhur nga jeta jonë prej një arme – mbi një mijë.

Një prej atyre që humbëm ishte një vajzë e re me emrin Hadia Pendëlton. Ishte 15 vjeçe. Pëlqente shumë biskotat me fiq dhe shkëlqyesit e buzëve. Ishte kërcimtare. Ishte aq e mirë me shokët dhe shoqet sa të gjithë mendonin se e kishin shoqe të ngushtë. Vetëm tre javë më parë ajo ishte këtu në Uashington me shokët e saj të klasës, ku luajtën për vendin e tyre në ceremoninë e marrjes së detyrës nga unë. Dhe një javë më pas, ajo u vra me armë në një park në Çikago pas shkollës, vetëm një milje (1,6 kilometra) larg shtëpisë sime.

Prindërit e Hadias, Neiti dhe Kleo, janë sonte në këtë sallë, bashkë me dhjetëra amerikanë jetët e të cilevë janë copëtuar nga dhuna e armëve – ata meritojnë një votë të thjeshtë. Ata meritojnë një votë. Gebi Gifords meriton një votë. Familjet e Njutaunit meritojnë një votë. Familjet e Aurorës meritojnë një votë. Familjet e Oak Krik dhe Tukson dhe Bleksbërg, dhe bashkësi të tjera të panumërta të copëtuara nga dhuna e armëve – ato meritojnë një votë të thjeshtë. Ato meritojnë një votë të thjeshtë.

Veprimet tona nuk do të parandalojnë çdo veprim të pallogjikshëm dhune në këtë vend. Në fakt, asnjë ligj e asnjë nismë, asnjë veprim administrativ nuk do të zgjidhë në mënyrë të përkryer të gjitha sfidat që kam paraqitur këtu sonte. Por, asnjëherë nuk jemi dërguar këtu sepse jemi të përkryer. Jemi dërguar këtu të sjellim ndryshimin që mundemi të sjellim, të sigurojmë këtë komb, të zgjerojmë mundësitë, të mbajmë lart idealet tona nëpërmjet punës së madhe, shpesh të lodhshme e zhgënjyese, por absolutisht të domosdoshme për vetëqeverisje.

Jemi dërguar këtu të kujdesemi për bashkështetasit tanë amerikanë në të njëjtën mënyrë si ata kujdesen për njëri-tjetrin, çdo ditë, shpesh pa bujë në gjithë vendin. Duhet të ndjekim shembullin e tyre.

Duhet të ndjekim shembullin e infermieres nga Nju Jork Siti me emrin Mençu Sançez. Kur uragani Sendi e pllakosi në errësirë spitalin e saj, ajo nuk po mendonte se ç’po bëhej në shtëpinë e saj. Mendja e saj ishte te 20 të porsalindurit e çmuar në pavionin e saj dhe plani i shpëtimit që sajoi ajo i shpëtoi të gjithë.

Duhet të ndjekim shembullin e një gruaje nga Majemi verior me emrin Desilin Viktor. Kur Desilin mbërriti në vendin ku duhej të votonte, i thanë se pritja për të votuar mund të ishte deri në gjashtë orë. Dhe ndërsa koha kalonte minutë për minutë, shqetësimi i saj nuk ishte për trupin e saj të lodhur e këmbët që i dhembnin, por nëse njerëz si ajo do të kishin mundësi të thoshin fjalën e tyre. Dhe orë pas ore, një grup njerëzish mbajtën radhën në mbështetje të saj – sepse Desilin është 102 vjeçe. Dhe të gjithë shpërthyen në brohoritje kur ajo më në fund vendosi etiketën që thoshte: “Unë votova.”

Duhet të ndjekim shembullin e oficerit të policisë me emrin Brajan Mërfi. Kur një i armatosur hapi zjarr mbi një tempull Sikh në Uiskonsin dhe Brajani mbërriti atje i pari, ai nuk u shqetësua për veten e tij. Ai luftoi derisa i erdhi ndihma dhe urdhëroi kolegët e tij policë të mbronin sigurinë e amerikanëve që po adhuronin brenda edhe në momentet kur ishte i shtrirë e i gjakosur nga 12 plagët e plumbave. Dhe kur e pyetën si e bëri këtë, Brajan tha: “Kështu jemi bërë ne.”

Kështu jemi bërë ne. Mund të bëjmë punë të ndryshme dhe të veshim uniforma të ndryshme, si edhe të kemi pikëpamje të ndryshme nga personi në krahun tonë. Por, si amerikanë të gjithë kemi një titull të përbashkët krenarie – jemi bashkështetas. Është fjalë që nuk përshkruan vetëm kombësinë tonë apo gjendjen tonë ligjore. Ajo përshkruan mënyrën si jemi bërë. Përshkruan atë që ne besojmë. Ajo përfshin idenë e qëndrueshme se ky vend funskionon vetëm kur pranojmë detyrime të caktuara ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj brezave të ardhshëm, se të drejtat tona janë të mbështjella në të drejtat e të tjerëve; se edhe në shekullin tonë të tretë si komb mbetet detyrë e të gjithëve ne, si qytetarë të Shteteve të Bashkuara të jemi autorët e kapitullit të madh të radhës në historinë tonë amerikane.

Faleminderit. Perëndia ju bekoftë e bekoftë gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës.