Fjalimi për reformën në drejtësi nga Ambasadori Donald Lu

Zoti Kryeministër Rama, Kryetari i Kuvendit Meta, Kryetar i Gjykatës së Lartë Zaganjori, Ambasadorë, Zonja dhe Zotërinj,

Në sistemin tuaj të drejtësisë, disa persona duhet të pushohen nga puna për korrupsion dhe disa të tjerë të çohen në burg. Në një sondazh të zhvilluar me gjykatësit, të financuar prej USAID-it, 25 [njëzetë e pesë] për qind e gjykatësve thanë se sistemi ishte i korruptuar dhe 58 [pesëdhjetë e tetë] për qind të tjerë thanë se ekziston perceptimi publik se sistemi është i korruptuar.  Në një sistem ku edhe gjykatësit bien dakord se ka korrupsion, kjo nënkupton detyrimisht se gjykatësit, prokurorët dhe avokatët duhet të bashkëndajnë që të gjithë përgjegjësinë për dhënien dhe marrjen e rryshfeteve.  Por, besoj gjithashtu se ka disa profesionistë të ndershëm, me përvojë dhe të kualifikuar që duhet tw lejohen tw punojnw në një sistem gjyqësor të lirë prej korrupsionit.

Përveç se duhet të japë llogari për korrupsionin, sistemi juaj gjyqësor duhet të jetë gjithashtu i pavarur për t’i rezistuar trysnisë politike.  Në të njëjtin sondazh, 7 [shtatë] për qind e gjykatësve patën thënë se sistemi i drejtësisë në Shqipëri nuk është i lirë prej ndërhyrjeve politike dhe 50 [pesëdhjetë] për qind patën thënë se ishte vetëm pjesërisht i lirë.  Gjykatësit dhe prokurorët duhet t’i marrin vendimet të bazuar në ligjin dhe provat, e jo nën ndikimin e interesave politike ose vetjake.

Së fundi, sistemi i drejtësisë duhet ndjekë penalisht më shumë krime të rënda. Sot, shumë personazhe të njohur të krimit të organizuar dhe zyrtarë të lartë të korruptuar të institucioneve të ndryshme publike ecin nëpër rrugët e Tiranës pa pasur frikë se do të procedohen.  Komisioni Europian për Efikasitetin në Drejtësi e renditi Shqipërinë në vendin e fundit mes 25 vendeve të anketuara, përsa i përket ndjekjes penale të krimeve të rënda. Në një vend të NATO-s, që aspiron anëtarësimin në BE, elitat politike dhe kriminale nuk mund të veprojnë pa u ndëshkuar.

E gjithë kjo është një listë shumë ambicioze reformash. Nëse realizohen, kjo mund të jetë një prej reformave më të rëndësishme që prej rënies së komunizmit. Për ta realizuar këtë duhet të marrin pjesë ekspertët më të mirë shqiptarë dhe ndërkombëtarë.  Opozita ka interes politik për t’u siguruar që sistemi i drejtësisë të mbetet i pavarur prej ndikimeve politike.  Ajo ka ekspertët ligjorë më të mirë. Mund të ketë reformë në gjyqësor që ruan standardet ndërkombëtare pa opozitën, por reforma do të ishte më e mirë dhe më e qëndrueshme në Shqipëri, me pjesëmarrjen aktive të saj.

Ne besojmë në vlerën e kësaj reforme. Ne shprehim zotimin tonë për mbështetjen e këtij procesi. Dhe gjyqtarët e prokurorët e korruptuar duhet ta dinë se ndryshimi po vjen.

Faleminderit.