FJALIMI I MARRJES SË DETYRËS NGA PRESIDENTI BARAK OBAMA

SHTËPIA E BARDHË
Zyra e Sekretarit të Shtypit
21 janar 2013

FJALIMI I MARRJES SË DETYRËS NGA PRESIDENTI BARAK OBAMA

Kongresi i Shteteve të Bashkuara

PRESIDENTI:  Zëvendëspresidenti Baiden, Zoti Kryetar i Gjykatës, anëtarë të Kongresit të Shtetevë të Bashkuara, të nderuar të ftuar dhe bashkëqytetarë:

Sa herë mblidhemi për të shënuar marrjen e detyrës nga një president provojmë fuqinë e qëndrueshme të kushtetutës sonë; përforcojmë premtimin e demokracisë sonë; sjellim ndërmend se ajo që e mban të bashkuar këtë komb nuk ka të bëjë më ngjyrat e lëkurës sonë, dogmat e besimeve tona apo origjinën e emrave që mbajmë. Ajo që na bën të veçantë – që na bën amerikanë – është besnikëria ndaj idesë së artikuluar në deklaratën e shkruar më shumë se dy shekuj më parë:
“I konsiderojmë si të vetëkuptueshme këto të vërteta: se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë; se nga krijuesi i tyre u janë dhënë disa të drejta të patjetërsueshme, ndër të cilat janë e drejta për të jetuar, për të qenë të lirë dhe e drejta për të kërkuar dhe gjetur lumturinë.”

Sot jemi në vazhdimësinë e një udhëtimi, i cili nuk mbaron kurrë, për të lidhur kuptimin e atyre fjalëve me realitetet e kohës sonë. Sepse historia na ka treguar se ndërsa këto të drejta mund të jetë të vetëkuptueshme, ato nuk kanë qenë asnjëherë të vetëzbatueshme; se ndërsa liria është dhuratë nga Perëndia, ajo duhet siguruar nga njerëzit e saj në Tokë. Patriotët e vitit 1776 nuk luftuan për të zëvendësuar tiraninë e një mbreti me privilegjet e një pakice apo ligjet e një turme. Ata na dhanë një republikë, një qeveri të popullit, nga populli dhe për popullin duke ia besuar kështu çdo brezi detyrën për të ruajtur bindjen tonë themeltare.

Dhe për më shumë se dyqind vite e kemi bërë këtë.

Me gjak derdhur nga kamxhiku e gjak derdhur nga shpata, kemi mësuar se asnjë bashkim i themeluar mbi parimet e lirisë dhe barazisë nuk mund të mbijetojë gjysmë i lirë e gjysmë i skllavëruar. U ribëmë dhe u betuam që të ecnim përpara së bashku.

Së bashku vendosëm se ekonomia moderne kërkon hekurudha dhe autostrada për të përshpejtuar udhëtimin dhe tregtinë, shkolla e universitete për të trajnuar punonjësit tanë.

Së bashku zbuluam se tregu i lirë mund të lulëzojë vetëm në praninë e rregullave që sigurojnë konkurrencën dhe lojën e ndershme.

Së bashku morrëm vendimin se një komb i madh duhet të kujdeset për më të dobëtit dhe të mbrojë popullin nga rreziqet dhe fatkeqësitë më të mëdha të jetës.

E gjatë këtij rrugëtimi nuk kemi hequr asnjëherë dorë nga skepticizmi ndaj autoritetit qendror, as nuk i jemi dorëzuar trillimit se të gjitha sëmundjet e shoqërisë mund të kurohen vetëm nëpërmjet qeverisë. Pjesët e qëndrueshme të karakterit tonë janë nderimi i nismës dhe sipërmarrjes, këmbëngulja në vlerën e punës dhe përgjegjësisë personale.

Por gjithmonë e kemi kuptuar se kur ndryshojnë kohët edhe ne duhet të ndryshojmë; se besnikëria ndaj parimeve tona themeltare kërkon reagime të reja ndaj sfidave të reja; se mbrojta e lirive tona personale kërkon absolutisht veprim kolektiv. Sepse populli amerikan nuk mundet më të përmbushë kërkesat e botës së sotme duke vepruar i vetëm, po aq sa ushtarët amerikanë do të mund të ishin përballur me forcat e fashizmit dhe komunizmit pa mushqeta dhe pa milici. Nuk është e mundur që një person i vetëm të trajnojë të gjithë mësuesit e biologjisë dhe shkencës që na nevojiten për të pajisur fëmijët tanë për të ardhmen apo të ndërtojë rrugët, rrjetet dhe laboratoret e kërkimit të cilat do të hapin vende të reja pune dhe biznese të reja në brigjet tona. Tani më shumë se asnjëherë ne duhet t’i bëjmë këto së bashku si një komb dhe një popull.

Ky brez amerikanësh është testuar nga kriza të cilat e kanë bërë vendosmërinë tonë të çeliktë dhe kanë provuar qëndrueshmërinë tonë. Tani po i vjen fundi një dhjetëvjeçari lufte. Ka nisur rimëkëmbja ekonomike. Mundësitë e Amerikës janë të pafundme, sepse ne zotërojmë të gjitha cilësitë që kërkon kjo botë pa kufij: rini dhe energji; shumllojshmëri dhe mendje të hapura; kapacitet të pafund për të rrezikuar dhe dhuntinë e rishpikjes. Bashkëqytetarët e mi amerikanë, ne jemi lindur për këtë çast dhe do ta kapim atë – për aq kohë sa mund ta kapim së bashku.

Sepse ne, njerëzit e këtij vendi, e kuptojmë që vendi ynë nuk mund të ketë sukses kur një pakicë në zvogëlim ia del për bukuri dhe një shumicë në rritje zor se ia del. Ne besojmë se begatia e Amerikës duhet të mbështetet në shpatullat e gjera të klasës së mesme në rritje. E dimë se Amerika rritet e lulëzon kur cilido prej nesh mund të gjejë pavarësi dhe krenari në punën e tij, kur pagat e punës së ndershme lirojnë familjet nga pragu i vështirësisë. Mundemi të provojmë se bindja jonë themeltare është akoma e vërtetë kur një vajzë e vogël e lindur në varfërinë më të skajshme është e ndërgjegjshme se ka të njëjtën mundësi për të patur sukses si kushdo tjetër sepse është amerikane; është e lirë, është e barabartë, jo vetëm në sytë e Perëndisë por edhe në sytë tanë.

Ne e kuptojmë se programet e konsumuara janë të pamjaftueshme për nevojat e kohës sonë. Prandaj duhet të zaptojmë ide dhe teknologji të reja për të ribërë qeverinë tonë, për të riparë kodin tonë të taksave, për të reformuar shkollat tona, për të pajisur shtetasit tanë me aftësitë që u nevojiten për të punuar më shumë, mësuar më shumë e arritur më lart. Por ndërsa mënyrat ndryshojnë, qëllimi ynë qëndron po i njëjti: një komb që shpërblen përpjekjet dhe vendosmërinë e çdo amerikani. Këtë gjë kërkon çasti i tanishëm. Kjo gjë do t’i japë kuptim të vërtetë bindjes sonë.

Ne, njerëzit e këtij vendi, besojmë akoma se çdo shtetas meriton sigurinë dhe dinjitetin bazë. Duhet të bëjmë zgjedhje të vështira për të ulur koston e sigurimeve shëndetësore dhe masën e deficitit tonë. Por nuk jemi dakord me mendimin se Amerika duhet të zgjedhë midis kujdesit për brezin që e ndërtoi këtë vend dhe investimit në brezin që do të ndërtojë të ardhmen e tij. Sepse ne mbajmë mend mësimet e së kalurës sonë, kur vitet e fundit të jetës kaloheshin në varfëri dhe prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk kishin ku të drejtoheshin.

Ne nuk besojmë se në këtë vend liria ruhet vetëm për personat me fat, apo lumturia për pakicën. Dimë gjithashtu se pavarësisht me sa përgjegjësi jetojmë, secili prej nesh në një kohë të caktuar mund të përballet me humbjen e punës, sëmundje të papritur apo shtëpi të shkatërruar nga stuhia e tmerrshme. Përkushtimet që bëjmë ndaj njëri-tjetrit nëpërmjet programeve Medicare dhe Medicaid (programe sigurimesh shëndeti) dhe Sigurimeve Shoqërore: këto nuk e dobësojnë nismën tonë, ato na forcojnë. Këto programe nuk na bëjmë komb përfituesish; ato na japin lirinë të ndërmarrim rreziqet që e bëjnë të mrekullueshëm këtë vend.

Ne, njerëzit e këtij vendi, akoma besojmë se detyrimet tona si amerikanë nuk janë vetëm ndaj vetes sonë, por ndaj gjithë pasardhësve tanë. Do t’i përgjigjemi kërcënimit të ndryshimit të klimës, duke e ditur se mosbërja e kësaj do të linte në baltë fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm. Disa akoma mund të mohojnë gjykimin mbizotërues të shkencës, por askush nuk mund të shmangë ndikimin shkatërrimtar të zjarreve të furishme, thatësirave paralizuese dhe stuhive të fuqishme.

Rruga drejt burimeve të energjisë së qëndrueshme do të jetë e gjatë dhe hera-herës e vështirë. Por Amerika nuk mund t’i bëjë rezistencë këtij tranzicioni, ajo duhet ta drejtojë atë. Nuk mund t’ua lëmë kombeve të tjera teknologjinë që do të fuqizojë vende të reja pune dhe industri të reja, duhet ta zotërojmë premtimin e saj. Kështu do të ruajmë vitalitetin tonë ekonomik dhe thesarin tonë kombëtar – pyjet dhe ujrat tona, tokat me të korra dhe majat e mbuluara me borë. Kështu do ta ruajmë planetin tonë, të drejtuar në këtë përkujdesje nga Perëndia. Kjo do t’i japë kuptim bindjes së baballarëve tanë.

Ne, njerëzit e këtij vendi, besojmë akoma se siguria e qëndrueshme dhe paqja e përhershme nuk kërkojnë luftë të vazhdueshme. Burrat dhe gratë tona trime në ushtri, të kalitur në flakët e betejës nuk mund të krahasohen në çmim dhe kurajë. Qytetarët tanë, të brengosur nga kujtimi i atyre që kemi humbur, e dinë shumë mirë çmimin e paguar për liri. Njohja e sakrificës së tyre do të na mbajë përherë vigjilentë ndaj atyre që duan të na dëmtojnë. Por jemi gjithashtu trashëgimtarë të fituesve të paqes jo vetëm të luftës, atyre që kthyen armiqtë e betuar në miqtë më të garantuar – duhet t’i marrim edhe këto mësime e t’i sjellim në kohën tonë gjithashtu.

Do ta mbrojmë popullin tonë dhe do të mbajmë lart vlerat tona me fuqinë e armëve dhe shtetin ligjor. Do të tregojmë kurajën duke provuar të zgjidhim mospërputhjet tona me kombet e tjera në mënyrë paqësore – jo sepse jemi naivë ndaj rreziqeve me të cilat përballemi, por sepse angazhimi mund të heqë dyshimet dhe frikën në mënyrë më të qëndrueshme.

Amerika do të vazhdojë të jetë mbështetje e aleancave të forta në çdo kënd të botës. Dhe do t’i rinovojmë institucionet që zgjerojnë kapacitetin tonë për të menaxhuar krizën jashtë vendit pasi askush nuk ka pjesë më të madhe në botën paqësore se sa kombi i tij më i fuqishëm. Do ta mbështesim demokracinë nga Azia në Afrikë, nga kontinenti amerikan deri në Lindjen e Mesme sepse interesat tona dhe ndërgjegjja jonë na detyrojnë të veprojmë në emër të atyre që dëshirojnë lirinë. Dhe duhet të jemi burim shprese për të varfrit, të sëmurët, të lënët mënjanë, viktimat e gjykimit – jo vetëm në shenjë bamirësie, por sepse paqja në kohën tonë kërkon përparimin e vazhdueshëm të parimeve që përshkruan bindja jonë: toleranca dhe mundësia, dinjiteti njerëzor dhe drejtësia.

Ne, njerëzit e këtij vendi, sot deklarojmë se e vërteta më e vetëkuptueshme – se të gjithë jemi krijuar të barabartë – është ylli që na drejton akoma; ashtu siç drejtoi paraardhësit tanë nëpër Ujëvarën Seneka, në Selma dhe Stounuoll; po ashtu siç drejtoi burrat dhe gratë, të nderuar  e të panderuar, të cilët lanë gjyrmët e tyre në këtë shëtitore kombëtare, për të dëgjuar predikuesin të thoshte se nuk nuk mund të ecim vetëm; për të dëgjuar zotin King të deklaronte se liria jonë personale është e lidhur në mënyrë të pashkëputshme me lirinë e çdo shpirti në Tokë.

Është detyra e brezit tonë tani të vazhdojë ato që u nisën nga themeluesit tanë. Sepse udhëtimi ynë nuk mund të jetë i plotë derisa gratë tona, nënat dhe motrat tona të sigurojnë jetesën në përputhje me përpjekjet e tyre. Udhëtimi ynë nuk mund të jetë i plotë derisa vëllezërit tanë dhe motrat tona homoseksuale të trajtohen si gjithë të tjerët nga ligji, sepse nëse jemi me të vertetë të barabartë, atëherë sigurisht që dashuria që i japim njëri-tjetrit duhet të jetë e barabartë gjithashtu. Udhëtimi ynë nuk mund të jetë i plotë derisa të mos ketë asnjë qytetar të cilit i duhet të presë në radhë me orë të tëra për të ushtruar të drejtën për të votuar. Udhëtimi ynë nuk mund të jetë i plotë derisa të gjejmë një mënyrë më të mirë për të pritur emigrantët e rropatur e shpresëplotë të cilët akoma e shikojnë Amerikën si tokën e mundësive, derisa studentët dhe inxhinierët e shkëlqyer të futen në listën e të punësuarve tanë në vend që të dëbohen nga ky vend. Udhëtimi ynë nuk mund të jetë i plotë derisa të gjithë fëmijët tanë, që nga rrugët e Detroitit deri në kodrat e Apalasheve e në korsitë e heshtura të Njutaunit të sigurohen se për ta shqetësohen e përkujdesen e të ndjehen larg rrezikut.

Kjo është detyra e brezit tonë – të provojë vërtetësinë e këtyre fjalëve, këtyre të drejtave, vlerave të jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë për të gjithë amerikanët. Nuk është nevoja të biem dakord për çdo linjë të jetës që të mund t’u qëndrojmë besnikë dokumentave të themelimit tonë. Nuk është e thënë të kemi të njëjtin përkufizim për lirinë apo pikërisht të njëjtën mënyrë për të ndjekur rrugën e njëjtë drejt lumturisë. Përparimi nuk na kërkon të zgjidhim debate shekullore në lidhje me rolin e qeverisë për të gjitha kohërat, por na kërkon që të veprojmë tani.

Sepse tani vendimet na përkasin neve e nuk mund ta përballojmë vonesën. Nuk mund të ngatërrojmë absolutizmin me parimet, të zëvendësojmë politikën me spektaklin, apo të trajtojmë fyerjet si debat të arsyeshëm. Duhet të veprojmë edhe kur e dimë se puna jonë nuk do të jetë e përkryer. Duhet të veprojmë edhe kur e dimë se fitoret e sotme do të jenë të pjesshme dhe se do jetë në dorën e atyre që do të qëndrojnë në këtë vend pas katër vitesh, 40 vitesh apo 400 vitesh të çojnë përpara shpirtin e përjetshëm që na u dha në një korridor të lirë në Filadelfia.

Bashkëqytetarët e mi amerikanë, betimi që kam bërë përpara jush sot, ashtu si betimi i bërë nga të tjerët që kanë shërbyer në këtë ndërtesë, ishte betim përpara Perëndisë dhe vendit, jo përpara partisë apo fraksioneve. Duhet me besim ta zbatojmë atë zotim gjatë kohës sonë në detyrë. Por fjalët që thashë sot nuk ndryshojnë shumë nga betimi që bën çdo ushtar kur regjistrohet për të shërbyer apo çdo emigrant kur i kthen ëndrrat e veta në vërtetësi. Betimi im nuk ndryshon nga zotimi që bëjmë të gjithë përpara flamurit që valëvitet mbi ne e që mbush zemrat tona me krenari.

Ato janë fjalët e qytetarëve dhe përfaqësojnë shpresën tonë më të madhe. Ju dhe unë si qytetarë kemi fuqinë të vendosim drejtimin që do të marrë ky vend. Ju dhe unë si qytetarë kemi detyrimin t’u japim formë debateve të kohës sonë – jo vetëm me votat që hedhim, por me zërat që ngremë në mbrojtje të vlerave tona më të lashta dhe idealeve më të qëndrueshme.

Secili prej nesh le të përqafojë sot me detyrim solemn dhe gëzim të madh atë që është e drejta jonë që në lindje. Me përpjekje të përbashkëta dhe qëllim të përbashkët, me pasion dhe përkushtim, le t’i përgjigjemi thirrjes së historisë dhe të çojmë drejt një të ardhmeje të pasigurt dritën e çmuar të lirisë.

Faleminderit. Zoti ju bekoftë ju e bekoftë përgjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.