Fjalimi i të Ngarkuarës me Punë për Institutin për Gratë në Politikat Kombëtare dhe Ndërkombëtare të Sigurisë

Zv. Ministër Koçi, Kryetare e Komisionit të Sigurisë Felaj, të ftuar të nderuar dhe lektorë, jam e lumtur që jam sot këtu për të hapur “Institutin për Gratë në Politikën e Sigurisë Kombëtare dhe Ndërkombëtare”. Unë jam veçanërisht krenare që Dr. Edlira Titini u frymëzua për ta ngritur këtë institut, si rezultat i pjesëmarrjes së saj në “Studimin e Instituteve të Sh.B.A. mbi Programin e Politikës së Sigurisë Kombëtare të Sh.B.A.” të Departamentit Amerikan të Shtetit. Jam gjithashtu e lumtur që disa nga ish-studentët tanë të programit të shkëmbimit do të shërbejnë si instruktorë për kursin.

Kur ne dërgojmë individë në programe shkëmbimi, kërkojmë t’i mbështesim që ata të përdorin njohuritë e tyre për të forcuar Shqipërinë dhe marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Sh.B.A. Ky institut është shembulli i përsosur pikërisht i asaj që pjesëmarrësit në programet tona bëjnë, kështu që faleminderit Dr. Titini dhe faleminderit ish-pjesëmarrësve. Gjithashtu, dua të falënderoj drejtoren e Qendrës së Studimit të Zhvillimit Rajonal dhe Lokal Luiza Hoxhaj, të gjithë lektorët që do të shërbejnë si instruktorë për këtë kurs, si dhe përfaqësuesit e akademisë së sigurisë kombëtare dhe institucioneve ushtarake për kontributet e tyre në këtë institut të rëndësishëm.

Gratë në mbarë botën kanë një rol thelbësor për të luajtur në ofrimin e sigurisë, proceseve të paqes, luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin e zgjidhjen e konflikteve. Në fillim të qershorit, Shtetet e Bashkuara botuan Strategjinë e Sh.B.A-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë – një kornizë e gjerë mbarë-qeveritare që artikulon angazhimin tonë për të mbështetur pjesëmarrjen domethënëse të grave në përpjekjet për sigurinë. Kjo strategji u mandatua nga Akti Dypartiak i vitit 2017 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të cilin Kongresi ynë e miratoi për të rritur rolet e grave në të gjithë botën në operacionet e paqes dhe sistemet politike, qytetare, ekonomike dhe të sigurisë. Ashtu siç po bën sot Instituti për Gratë në Politikën e Sigurisë Kombëtare dhe Ndërkombëtare – duke filluar një diskutim që do të çojë në veprim – në Shtetet e Bashkuara, organizatat e shoqërisë civile do të luajnë një rol jetësor për të ndihmuar Departamentet e Shtetit, të Mbrojtjes dhe të Sigurisë Kombëtare, si edhe USAID-in, për hartimin e planeve të zbatimit të strategjisë.

Gratë sjellin aftësitë tona më të mira në sektorin e sigurisë – aftësinë për të vlerësuar me ndershmëri atë që ne e quajmë “e vërteta në terren” – ose realitet; aftësia për të dëgjuar muzikën e konsensusit pavarësisht zhurmës, një vizion afatgjatë të stabilitetit dhe aftësitë negociuese që merr parasysh këndvështrime kyçe të sigurisë që ndikojnë në familjet tona, të tilla si: shkaqet rrënjësore, shëndetësi, arsimi, varfëria, kultura e dhunës dhe intoleranca fetare.

Shtetet e Bashkuara i kuptojnë sfidat strategjike me të cilat përballen gratë globalisht dhe pengesat për përfaqësim në udhëheqjen politike, dhunën e përhapur kundër grave dhe vajzave, pabarazinë e vazhdueshme. Por, këto çështje mund dhe do të tejkalohen me angazhimin tonë të përbashkët. Jemi entuziastë që jemi bashkuar me partnerë si ju, për të shqyrtuar potencialin e plotë të grave në siguri; për të ngritur tematikën e Grave, Paqes dhe të Sigurisë si përparësi. Zëri i grave duhet të përfshihet. Perspektivat e grave duhet të merren parasysh. Fuqizimi i grave duhet të jetë i plotë dhe i barabartë në çdo hap. Ne jemi 50 përqind e njerëzimit që duhet të sillet në vendimmarrjen e së tashmes, si dhe politikat që i japin formë të ardhmes.

Gjatë ditëve në vijim, ju nxis të dëgjoni, të bëni pyetje dhe të debatoni mbi idetë ndërsa angazhoheni me gamën e temave thelbësore që lidhen me sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ju jeni udhëheqësit e ardhshëm të Shqipërisë. Shfrytëzojeni këtë mundësi që ta përgatisni veten për këtë rol të rëndësishëm. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me ju teksa punojmë për të rritur rolin e grave në kapërcimin e kërcënimeve të jashtme dhe të brendshme të sigurisë dhe për të përkrahur paqe dhe begati më të madhe.