Fjalimi i të Ngarkuarës me Punë Moses-Ones në Ceremoninë e Betimit të Vullnetarëve të Korpusit të Paqes

[Në shqip] Të dashur të trajnuar të Korpusit të Paqes, personel i Korpusit të Paqes dhe familje pritëse,

Mirëmëngjes! Dua ta filloj duke falënderuar familjet që mirëpritët të trajnuarit e Korpusit të Paqes në shtëpitë tuaja. Së shpejti, këta të trajnuar do të bëjnë një betim ku do të premtojnë të ndajnë kulturën amerikane me zemër të hapur dhe me mendje të hapur, por tashmë ju keni ndarë me ta kulturën shqiptare duke iu hapur atyre shtëpitë, jetët dhe zemrat tuaja. Shqiptarët kanë një reputacion shumë të merituar për mikpritjen – bukë, kripë dhe zemër! – dhe dashamirësinë.

Tani do të flas në anglisht, sepse kam disa mesazhe për të trajnuarit e Korpusit tonë të Paqes.

[Në anglisht] Do të doja t’ju tregoja një histori, të cilën mund ta keni dëgjuar tanimë, por dua të nxjerr prej saj diçka që është thelbësore për shërbimin amerikan në Shqipëri. Vitin e kaluar, një vullnetare e Korpusit të Paqes ndihmoi në nisjen e një trupe të Vajzave Skautiste, përbërë nga një numër i konsiderueshëm vajzash rome. Programi tashmë ka forcuar karakterin dhe udhëheqjen e grave, të reja dhe jo të reja, në komunitetin e saj. Megjithatë, ndërsa vullnetarja dhe kolegët e saj mblodhën formularët nga prindërit e vajzave të reja, zbuluan se disa prej prindërve nuk mundeshin ta nënshkruanin dot emrin e tyre në formular.  Ata nuk dinin të shkruanin.

Kjo është sfida ime për ju. Mundohuni të mos e shihni këtë si pengesë. Shiheni si një mundësi. Në vend që ta përsërisni skenën në kokë dhe të fundoseni në një spirale që shkon përposhtë, përfytyroni një variant të ri të asaj skene 15 ose 20 vjet më vonë, kur vajzat e kësaj trupe të parë të rriten. Përfytyroni njërën prej tyre tek regjistron vajzën në të njëjtën trupë të Vajzave Skautiste. Dhe përfytyrojeni ndërsa nënshkruan emrin e saj pa probleme. Përfytyroni se çfarë duhet të bëni për të arritur atë rezultat dhe për të ndjekur atë vizion.

Menjëherë pas krijimit të Korpusit të Paqes, drejtuesit e vendeve që strehuan vullnetarët e parë i bënë vetes pyetjen: “Pse?”. Pse kaq shumë amerikanë të rinj, qytetarë të vendit më të pasur dhe më të fuqishëm në historinë e njerëzimit, lanë mënjanë të ardhmen premtuese dhe familje që kujdeseshin për ta, për të luftuar në xhungla dhe në shkretëtira për njerëz që nuk i kishin takuar kurrë më parë? Pse do të braktisnin karriera fitimprurëse në biznes, jurisprudencë dhe qeverisje për t’u shqetësuar për qarkullimin e bimëve të arave, për furnizimin me ujë dhe për shëndetin publik?

Disa menduan se ishim të çmendur. Të tjerë menduan se ishim të marrë. Dhe në një farë mënyre, kishin të drejtë. Ne amerikanët ndjekim vizionet tona, pavarësisht se sa të çmendura ose të marra mund të duken. Aspiratat tona kombëtare përmblidhen në frazën e njohur – ëndrra amerikane – për një arsye. Ne jemi ëndërrimtarë. Nuk jemi të interesuar të dëgjojmë se diçka nuk mund të bëhet. Jemi shumë të interesuar të kuptojmë se si ta bëjmë atë. Ky është shpirti i Amerikës. Ky është shpirti i Korpusit të Paqes.

Megjithatë, mos më keqkuptoni. Nuk keni nevojë të zgjidhni çdo problem të Shqipërisë. Zhvillimi është një arsye për punën tuaj, por nuk është arsyeja e vetme. Krijimi i një trupe të Vajzave Skautiste përbërë kryesisht nga vajza rome arriti shumë në sferën e zhvillimit – ky fuqizoi një grup të margjinalizuar, vajzash të reja, brenda një komuniteti të margjinalizuar, romëve. Ky përhapi një program të suksesshëm, Vajzat Skautiste, në një komunitet të uritur për mësime mbi udhëheqjen. Dhe programin mund ta përshkruani me saktësi me mbiemrin më magjik në librin e magjisë së zhvillimit ndërkombëtar – i qëndrueshëm.

Por, aspekti më i fuqishëm i programit është bashkëveprimi i rastësishëm midis dy grupeve, të cilët, përveç Korpusit të Paqes, nuk do të ishin takuar kurrë: Vajzat Skautiste dhe Romët e Shqipërisë. Korpusi i Paqes në më të mirën e tij është shkëmbimi i ideve, përvojave dhe emocioneve – ja si është shoqëria ime; më trego për tënden – në rrethanat më të pabesueshme dhe më të çmendura. Përpjekja e asaj vullnetareje të Korpusit të Paqes do të lërë përshtypje të pashlyeshme në ato vajza, pasi të bëhen gra, vite pas konferencës përmbyllëse të shërbimit vullnetar. Këto Vajza Skautiste nuk do ta harrojnë kurrë, pasi ajo pati guximin të mendonte për diçka të çmendur dhe ta shndërronte në realitet.

Ky mund të jetë aspekti më i frikshëm i shërbimit tuaj. Shqiptarët që takoni nuk do t’ju harrojnë kurrë. Pasi t’ju kenë parë një herë, nuk do të jenë në gjendje të mos ju shohin më, sidomos të rinjtë. Brezi më i ri i Shqipërisë është i zgjuar, i talentuar dhe i paduruar për ndryshim. Kur shohin shoqërinë e tyre, ata duan diçka më të mirë. Që kjo të ndodhë, ata mbështeten tek ëndërrimtarët. Mbështeten te njerëz si ju, njerëz me guxim për të ndjekur fantazitë e tyre dhe për t’u përpjekur për to. Pra, ju do të jeni amerikanët e tyre. Ju do të keni rëndësi për ta. Shumë prej tyre do të angazhohen për një Shqipëri më të mirë për shkakun tuaj.

Fjala e fundit. Pas dy vitesh, në konferencën e mbylljes së shërbimit tuaj, do të pyesni veten se ku shkoi koha. Do të shqetësoheni se çfarë do të bëni më pas, pasi të keni mbaruar me Korpusin e Paqes. Por këtu qëndron sekreti i madh – ju nuk do të mbaroni kurrë punë me Korpusin e Paqes. Kur të ktheheni në shtëpi, do t’ju duhet të shpjegoni se çfarë bëtë këtu. Amerikanëve iu pëlqen ta duan Korpusin e Paqes, që do të thotë se familja juaj, miqtë tuaj dhe njerëz tërësisht të panjohur do të jenë ‘viktimat tuaja të pafajshme’ kur të ktheheni. Ruajeni çdo çast dhe mësoni gjithçka mundeni në lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët, në mënyrë që të mund të ndani atë që keni bërë me ëndrrën tuaj. Ne kemi nevojë për ëndërrimtarë edhe atje në vendlindje.

Faleminderit! Tani kam nderin të drejtoj betimin. Ju lutem çohuni në këmbë dhe përsërisni pas meje.