Fjalimi i të Ngarkuarës me Punë Moses-Ones në Aktivitetin “Shkolla si Qendër Komunitare”

E nderuar Zëvendës Kryetare e Kuvendit Hysi, Zëvendës Ministër Shtino, Koordinator Sojati, zoti Hroni, të ftuar të nderuar. Është një nder i madh që jam sot këtu me ju.

Më lejoni ta filloj sot duke përgëzuar jo vetëm IDN-në për përfundimin e programit të suksesshëm pilot, “Shkollat si qendra komunitare”, por edhe të gjithë ata që ndihmuan në garantimin e suksesit të tij. Kjo kërkoi që të gjithë ju, në nivel kombëtar, vendor, komunitar dhe shkollor të zbatoni këtë program dhe, në fund, të ndërtoni komunitete me më shumë aftësi përtëritëse. Përveç kësaj, hapat e ndërmarra nga shteti, shoqëritë fetare, civile dhe aktorët e tjerë në Shqipëri gjatë këtij programi pilot kanë rritur ndërgjegjësimin për rreziqet e format e ekstremizmit të dhunshëm dhe kanë përforcuar rëndësinë e pasjes së bashkësive fetare dhe autoriteteve që janë vigjilentë ndaj këtij kërcënimi.

Rruga për takimin e sotëm nisi në samitin e parë kundër ekstremizmit të dhunshëm, të mbajtur nga Shtëpia e Bardhë në shkurt të vitit 2015. Ishte në atë takim dhe në samitin vijues të Ballkanit kundër ekstremizmit të dhunshëm, mbajtur këtu në Tiranë, që udhëheqësit e kuptuan se asnjë vend në rajon nuk është i paprekshëm ndaj kërcënimit që paraqet terrorizmi. Në atë takim, qeveritë nënvizuan përkushtimin e tyre në luftën ndaj të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm dhe në trajtimin e nxitësve të këtij ekstremizmi.

Pas këtij takimi, Shqipëria mori masa.

Qeveria e Shqipërisë ishte e para në rajon që i dha përparësi financimit publik për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm. Me themelimin e Qendrës Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në janar të vitit 2018, Shqipëria vendosi një standard për pjesën tjetër të rajonit. Kjo shërbeu si një shembull i angazhimit të Shqipërisë ndaj kësaj çështjeje përmes zbatimit të Strategjisë Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, e cila zhvilloi një gamë të gjerë mjetesh për të trajtuar nxitësit themelorë që mbështesin thirrjen dhe përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm.

Strategjia fuqizoi gjithashtu edhe aktorët vendas për të zbatuar qasje të ndjeshme, të përshtatura ndaj kulturave vendore dhe besimeve fetare për të trajtuar këtë fenomen. Kjo hapi rrugën për programe të tilla si ky, “Shkollat si qendra komunitare”.

Ne përgëzojmë punën e bërë nga IDN-ja, Qendra Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe të gjithë partnerët vendorë në zbatimin e këtij projekti. Falë punës suaj mund të themi se këto komunitete kanë aftësi më të mëdha përtëritëse, sepse të gjithë aktorët e kuptojnë përgjegjësinë e përbashkët në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në komunitetet e tyre. E vetmja mënyrë për të garantuar suksesin është nëpërmjet bashkëpunimit midis shkollave, qeverisjes vendore, ligjzbatuesve, shoqërisë civile, të rinjve, komuniteteve fetare dhe të gjithë drejtuesve të tjerë të komunitetit. Siç thotë një shprehje e vjetër: “punë e mirë me shokë shumë”.

Një tjetër rezultat i kësaj qasjeje është që komunitetet që morën pjesë në këtë projekt dolën më të forta. Qytetarët, veçanërisht të rinjtë, tani e kuptojnë se mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në komunitetin e tyre. Ka një arsye, dhe një shpërblim, nëse angazhohesh. Ata mund të sjellin ndryshimin. Ata janë të fuqizuar. Këto janë rezultate të vërteta dhe ne e kemi mbështetur këtë projekt me kënaqësi.

Dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet kundër ekstremizmit të dhunshëm në mbarë Shqipërinë. Qeveria e Sh.B.A.-së mbështet më shumë se 5 milionë dollarë programe të financuara nga ndihma kundër ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri. Ne po ju ndihmojmë jo vetëm të ndërtoni aftësinë përtëritëse të komuniteteve, por edhe po fuqizojmë gratë dhe të rinjtë, po forcojmë qeverisjen vendore dhe po nxisim zëra të matur brenda bashkësive fetare.

Ne, mbetemi të përkushtuar ndaj partneritetit tonë me Shqipërinë, aleaten tonë të NATO-s, dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet që ndërtojnë komunitete, që ofrojnë mundësi për angazhimin e rinisë dhe largimin nga dhuna, si dhe që ndihmojnë qytetarët të kontribuojnë për të mirën e përbashkët.

Të gjithe ju sot këtu mund të bëni një ndryshim. Faleminderit për gjithçka keni bërë dhe dijeni se ne qëndrojmë krah jush në përpjekjet tuaja të ardhshme për të trajtuar këtë çështje shumë të rëndësishme.

Faleminderit!