Fjalimi i të Ngarkuarës me Punë Leyla Moses-Ones në Ceremoninë e Dhurimit të pajisjeve zjarrfikëse

Ministre Xhaçka, Gjeneral Shehu, të ftuar të nderuar,

Dua ta filloj duke vënë në dukje miqësinë tepër të fortë dhe marrëdhëniet dypalëshe të bashkëpunimit mes dy vendeve tona; dhe mirëpres forcimin e mëtejshëm të këtyre lidhjeve ndërsa vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe të ecim përpara së bashku në qëllimet e përbashkëta të sigurisë.

Është nder të jem me ju sot për të festuar dhurimin e këtyre pajisjeve zjarrfikëse. Ky dhurim simbolizon angazhimin tonë të vazhdueshëm të ndihmës humanitare për Qeverinë e Shqipërisë.

Kjo pajisje do të përdoret për t’iu përgjigjur katastrofave natyrore dhe zjarreve në pyje duke ndihmuar si brenda vendit në mbrojtje më të mirë të popullit të Shqipërisë, ashtu dhe në rajon në rast përgjigjesh të unifikuara ndaj emergjencave në të gjithë Ballkanin.

Zjarret që pamë në pyje gjatë viteve të mëparshëm theksuan nevojën për të siguruar këto pajisje. Pajisja dhe teknologjia do të mundësojnë që ata që janë në vijën e parë në këto raste të përgjigjen në mënyrë më efektive dhe efikase ndaj fatkeqësive natyrore, ndërsa ofron siguri për ta.

Disa nga mjetet dhe teknologjia e ofruar përmes kësaj pakete ndihme prej afro 360,000 dollarësh përfshijnë:

– Kamera termike të kapjes së imazheve që u mundësojnë reaguesve të parë të identifikojnë personat e bllokuar nga flakët ose që nuk dallohen për shkak të tymit ose fasadës së një ndërtese që po digjet.
– Kovat e llojit “bambi”, që mund të varen nën helikopterë për transportimin e mbi 2,500 litrave ujë të cilat hidhen direkt mbi zjarrin në pyje.
– Si dhe veshje e pajisje të reja mbrojtëse kundër zjarrit, për të rritur sigurinë e reaguesve të parë.

Dëshiroj të falënderoj Komandën Ushtarake Evropiane të Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e tyre bujare ndaj popullit shqiptar dhe paketën e ndihmës.

Ky dhurim, bashkë me shumë projekte të tjera humanitare të ofruara nga Ambasada e SHBA gjatë viteve, është vetëm një shembull i bashkëpunimit të qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Shqipëria është një aleat dhe partner i palëkundur në NATO dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë të ndërtojmë partneritetin tonë.

Edhe një herë, faleminderit!