Fjalimi i Ambasadores Yuri Kim në Institutin për Gratë në Politikat Kombëtare dhe Ndërkombëtare të Sigurisë

*Zëvendës Ministre e Mbrojtjes Bici, përfaqësuses e OSBE Nebiu, të ftuar të nderuar, studentë dhe lektorë!

Jam e kënaqur t’ju bashkohem sot për Institutin për Gratë në Politikat Kombëtare dhe Ndërkombëtare të Sigurisë. Jam veçanërisht krenare që Dr. Edlira Titini u frymëzua për të ngritur këtë institut pasi mori pjesë në një program të sponsorizuar nga SHBA për hartimin e politikave dhe më ka bërë kaq shumë përshtypje që e ka zhvilluar idenë e saj në një nismë vjetore rajonale. Jam gjithashtu e lumtur të shoh se si profesorët dhe kolegët e saj e kanë përqafuar këtë vizion, disa prej tyre madje udhëtuan për në Shqipëri për të dhënë mësim në këtë institut. Dr. Titini është një shembull i shkëlqyeshëm se si një person frymëzues – dhe shumë punëtor – mund ta kthejë një ide në diçka që gjeneron udhëheqës të ardhshëm.

Kur ne dërgojmë pjesëmarrës në programe shkëmbimi, shpresa jonë është gjithmonë që ata të kthehen në Shqipëri me aftësi dhe ide të reja që mund të zbatojnë në punën e tyre. Ky institut është shembulli i përsosur pikërisht i asaj që pjesëmarrësit në programet tona bëjnë, kështu që faleminderit Dr. Titini. Gjithashtu, dua të falënderoj drejtoren e Qendrës së Studimit të Zhvillimit Rajonal dhe Lokal, të gjithë lektorët që do të shërbejnë si instruktorë për këtë kurs, si dhe përfaqësuesit e akademisë së sigurisë kombëtare dhe institucioneve ushtarake për kontributet e tyre në këtë nismë të rëndësishme.

Puna jonë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri fokusohet në tre prioritete kryesore: mbrojtjen, demokracinë dhe biznesin. Siguria është një fill i përbashkët që tejshkon nëpër të gjitha këto përparësi. Institucionet e sigurta demokratike sigurojnë zbatimin e ligjit, zbatimin e reformës në drejtësi, më pak korrupsion, më shumë investime të huaja dhe zhvillim ekonomik. Kur shikoj programin tuaj, shoh kaq shumë tema të rëndësishme me të cilat përballet Ballkani, Evropa dhe e gjithë bota. Këto janë të njëjtat çështje për të cilat homologët tuaj në Uashington D.C. – nga “think tank” (institute e organizata jo fitimprurëse që merren me ekspertiza politike) deri te Shtëpia e Bardhë – po punojnë tani.

Për të 20 gratë që janë këtu për të marrë pjesë në këtë institut, dua t’ju falënderoj për angazhimin tuaj ndaj qëllimit tonë të përbashkët për të çuar përpara sigurinë globale. Ju përfaqësoni shumë institucione të ndryshme publike dhe private në Shqipëri dhe Kosovë. Secila prej jush ka njohuri dhe perspektiva të vlefshme për të ndarë. Evropa dhe bota kanë nevojë për perspektivat dhe kontributet tuaja unike.

Gjatë ditëve në vijim, ju nxis të dëgjoni, të bëni pyetje dhe të debatoni mbi idetë, ndërsa angazhoheni me ekspertët ndërkombëtarë për disa prej çështjeve më të rëndësishme ndërkombëtare.

Ju jeni udhëheqësit e ardhshëm të Shqipërisë dhe të Kosovës. Shfrytëzojeni këtë mundësi që ta përgatisni veten për këtë rol të rëndësishëm. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me ju teksa punojmë për të kapërcyer kërcënimet e sigurisë dhe për të përkrahur paqe dhe begati më të madhe.

Faleminderit!

*fjalimi i parapërgatitur