Fjalimi i Ambasadores Yuri Kim në Inspektimin e Punimeve të Piramidës

Kryeministër Rama, Kryetar i Bashkisë Veliaj, Bashkëdrejtorë ekzekutivë të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim Z. Mata dhe Z. Sarapuli, miq:

“Historia” është një gjë kureshtare. Ne shpesh flasim për “rrjedhën e historisë”, sikur ngjarjet të kenë një jetë dhe vullnet të tyre dhe njerëzit të mbarten në rrjedhën e saj. Nga ana tjetër, gjithashtu flasim për “historinë në krijim e sipër” që nënkupton një krijues. “Historia në krijim e sipër” është ajo që na bashkon sot.

Piramida e Tiranës u hap në vitin 1988 si Muzeu “Enver Hoxha”, një festim cinik i diktaturës. Ajo mishëronte nocionin se njerëzit janë subjekte pasive në rrjedhën e një historie brutale, në të cilën nuk kishin asnjë rol.

Epo, siç e dëshmoi populli shqiptar në vitin 1991, ata në fakt e kishin një rol. Ata shpallën se historia e Shqipërisë është duke u bërë dhe se populli shqiptar është krijuesi i saj.

Pak më shumë se një vit më parë, Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Vodafone dhe Bashkia eTiranës ranë dakord të krijojnë hapësirë për të nxitur novacionin e teknologjisë. Bashkëpunimi i tyre po e shndërron tashmë atë vizion në një realitet.

Pres me kënaqësi ta shoh këtë partneritet – midis qeverisë dhe biznesit, dhe midis amerikanëve e shqiptarëve – ta shndërrojë Piramidën nga një simbol i të kaluarës së errët në një inkubator për të ardhmen e ndritur të Shqipërisë, një të ardhme ku më të mirët dhe më të shkëlqyerit e Shqipërisë mësojnë të jenë krijuesit e vetë historisë së tyre.

Faleminderit!