Flag

An official website of the United States government

Fjalimi i Ambasadores Yuri Kim në Ceremoninë e Vënies në Funksion të Shtabit Rajonal për Ballkanin
5 MINUTA LEXUAR
10 Mars, 2022

Mirëdita të gjithëve! Sa ditë e bukur për të qenë së bashku, midis miqsh dhe aleatësh!

Ministër Peleshi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Begaj, Gjeneral Tabor, Gjeneral Hou dhe të ftuar dhe aleatë të nderuar – është një nder shumë, shumë i madh të jem këtu me ju sot, të qëndroj me ju këtu sot në këtë çast historik, ndërsa dëshmojmë vënien në funksion të shtabit të ri rajonal të Komandës së Operacioneve Speciale për Ballkanin.

Kjo është vërtet historike! Ky është një zhvillim i ri historik në bashkëpunimin e mbrojtjes midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë – një zhvillim me vend teksa festojmë 100 vjet qëkur Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Shqipërisë e asaj kohe vendosën marrëdhëniet zyrtare për herë të parë.

Për vite të tëra kemi diskutuar, hulumtuar dhe vlerësuar mundësitë për praninë ushtarake të SHBA-së në Shqipëri, ndërtuar mbi ftesën e Shqipërisë dhe partneritetin tonë të thellë. Vitin e kaluar, Shqipëria mikpriti DEFENDER Europe 21, stërvitjen më të madhe ushtarake zhvilluar ndonjëherë në Ballkan, e cila dëshmoi se marrëdhënia jonë e sigurisë ishte gati për nivelin tjetër.

Dhe ja ku jemi! Me vënien në funksion të Task Forcës për Ballkanin në Shqipëri – për herë të parë në histori – ndoshta për habinë e shumë njerëzve, Shqipëria do të jetë baza e një pranie të përhershme ushtarake amerikane. Nuk besoj se ndokush e kishte parashikuar këtë, as njëqind vjet më parë, dhe padyshim as thridhjetë vjet më parë, kur ra komunizmi.

Kjo njësi është këtu për disa arsye. Së pari, me kënaqësi jemi këtu me ftesë të qeverisë së Shqipërisë dhe me mbështetjen e popullit shqiptar.

Së dyti, jemi këtu sepse në nivelet më të larta të qeverisë amerikane, ka një respekt dhe vlerësim të thellë dhe në rritje për Shqipërinë si një partner sigurie. Që prej anëtarësimit të saj në NATO në vitin 2009, Shqipëria nuk ka hezituar kurrë të dislokohet përkrah forcave amerikane. Ne nuk mund të kërkonim një aleate më të fortë apo më besnik.

Lidhjet tona dypalëshe të mbrojtjes dhe partneriteti ynë në NATO, janë më të rëndësishme se kurrë, teksa Aleatët bashkohen dhe ndërmarrin veprime në përgjigje të pushtimit të paramenduar, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia. Kjo më kujton se sot bëhet një javë nga 2 marsi, dhe 2 marsi, si të gjithë shqiptarët e dinë, është përvjetori i Lidhjes së Lezhës, në 1944. Skënderbeu i madh e kuptoi fuqinë e bashkimit kur tha, “bashkimi bën fuqinë”. Aleatët e NATO-s e dinë këtë. Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara e dinë këtë. Populli shqiptar dhe populli amerikan e di këtë.

Ne duhet të vazhdojmë të përgjigjemi me vendosmëri, shpejtësi dhe forcë.

Ky është gjithashtu edhe një moment i rëndësishëm edhe për Shqipërinë. Vitin e kaluar, në një veprim të mbështetur nga të gjithë shqiptarët pa përjashtim, Shqipëria ishte e para që ofroi strehë të sigurt për afganët e shënjestruar nga talebanët. Ju nuk e bëtë këtë për shkak të llogaritjeve, por për shkak të karakterit. Ju udhëhoqët duke u bërë shembull.

Tani, si anëtarë të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së – dhe si bashkëpenëmbajtës me Shtetet e Bashkuara për çështjet e Ukrainës – Shqipëria po ndihmon për të drejtuar përgjigjen globale ndaj agresionit të Rusisë.

Ne jemi krenarë që jemi miku, partneri dhe aleati juaj. Dhe shpresojmë që vënia në funksion e Shtabit Rajonal për Ballkanin do ta thellojë edhe më tej marrëdhënien tone dhe do të bëjë të mundur gjëra të mëdha.

Le të vazhdojmë të ecim përpara së bashku, krah për krah!

Faleminderit dhe urime!